Ja si e përkujton kreu i Obiliqit ish-komandantin e tij, Agim Ramadanin

Kosova

Ja si e përkujton kreu i Obiliqit ish-komandantin e tij, Agim Ramadanin

Më: 11 prill 2019 Në ora: 21:57
Xhafer Gashi ka kujtuar ish-komandantin dhe bashkëluftëtarin, Agim Ramadani

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, përmes një shkrimi të ndjerë ka kujtuar ish-komandantin dhe bashkëluftëtarin, Agim Ramadani, i cili ra heroikisht para 20-vitesh.

Gashi shkruan se pak vite i ndanin në moshë, por me Agim Ramadanin i bashkonin idealet dhe dëshira për ta parë Kosovën të lirë.

“Strategjia jote e lartë bëri që të hartohej plani për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar sepse ti e ndjeje atë, e kishe pikturuar edhe në pikturën tënde në vitin 1993, edhe atëherë kur nuk e dije ku është Fushëbeteja e Kosharës, por me aq guxim siç edhe emri me të cilin u njohe KATANA e që të përfaqësonte, na prije para gjithherë”, shkruan Gashi.

Image

Lexoni të plotë shkrimin e kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi, si dedikim për Agim Ramadanin:

Heroi im,

Sot, aq sa më mungon aq edhe më dhemb shpirti, ishe dhe do mbetesh vëllai dhe njeriu më i veçantë për mua, Pak vite na ndanin në moshë, por na bashkonin aq ideale. Si dy mërgimtarë me halle të njëjta të detyruar pa dëshirë që të bëjmë një jetë në vend të huaj, të etur për atdhe nuk reshtem së vepruari për vendin tonë prej nga ku ishim shkuar.

Eh, shumëkush ta kishte zili për punën e madhe që bëje me mërgimtarë e në veçanti edhe anëtarësimi juaj në akademinë e arteve të Evropës, ta kishin zili sepse ishe i kompletuar me të gjitha. Përveç që të mungonte liria, si poet e piktor me shpirt artisti gjete gjithnjë fjalët më të mira që të na motivoje, epror dhe ushtarak i zgjuar gjithnjë ishe në përkrahje të ushtarit, u bëre komandat i shquar dhe më i suksesshmi në betejat që zhvillove.

Më kujtohet dita kur filloi Epopeja e Lavdishme e Jasharajve; ti the "më s'ka kohë të rrimë në dritare duke shikuar çka po ndodh", ne vendosëm shumë shpejtë që të nisemi për atdhe sepse atdheu po na kërkonte.

Që nga ajo ditë kishim pak momente që na ndanin në detyra të ndryshme. E kujtoj si tani, kur ishim në bjeshkët e Gjeravicës dhe po i vështronim tokat e Kosovës e kur the: "Xhafë, shih çfarë natyre ka Kosova, ja vlen të vdesësh për një pikë ujë Kosove"! Kujtoj edhe kur the se edhe nëse një ushtar do mbetet do ketë obligim të formojë ushtrinë e të vazhdojë edhe më tutje.

Image

Strategjia jote e lartë bëri që të hartohej plani për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar sepse ti e ndjeje atë, e kishe pikturuar edhe në pikturën tënde në vitin 1993, edhe atëherë kur nuk e dije ku është Fushëbeteja e Kosharës, por me aq guxim siç edhe emri me të cilin u njohe KATANA e që të përfaqësonte, na prije para gjithherë.

Secili epitet të shkonte, vëlla por sot Heroi im, më fal që me kaq mall shkruaj sepse sot jam po aty ku u ndamë me ty! Na the edhe në poezinë tënde: "Tani unë jam hi dhe hije nuk kam se kam ndërruar jetë askush nuk e di. Më kërkojnë, pyesin ku kam mbetur Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë Nuk jam tretur”..., andaj të ndjejmë përherë por nuk mund të prekim.

Ju fituat heroi im, ju fituat pavdekësinë kurse ne bashkëluftëtarët e tu vetem dhimbjen për ju. Data 11 dhe muaji Prill, sjellin shumë dhimbje për ne, por krenaria dhe mburrja e mundin dhimbjen. Heroi im, ti le shumë shokë nga Brigada 138, e te të cilët sot në trupin e tyre të brishtë je shkri e nuk je tretur, Pusho i qetë vëlla, në dheun e Kosovës, të cilës ja dhe jetën.

Xhafer Gashi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat