Largimi i qytetarëve nga Kosova, rritet numri i udhëtarëve në Aeroportin ‘Adem Jashari’

Kosova

Largimi i qytetarëve nga Kosova, rritet numri i udhëtarëve në Aeroportin ‘Adem Jashari’

Më: 20 prill 2019 Në ora: 22:07
Foto ilustrim

Kohëve të fundit është shënuar rritje e numrit të qytetarëve që po ikin masivisht nga Kosova drejt shteteve të huaja, në kërkim të një jete më të mirë.

Për dallim nga vitet 2014-2015, kur mijëra qytetarë migruan ilegalisht në shtetet perëndimore, kësaj radhe, ata po pajisen me viza.

Çdo ditë të punës, para Ambasadave të huaja në Kosovë, qindra qytetarë presin të marrin viza, derisa prin interesimi për të shkuar në Gjermani.

Se numri i qytetarëve që po ikin nga Kosova është rritur, e konfirmojnë edhe shifrat e udhëtarëve që po shfrytëzojnë fluturimet përmes Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’. Kështu ka bërë të ditur zyrtari për informim në Aeroportin e Prishtinës, Unidon Krasniqi.

Sipas tij, këtë fillimvit ka pasur rritje të numrit të udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroportin ‘Adem Jashari’ për të udhëtuar.

“Gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti kemi shërbyer 476,156 udhëtarë në total, 224,273 dhe 251,883 në arritje dhe në nisje respektivisht. Në krahasim me 3 mujorin e parë të vitit të kaluar është shënuar një rritje prej 14%”, ka thënë Krasniqi.

Ky numër i madh i udhëtarëve, sipas zyrtarit të aeroportit ka më së shumti interesim për të shkuar në shtetin e Zvicrës dhe Gjermanisë.

“Sa i përket destinacioneve, Zvicra mbetet shteti me numrin më të madh të udhëtarëve nga dhe për në ANP “Adem Jashari”, pasuar nga Gjermania”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat