Mbahet simpoziumi i parë i kirurgëve mbarëshqiptarë të fëmijëve

Kosova

Mbahet simpoziumi i parë i kirurgëve mbarëshqiptarë të fëmijëve

Më: 19 prill 2019 Në ora: 11:52
Foto

Sot është mbajtur simpoziumi i parë i kirurgëve të fëmijëve shqiptarë me pjesëmarrje ndërkombëtare, që për qëllim ka shkëmbimin e përvojave ndërmjet kirurgëve të fëmijëve.

Më shumë se 80 pjesëmarrës kanë ndarë përvojat e tyre në temat që janë trajtuar siç është kirurgjia neonatale, kirurgjia abdominale, kirurgjia terakale pediatrike, urologjike dhe trauma e fëmijëve.

Pjesëmarrësit e këtij simpoziumi të parë kanë marrë pjesë kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Zvicra dhe Gjermania. 

Në hapje të këtij simpoziumi ka marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili ka thënë se krahas investimeve që janë duke bërë në përmirësimin e kushteve të punës e rëndësishme është edhe investimi në personelin shëndetësor.

Ismaili: Investimi më i rëndësishëm është kur bëhet në personelin shëndetësor

“Kosova ka trashëguar një sistem shëndetësor i cili është mbajtur në këmbë pikërisht për shkak të vullnetit të madh dhe dëshirës së madhe të mjekëve që kanë punuar në institucione shëndetësore. Mungesa e madhe e investimeve, mungesa e madhe e buxhetit e ka degraduar sistemin shëndetësor, e vetmja konstante që e ka mbajtur gjallë ka qenë pasioni dhe vullneti i mjekëve dhe personelit shëndetësor. Gjersa jemi në ndryshimin e këtij fenomeni për të shtuar buxhetin, për të shtuar investimet natyrisht që ne nuk duhet të konsiderojmë që investimet duhet të jenë vetëm fizike, vetëm në pajisje. Investimi më i rëndësishëm është kur bëhet në personelin shëndetësor, e në këtë rast edhe në kirurgët tanë të cilët realisht kryejnë një punë jashtëzakonisht të madhe”, tha ministri.

Image

 

Kreu i Shëndetësisë tha se transferimi i diturisë, i praktikave më të mira do të jetë hapi më i madh në investim që mund të bëhet në sistemin shëndetësor, pasi sipas tij nuk janë pajisjet ato që e bëjnë punën por praktika dhe dituria e mjekëve.

Ismaili ka premtuar që edhe në të ardhmen të organizohen simpoziume të tilla, derisa ka bërë thirrje që të shtyjnë investimet sa më shumë në kapacitetin njerëzor.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Murat Berisha, ka treguar se si kanë ardhur deri tek ideja për organizimin e këtij simpoziumi.

Berisha: Ideja për simpoziumin mbarëshqiptarë të kirurgjisë së fëmijëve ka filluar vitin e kaluar

“Ideja për simpoziumin mbarëshqiptarë të kirurgjisë së fëmijëve ka filluar vitin e kaluar, bisedat e para i kam pasur me kolegët e mi kirurgë të fëmijëve në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë. Pastaj me profesor Emirin që punon në Austri... përgjigja ka qenë e menjëhershme nga të gjithë me  një po të madhe. Shpresoj që ky simpozium të jetë tradicional në të ardhmen”, tha ai.

Image

 

Këtë simpozium të rëndësishëm e ka quajtur edhe drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, i cili tha se vetëm fakti i pjesëmarrjës ndërkombëtare e bënë të rëndësishëm.

Sejdiu: Veç fakti i pjesëmarrjes ndërkombëtare tregon edhe rëndësinë e këtij simpoziumi

Image

Ai ka uruar që simpoziume të tilla të bëhen një traditë, pasi sipas tij është shumë e rëndësishme për kirurgët vendor.

Ndërsa, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka bërë të ditur se kjo është konferenca e tretë që e kanë financuar, derisa ka njoftuar se në planin e tyre janë edhe 10 të tjera.

Sejdiu: Do të organizojmë simpoziume të fokusuara në specializimet e ngushta

“Tash më nuk do të vrapojmë pas pikëve, tash do të shikojmë që të organizojmë sa më shumë konferenca, kongrese, tribuna të ndryshme, të fokusuara në specializimet e ngushta. Normal, cdo herë ajo është multidisiplinare sepse puna jonë është multidisiplinare. Kështu që, filozofia jonë është të shkojmë në kualitet, në ngritje të kualitetit të këtyre punëtorive, kjo është e para që është më specifike dhe në atë drejtim edhe do të shkojmë. Unë kam bërë apel edhe tek shoqatat edhe tek profesionistët shëndetësor ta shfrytëzojnë frymën e re të reformave në shëndetësi, ta shfrytëzojmë atë që niveli politik është duke e ofruar dhe ne bashkë me institucionet shëndetësore ta ndjekim këtë dhe mos të lëmë edhe nivelin politik komod në aspektin që i bënë politikat dhe tash ne të dështojmë t’i implementojmë ato”, tha ai.

 

Një nga pjesëmarrësit e këtij simpoziumi ka qenë edhe Emir Haxhija kirurg që punon në Graz të Austrisë, i cili ka thënë se janë munduar që ta prezantojnë kirurgjinë pediatrike ashtu siç aplikohet në shtetet e zhvilluara.

Haxhija: Këto simpoziume do të jenë si udhërrëfyes si ta bëjmë shërbimin për fëmijë në Kosovë më efikas

“Kur e shikoni programin e shihni që fillojmë me kirurgjinë neonatale, mandej vazhdojmë me kirurgjinë terakale, abdominale, urologjinë dhe traumatologjinë, të gjitha këto fusha të cilat trajtohen në një spital, në një klinikë pediatrike, në një klinikë të fëmijëve. Ardhmëria është para Kosovës, ardhmëria është dhe të gjitha themelet janë duke u vendosur, ndërtimi i Kirurgjisë Pediatrike të re në mes të Pediatrisë dhe Gjinekologjisë, do të thotë vizioni është fantastik. Ai vizion besoj që do të mbushet si duhet në këto impute të cilat ne i bëjmë që të ketë dikush një vizion se si ta bëjmë sa më mirë ardhmërinë dhe mendoj që këto simpoziume nëse vazhdojnë edhe në të ardhmen do të jenë si udhërrëfyes si ta bëjmë shërbimin për fëmijë në Kosovë edhe më efikas, ndërsa ndihma jonë sigurisht që nuk do të mungojë”, tha ai.

Image

 

Në kuadër të simpoziumit, Shoqata e Kirurgëve të Fëmijëve kanë nderuar me mirënjohje dy profesorët Hysen Heta dhe Sadik Llullakun për kontributin e tyre në edukimin e kirurgëve pediatrik dhe zhvillimin e kirurgjisë pediatrike në trojet shqiptare.

Simpoziumi është organizuar me përkrahje të Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat