Autoritetet më të përgatitura t’i bëjnë ballë pickimit të rriqrave

Kosova

Autoritetet më të përgatitura t’i bëjnë ballë pickimit të rriqrave

Më: 20 prill 2019 Në ora: 13:47
Ilustrim

Problemi mjedisor me të cilin është ballafaquar Kosova prej vitesh, me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, sipas profesionistëve shëndetësorë, tashmë ka pësuar një rënie të dukshme.

Gjatë këtij viti, sipas zyrtarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, nuk është identifikuar asnjë rast me ethe hemorragjike Krime Kongo.

Trajtimi i kafshëve kundër rriqrave, është duke u bërë tashmë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku futet edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, ka disa vjet që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.

Koha kur sëmundja e etheve hemorragjike Krime Kongo shfaqet në Kosovë është nga muaji prill deri në muajin shtator.

Për dallim nga vitet e kaluara kur komunat si, Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina njiheshin si zona endemike me rriqra, por edhe me sëmundje të etheve hemorragjike, vitin e kaluar , kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është karakterizuar për kah numri i madh i pickimeve të qytetarëve nga rriqrat.

Megjithëkëtë, këtë vit, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë paraqitur disa raste të pickimeve me rriqra, por që jo edhe me ethe hemorragjike.

Këtë e thotë drejtori i kësaj klinike, Hamdi Ramadani, sipas të cilit në bazë të mostrave të dërguara për analiza, asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv me ethe hemorragjike.

“Ne në klinikë nuk kemi raste me ethe hemorragjike. Kemi pasur tre persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga pickimi i rriqrave, por nuk ka pasur ethe hemoragjike. Gjithashtu, asnjë rast nga e gjithë Kosova nuk ka rezultuar pozitiv me ethe hemorragjike e që është gjë e mirë. Mendoj se nuk do të kemi situatë shqetësuese, pasi janë duke punuar nëpër shtëpitë e shëndetit në gjithë Kosovën punëtorët shëndetësorë në teren’’, tha Ramadani.

Ndryshe, Nuhi Morina drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku edhe lajmërohen rastet e para të pickimeve nga rriqrat, thotë se këtë vit kanë qenë 41 pickime nga Malisheva me rrethinë që janë paraqitur tek mjeku për ndihmë.

“Jemi në fazën përgatitore dhe jemi të mobilizuar edhe në emergjencë për raste që kërkojnë ndihmë. Çdo pacienti që lajmërohetsi i pickuar nga rriqrati bëhet pasqyra e gjakut dhe më pas vërtetohet nëse rriqra ka qenë e infektuar. Deri tash nuk ka raste të dyshuar dhe asnjë rast nuk është referuar në klinikën infektive në QKUK. Informimi i qytetarëve përmes ligjëratave edhe në shkolla, dezinfektimi dhe dezinfektimi i gjitha fshatrave ka ndikuar që kjo Komunë të ketë intensitet të ulët sa i përket pickimit të rriqrave’’, tha Morina.

Ndryshe, nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5.200 qytetarë. Ky ishte viti kur është arritur maksimumi i personave të pickuar dhe atyre që kanë vdekur.

Më pas, me masat që kanë ndërmarrë institucionet relevante intensiteti i pickimit të rriqrave ka rënë ndër vite./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat