Lansohet “Forheroines”, vendosen vathë për të kujtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale

Kosova

Lansohet “Forheroines”, vendosen vathë për të kujtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale

Më: 20 prill 2019 Në ora: 16:52
Foto

Pranvera e vitit 99’, për shumë gra e burra të Kosovës, ende zgjon kujtime të tmerrshme. Kujtime këto që po i mbajnë peng ata, edhe sot e asaj dite. E për të kujtuar përjetimet dhe vuajtjet nga ajo kohë e trishtë, gjatë ditës së sotme, para monumentit "Heroina", në Prishtinë, është realizuar instalacioni “Forheroines” nga Batalioni “Atlantiku. Në këto shtatë karaktere do të vendosen vathë, ku secili prej tyre do të simbolizojë një të mbijetuar të dhunës seksuale.

‘Ambasadorja e guximit’, njëherësh edhe e mbijetuar e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman, edhe sot ka kërkuar drejtësi, për krimin që u bë ndaj saj, duke thënë se një gjë të tillë përjetuan për këtë shtet, e që i njëjti bëri shumë pak për to.

Krasniqi-Goodman: Neve na u morr diçka jashtë dëshirës tonë për këtë shtet

“ Drejtësia në rastin tim ka dështuar edhe pse kam kërkuar drejtësi prej vitit 1999, kur kam qenë vetëm 17 vjeçare, por unë tash do të kërkoj drejtësi prej shtetit tim, prej shtetit amerikan se neve na duhet drejtësia. Nuk do të kemi ne paqe shpirtërore pa e pasur drejtësinë. Lavdi dëshmorëve që e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ushtarët që luftuan me krenari për këtë shtet, por neve na u murr diçka jashtë dëshirës tonë, për këtë shtet dhe po vuajmë që 20 vjet në heshtje. Këtë heshtje duhet me e thy, duhet me e thy stigmën, duhet me pas mbrojtjen familjare, mbrojtjen e institucioneve. Shteti jonë ka mundësi që të bëjë më shumë për drejtësi, se jemi 20 mijë e nuk e kemi asnjë kriminel të dënuar deri më tani ”, tha ajo.

E mbijetuara e dhunës seksuale edhe një herë ka pasur mesazh për institucionet vendore. Ajo thotë se nuk duhet të ketë marrëdhënie me Serbinë, pa u dënuar  kriminelët serbë.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë se 20 mijë viktimat e dhunës seksuale ishin mburojë e fushëbetejës së luftës, duke u abuzuar pamëshirshëm dhe tmerrësisht me trupin e tyre. Kjo dhunë sipas saj, nuk kishte për qëllim të dëmtonte vetëm moralin, por edhe familjen, shoqërinë, e që po ashtu të lë plagë në krejt Kosovën.

Rushiti: Ky instalacion ka për qëllim të kthejë vëmendjen ndaj viktimave

“ Me 14 prill para pak ditësh me amabasadoren e guximit, gruaja që i dha zë këtyre krimeve të luftës, shkruam te vendi i ngjarjes, te vendi i klithmave dhe i trishtimit për t’i përkujtuar 20 mijë gra, burra dhe vajza dhe për t’i treguar atyre që ne jemi përkrah tyre dhe bashkarisht edhe prezenca juaj sot, tregon për mbështetjen dhe gatishmërinë që shoqëria kosovare  duhet t’ia bëjë dhe t’i përulet të gjitha këtyre grave dhe burrave të cilët padrejtësisht u torturuan gjatë luftës....Ky instalacion prej shtatë shkronjave këtu ka për qëllim që edhe një herë të kthejë vëmendjen nga ato të cilat janë ende të stepura dhe ende jetojnë me frikë në mesin e familjes së tyre. Përmes dhurimit të një vathi që është vet karakteristika e këtij instalacioni, fillimisht duke filluar në Prishtinë, pastaj duke i shtuar këto karaktere edhe në komunat tjera të Kosovës”, tha Rushiti.

Mbështetje për viktimat e dhunës seksuale dha edhe deputeti në bashkinë e Neë York-ut, Mark Gjonaj. Ai tha se kjo javë ka qenë e mbushur me emocione dhe momente të ndryshme.

Gjonaj: Ju jeni nderi i kombit

“Nganjëherë krejt çka duhet të bëjmë është ta ngrisim zërin, të dëgjojmë. Po në mënyrën më krenare dhe të zëshme ju them heroinave, armiku jonë, barbarët serbë, u munduan të marrin nderin, por e vërteta është: ju jeni nderi i kombit,  ju jeni nderi jonë, ju jeni heronjtë tonë”, tha Gjonaj.

Këto shkronja do të qëndrojnë pranë memorialit ”Heroina”, deri më datën 29 me qëllim që të mblidhen rreth 29 mijë vathë, ku secili prej tyre do të simbolizoj një të dhunuar seksualisht.

Më pastaj këta vathë do të grumbullohen edhe një herë në Prishtinë, për t’i dhënë forcë dhe motiv, Vasfije Krasniqit që para Kongresit Amerikan të dëshmojë për krimet e luftës dhe të kërkojë drejtësi për viktimat e dhunës seksuale.

Ndryshe, vendi ku është vendosur ky instalacion, tek parku “Heroinat”,  i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të grave kosovare gjatë luftës së vitit 1998-1999. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat