Gazetarët e Serbisë në vizitë KFOR-it, të befasuar me masat e sigurisë në Bondsteel

Kosova

Gazetarët e Serbisë në vizitë KFOR-it, të befasuar me masat e sigurisë në Bondsteel

Më: 13 prill 2019 Në ora: 23:59
Bondsteel

Ditëve të kaluara është folur shumë për situatën në veri të Kosovës, sidomos pas ftesës së Gjermanisë e Britanisë drejtuar shtetasve të tyre që të mos udhëtojnë në atë pjesë të Kosovës, por edhe për shkak të pjesëtarëve të Shqipërisë në KFOR, të cilët janë parë në Mitrovicë.

KFOR-i, shkruan N1, i cili tërë kohën thotë se situata është nën kontroll, u ka ofruar mundësinë gazetarëve nga Serbia që edhe të binden për këtë.

Gjatë vizitës dyditëshe në Kosovë, gazetarët e medieve të Beogradit kanë pasur rastin të njihen me misionin tashmë 20-vjeçar të cilin NATO e ka në Kosovë – nga fillimi, kur misioni numëronte 55.000 ushtarë, e deri sot, kur janë vetëm 3.500.

Zëdhënësi i KFOR-it Lorenzo D’Addario ka përsëritur sërish se nuk ka asgjë të parëndomtë me praninë e ushtarëve të Shqipërisë në përbërje të KFOR-it në Mitrovicë dhe i ka lutur gazetarët serbë të transmetojnë se ky nuk ka qenë provokim.

Ai ka theksuar edhe bashkëpunimin e mirë me forcat e armatosura të Serbisë, në nivele të ndryshme, si patrullat e përbashkëta përgjatë kufirit, si dhe bisedat me shefin e forcave serbe të armatosura, dhe kjo sipas tij siguron që situata të jetë e pa befasi.

Pas “Film City”-t, bazës së KFOR-it në Prishtinë, gazetarët serbë kanë vizituar edhe bazën amerikane “Bonsteel” afër Ferizajit, e cila, siç vë në dukje N1, ka qenë temë e raportimeve konspirative.

Marko Taskovicit nga ‘Blic’-i i kanë bërë përshtypje masat e sigurisë në këtë kamp, të cilat kanë zgjatur, sipas tij, dy orë.

Svetlana Milenkovic nga televizioni ‘Prva’, ndërkaq, mendon se ‘Bonsteele’ nuk është aq i veçantë siç e kanë treguar dhe se asaj më shumë i ka bërë përshytpje ‘Fim City’.

Ditën e dytë gazetarët serbë kanë fluturuar me helikopter të KFOR-it mbi Kosovë dhe kanë vizituar manastirin e Deçanit dhe atë në Budisalc.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat