Familjarët e dëshmorëve të Poklekut kërkojnë ndëshkimin e autorëve të krimeve serbe

Kosova

Familjarët e dëshmorëve të Poklekut kërkojnë ndëshkimin e autorëve të krimeve serbe

Më: 17 prill 2019 Në ora: 13:14
Ramiz Lladrovci

(E plotësuar) - Në akademinë përkujtimore për 20-vjetor të masakrës së Poklekut, familjarët kanë kërkuar që autorët e këtij krimi ndaj familjarëve të tyre të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kjo akademi u organizua nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se Drenica është bastion i lirisë, e cila për tri herë radhazi ishte tri herë në shënjestër të armikut për zhdukje. Ai tha se masakrat e përgjakshme në Kosovës nga forcat serbe prapavijë kishin spastrimin etnik.

Lladrovci: Gjyqi nuk duhet të harroj t’i gjykoj ata që planifikuan masakrën

“Vetëm gjatë muajit prill 1998 dhe 99’të në komunën tonë kanë rënë heroikisht 74 dëshmorë, ndërsa vetëm në prillin e 99’tës janë vrarë, zhdukur djegur dhe karbonizuar 411 viktima gjatë luftës. Prandaj, ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë sakrificë të qytetarëve tanë që nuk iu nënshtrua okupatorit. Sot e çdo ditë ne kryejmë edhe detyrimin themelor ndaj dëshmorëve tanë ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit dhe kombit tonë, ne nuk harrojmë as gjyqi për kriminelët që e planifikuan këtë masakër nuk guxoj ta harroj”, tha Lladrovci.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se 17 prill për popullin shqiptar shpalos sakrificën për liri dhe çlirim nga pushtuesi serb.

Gucati: Kjo ditë tregon një flijim dhe sakrificë për liri

“Sot ajo çka është e veçantë në këtë ditë është një flijim, një sakrificë, është heroizmi dhe trimëria kombëtare në rrugën e shenjt për çlirimin e trojeve tona nga pushtuesi serb, rruga e luftës, rruga e lirisë, fjalët janë të pakta dhe nuk mund të përshkruajnë tërë këtë lavdi”, tha Gucati.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve të Poklekut foli Skender Muçolli i cili kërkoi nga institucionet që të ndërmarrin veprime me qëllim që të ruajnë faktet që mund të sjellin një gjykim të drejtë dhe meritor ndaj kryerësve të masakrës në Poklek.

Ai tha se punësimi i komunitetit serb nëpër institucione po i vë në siklet familjarët e dëshmorëve, të cilit duke mos i ditur se kush janë kryesit e krimeve ndaj familjeve të tyre, gjithmonë kanë dyshime.

Muçolli: Kërkojmë të gjykohen fajtorët dhe të marrin dënim meritor

“Iu bëj thirrje të gjitha institucioneve, apo qoftë edhe individëve në duart e të cilëve varet kjo puna e gjykimit të drejtë që të ndërmarrin veprime karshi obligimeve ligjore dhe morale që të mbledhin fakte, të cilat vetëm dita e ditës janë duke u zhdukur, të mbledhin fakte, t’i trajtojnë në mënyrë profesionale dhe institucionale dhe si të tilla në një moment kur presim që të krijohet ndonjë trup gjykues apo ndonjë gjykatë apo kushdo qoftë që t’i gjykojë këto krime drejt të kemi që të paraqesim para këtij trupi duke e mundësuar vënien e fajtorëve para drejtësisë dhe marrjen e dënimit të merituar. Ne si familjarë mendojmë se pa u ndëshkuar autorët e këtyre krimeve, të rënët nuk ndihen të qetë duke mos përjashtuar edhe ne familjarët”, u shpreh Muçolli.

Më 17 prill të vitit 1999 forcat serbe vranë e masakruan dhe në fund i dogjën 54 shqiptarë të familjes Muçolli dhe Elshani, në mesin e tyre shumica gra, pleq e fëmijë.

Përkujtohet masakra e Poklekut

Nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sot është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të masakrës së Poklekut e cila nisi me një minutë heshtjeje për të gjithë të rënët.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se Drenica ishte cak i gjenocid për disa herë me radhe dhe se drejtësia nuk guxon të harrojë t’i gjykojë ata që kryen këtë gjenocid ndaj popullit të Kosovës.

Skender Muqolli, në emër të familjeve të dëshmorëve, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të mbledhin faktet dhe në momentin kur të themelohet ndonjë gjykatë që i gjykon krimet serbe në Kosovë të ketë fakte për të dënuar ata që kanë kryer gjenocid.

Ai tha se në Poklek është kryer gjenocid pasi që janë vrarë civil të paarmatosur andaj po kërkojnë drejtësi. Ndërsa, Hysni Gucati nga OVL-UÇK, tha se 17 prilli për popullin kosovar tregon sakrificën për liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat