Gjykata Komerciale, e rëndësishme për Kosovën

Kosova

Gjykata Komerciale, e rëndësishme për Kosovën

Më: 18 prill 2019 Në ora: 11:03
Gjykata Komerciale, e rëndësishme për Kosovën

Gjykata Komerciale është shumë e rëndësishme për Kosovën pasi ajo do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore por edhe për investitorët e huaj. Kjo u tha në konferencën mbi drejtësinë komerciale që u mbajt sot në Prishtinë.

Krijimi i kësaj gjykate në një të ardhme të afërt u paralajmërua nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë fjalës së tij po në këtë konferencë të organizuar nga ministria e tij dhe e cila po zhvillohet në kuadër të procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Duke përmendur riorganizimin e gjyqësorit të Kosovës në vitin 2013, Tahiri tha se ai proces solli edhe gjëra pozitive, por në çështjet ekonomike nuk ka qenë aq i frytshëm duke e bërë të pashmangshëm themelimin me një strukturë të re të Gjykatës Komerciale.

Tahiri: Gjykata Komerciale do të rrisë efikasitetin e trajtimit të çështjeve komerciale

“Prej shumë çështjeve ka dalë që të jetë pozitive ai riorganizim, mirëpo sa i përket çështjes ekonomike apo komerciale nuk ka dalë të jetë pozitive. Prandaj, sot jemi në një pozicion të qartë dhe jemi në rrugëtim e sipër që Republika e Kosovës në një të ardhme jo të largët ta ketë një institucion kredibil, një Gjykatë Komerciale, e cila vërtet do të jetë adresë dhe do të ketë efikasitetin e duhur për trajtimin e çështjeve komerciale”, deklaroi ministri Tahiri.

Në sistemin e mëhershëm të para viteve ’99, Kosova i ka pasur dy Gjykata Ekonomike, atë të Pejës dhe të Gjakovës. Ndërsa sot, Kosova ka një departament në Gjykatën Themelore që i ka pesë gjyqtarë që merren me çështjet ekonomike dhe një gjyqtar në Apel.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se njëri ndër shqetësimet kryesore të bizneseve është vonesa në trajtimin e lëndëve në gjykata. Ai tha se kjo situatë po dekurajon bizneset të cilat veprojnë në Kosovë.

Veseli theksoi se një tjetër element i rëndësishëm pse po e shtyjnë këtë proces është fakti se vonesa e trajtimit të lëndëve të biznesit bëhet pengesë në ardhjen e investitorëve të rinj nga jashtë.

Veseli: Vonesat në trajtimin e lëndëve të biznesit pengojnë ardhjen e investitorëve të rinj

“Për vet faktin se shumica e problemeve në të gjitha takimet të cilat i kam pasur me biznese, problemet më të mëdha janë me vonesat në lëndët gjyqësore të çështjes së biznesit. Duhet të kemi parasysh se shumica e bizneseve janë ndërmarrësi e vogël dhe e mesme, imagjinoni se çfarë efekti kanë këto vonesa në zgjidhjen e çështjeve kontestuese mes palëve në rastet kur kemi probleme. Kjo ka krijuar dekurajim tek bizneset të cilat janë aktualisht aktive në Republikën e Kosovës, por në të njëjtën kohë ka krijuar një pengesë e cila është shumë serioze në ardhjen potenciale të investitorëve të rinj nga jashtë. Ky ka qenë edhe elementi kryesor pse e kemi shtyrë këtë proces”, deklaroi Veseli.

Kreu i Kuvendit shprehu bindjen se në kohë rekorde Parlamenti i Kosovës do të aprovojë ligjin dhe të krijojë infrastrukturën ligjore në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Komerciale.

Veseli kërkoi bashkëpunimin edhe të odave ekonomike, në mënyrë që të harmonizohet edhe ligji që të mos ketë kompleksitet dhe ndërlikushmëri që mund ta bëjë atë të pazbatueshëm në praktikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat