Rivarroset dëshmori Behram Morina

Kosova

Rivarroset dëshmori Behram Morina

Më: 11 prill 2019 Në ora: 15:20
Foto

Me nderime ushtarake sot është rivarrosur dëshmori Behram Morina në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

Rivarrimi është kryer nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, dhe dëshmori Morina tashmë do të jetë pranë bashkëluftëtarëve të tij.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, ka thënë se e gjithë procedura e rivarrimit ka shkuar në rregull.

Gjetaj: Përkujtimi për dëshmorët do të jetë i përmotshëm

"Nën përkujdesjen  e kryeministrit është bërë rivarrimi i të gjithë heronjve në këtë kompleks memorial. Tani është edhe heroi i fundit që ka qenë në çështje për t'u ditur identiteti i saktë dhe është kryer. Të gjitha procedurat në mënyrë shkencore janë kryer dhe i bashkohet bashkëluftëtarëve. Mendoj se nderimet dhe përkujtimi do të jetë i përmotshëm lavdi gjithë të rënëve", tha ai.

Gjetaj ka thënë se familja Morina ka treguar një bashkëpunim të jashtëzakonshëm gjatë përfundimit të procedurave të identifikimit. Ndërsa vëllai i dëshmorit, Nezir Morina, ka thënë se pas përfundimit të të gjithë procedurave të identifikimit dhe rivarrimit ndjehet më i lehtësuar.

Morina: Jam i kënaqur me zgjidhjen e problemit

"E kemi pasur një rast që jam shqetësuar shumë, më në fund u zgjidh dhe jam shumë i kënaqur që është zgjidhur problemi...Ditë shumë e mirë, sot më duket si me qenë gjallë që u bashkua me bashkëluftëtarët e tjerë", tha ai.

E mbesa e tij, Qëndresa Mehmeti, sot kishte zgjedhur një poezi për ta kujtuar dajën e saj.

Mehmeti: Dajë, ike nga kjo botë për lirinë e vendit

"20 vite, ah dajë ike nga kjo botë për lirinë e vendit, le familjen tënde dhe dole për të luftuar. Lajmi në shtëpi kishte ardhur, daja im për lirinë e vendit nuk është më duke jetuar, familja jote me lot në sy priti lajmin që ti nuk je pjesë e familjes. Nuk mund ta pranonim vdekjen tënde në moshën më të mirë të jetës, unë nuk pata rastin as të të shoh e as të të përqafoj një herë të vetme. Çdo gëzim në familje dikush na mungon dhe unë me lot në sy e di që daja im më nuk jeton. Më fal që po ta them, po mbesa jote nuk po qanë, më fal o mbreti im, por po i lë lotët në një anë. Në ditën kur ti nuk prite që çdo gjë e bukur u bë kaq tragjike. Do të krenohemi përherë për ty mbesa jote jam unë e mjerë që të përkujtojë ty përherë", tha ajo.

Në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorit Behram Morina morën pjesë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit, përfaqësues të Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komunës së Skenderajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat