Studentët e krahasojnë falimentimin e PTK-së me UP-në, bëjnë thirrje të ndalet ndërhyrja e politikës

Kosova

Studentët e krahasojnë falimentimin e PTK-së me UP-në, bëjnë thirrje të ndalet ndërhyrja e politikës

Më: 13 prill 2019 Në ora: 17:03
UP

Organizata studentore “Reforma në Proces”, përmes një aksioni simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka shprehur pakënaqësitë e studentëve në lidhje me ndërhyrjet e shumta politike që po bëhen në këtë institucion.

Ata kanë thënë se nuk mund të tolerojnë që Universiteti i Prishtinës të bëhet si Telekomi i Kosovës. Nënkryetari i kësaj organizate, Arlind Basha, ka thënë se kërkojnë nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, që t’i shkarkojë anëtarët e Bordit, të cilët i vlerësuan si të deleguar politikë.

“Hasan Prishtina” është institucioni më i madh publik i arsimit të lartë i cili duhet të funksionojë në frymën e profesionalizmit dhe intelektit akademik pa ndikime të jashtme, dhe për më tepër duhet të shërbejë për interesa të përgjithshme të studentëve. Ne si përfaqësues të studentëve nuk mund të lejojmë që edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” të shndërrohet në një instituicion ku të gjithë të punësuarit janë të partive të caktuara politike ashtu siç po ndodh aktualisht me Postën dhe Telekomin e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

“Situata është rënduar në kohën kur së shpejti do të mbahen zgjedhjet për anëtarët e ri të Këshillit Drejtues të UP-së të cilët votohen në Senatin e Universitetit “Hasan Prishtina”, dhe përmes tyre ta bëjnë edhe zgjedhjen e një Rektori POLITIK sic janë mësuar gjithmonë ta shtrijnë ndikimin e tyre kudo. Këto zgjedhje kanë qenë të parapara të mbahen para dy muajve, por ndikimet politike kanë bërë që të shtyhet ky proces. Për më tepër, partitë politike kanë arritur t’i politizojnë disa nga deputetët e Parlamentit studentor duke i obliguar këta deputetë që të bëjnë edhe shkelje e falsifikime në kundërshtim me statutin e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe t’i thyejnë parimet e përfaqësimit studentor”, thuhet tutje.

Ndërkohë Express ka raportuar se Partia e Kadri Veselit ka bërë hapat e parë për ta marrë nën kontroll Parlamentin Studentor. Pas dështimit të parë, organizatat e afërta me PDK’në, Unioni Demokratik Studentor (UDS), Opinioni i Pavarur Studentor (OPS) dhe UPSK’ja, kanë bërë hapat e parë për ta rrëzuar Parlamentin aktual studentor.  Kanë arritur të marrin dy deputetë të pozitës aktuale që përbehet prej Reformës e afërt me NISMA’n, USPE, SKV’në e Vetëvendosjes dhe Paqen Studentore.

Ditë më parë, Parlamenti Studentor pati mbledhje të jashtëzakonshme, të detyruar nga Këshilli Drejtues, e thirrur nga opozita për të inivcuar rrëzimin e kryetarit aktual Arben Elshani nga Reforma.

Burime të Express kanë treguar se për të njëjtën temë, Këshilli Drejtues i UP’sëka mbajtur sot mbledhje që ka zgjatur më shumë se tre orë. Ende nuk ka dalë ndonjë njoftim se çfarë vendimi është marrë.

Sidoqoftë, beteja e PDK’së për ta marrë udhëheqjen e Parlamentit Studentor ka nisur në prag të zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të UP’së për të përcaktuar pastaj edhe kandidatin e ardhshëm për Rektor.

Deri më tash janë përmendur disa emra për rektor në mesin e të cilëve janë edhe Behgjet Mustafa e Suzana Manxhuka Kerliu.

Prej pasluftës, PDK ka pasur nën kontrollon organet kryesore të UP’së, duke vendosur gjithmonë rektorët politik.

Njësojë kishte ndodhur me Mujë Rugovën, një  zyrtar i PDK’së, njëjtë ka ndodhur me Ibrahim Gashin e së fundmi edhe me Marjan Demën.

Në fund të vitit 2018, ishin paralajmëruar protesta nëse politika ndërhynë në punën e UP’së.

Madje, përfaqësuesit e Parlamentit të Studentëve në Universitetin e Prishtinës, kishin akuzuar menaxhmentin e UP’së dhe disa organizata studentore se jashtëligjshëm po ndërhyjnë në punën e Parlamentit Studentor.

Kryetari Arben Elshani kishte thënë se  krejt lufta e partive politike po bëhet për të pasur nën kontroll zgjedhjet për Këshillin Drejtues, organ ky që do të votojë për Rektorin e ri të UP’së pas disa muajsh.

“Grupet politike të lidhura me pushtetin, bashkë me disa grupe klanore brenda UP-së janë aktivizuar përmes formave të ndryshme të presionit dhe po mundohen ta pengojnë punën e parlamentit studentor”, kishte thënë ai.

Zgjedhjet për Këshillin Drejtues të UP herën e fundit më 2016 patën përfunduar në muajin shkurt ndërsa tash janë vonuar për më shumë se dy muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat