Inaugurohet pllaka përkujtimore e viktimave të eksodit të Malishevës së Gjilanit

Kosova

Inaugurohet pllaka përkujtimore e viktimave të eksodit të Malishevës së Gjilanit

Më: 16 prill 2019 Në ora: 13:40
Inaugurohet pllaka përkujtimore e viktimave të eksodit të Malishevës së Gjilanit

Në Malishevë të Komunës së Gjilanit, sot është mbajtur manifestimi përkujtimor për dëshmorët, të rënët dhe viktimat e këtij fshati të cilët, sipas folësve, ranë si pasojë e një terrori të paparë që ka ushtruar policia, ushtria dhe paramilitarët serb në Kosovë.

Në fjalën e tij, nënkryetari Arbër Ismajli, ka thënë se vrasjet, masakrat dhe spastrimi etnik në Kosovë 20 vjet më parë ishin një terror i paparë, drejtuar shqiptarëve të cilët ishin dhe mbeten autokton në Evropën juglindore.

“Zbulimi i shtatoreve, përmendoreve, busteve e pllakave përkujtimore në Gjilan dhe rrethinë, na kthen në një periudhë kohore e cila përcillej atëherë me terrorin e paparë, i shkaktuar nga regjimi, i cili, me shekuj nuk ka dashur që në këtë vend të jetojnë shqiptarët si popull. Nga vendlindja e heroit dhe dëshmorit Abdullah Tahiri dhe e shumë dëshmorëve të rënë në luftën për liri, garantojmë se asnjëherë institucionet e Komunës së Gjilanit, nuk do të ndalen së nderuari deri në përkulje veprën e tyre deri në sakrificë që ne të jetojmë të lirë në tokën autoktone shqiptare të Evropës Juglindore”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Lirije Kajtazi, ka ndarë me të pranishmit përvojat që kishte gjatë viteve të ’90-ta, në kohën e organizimeve të ilegales e deri te çlirimi i vendit.

“Kujtimi i të kaluarës së vështirë, i përkujtimit të të rënëve për liri, janë shumë të tmerrshme, por edhe të lavdishme njëkohësisht. Së bashku me Abdullah Tahirin në atë kohë kemi shfrytëzuar xhamitë për mobilizim dhe zhvillim të lirë të aktiviteteve dhe përgatitjen e të rinjve se si të përdoren armët kundër okupatorit serb. Falënderoj familjet e fshatit Pozheran, që kanë bërë maksimumin e tyre për të na strehuar dhe mbajtur me ushqim në kohët më të vështira të largimit nga fshati ynë”, ka thënë mes tjerash ajo.

Ndryshe, në Malishevë sot janë bërë homazhe në qendër të fshatit te lapidari i dëshmorit Abdulla Tahiri, në varrezat e të rënëve për liri dhe është bërë inaugurimi i pllakës përkujtimore të viktimave të luftës dhe eksodit të fshatit Malishevë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat