Procesi i privatizimit, banorët e Bellanicës në “luftë” me shtetin

Kosova

Procesi i privatizimit, banorët e Bellanicës në “luftë” me shtetin

Më: 22 prill 2019 Në ora: 13:46
Procesi i privatizimit, banorët e Bellanicës në “luftë” me shtetin

Banorët e fshatin Bellanicë të Malishevës kanë problem me tokat që pretendohet se dikur kanë qenë të tyre.

Bëhet fjalë për 375 hektarë tokë, hapësirë kjo në të cilën parashihet të ndërtohet një park  biznesi.

Këto prona janë të ndërmarrjes shoqërore “Mirusha” e që banorët thonë se në vitin 1958 pushteti i atëhershëm ua mori me dhunë.

Zanafilla e krejt kësaj buron që nga viti 1958, për të vazhduar me dekada të tëra.

Kështu, banori Hazir Hoxha, ka një grumbull dokumentesh të asaj kohe e deri më sot, të cilat sipas tij, vërtetojnë pronësinë e shumë qytetarëve të fshatit Bellanicë.

Duke rrëfyer për telashin përballë të të cilit gjenden tash e shumë vjet  Hoxha thotë se është bërë edhe më e vështirë pasi autoritetet e Kosovës  kanë vazhduar me mënyrën serbe të trajtimit të kësaj çështjeje.

Ai thotë se institucionet kanë mbajtur sekrete, ku janë ndryshuar edhe numrat kadastral. E, sipas tij, shteti mbanë përgjegjësi për këtë punë.

Hoxha: Pronat tona u aneksuan nga serbët, nuk na u kthyen më asnjëherë

“Kjo pronë ka filluar të privatizohet, jo në atë kuptimin me u privatizuar, po me u marrë, me u aneksuar prej shtetit serb në dhjetor të vitit 1958. Aty është problemi esencial që kjo tokë ka qenë e jona. Aty, pyeten banorët, a ja falë tokën shtetit, të gjithë banorët kundërshtojnë dhe thonë që: ‘nuk kemi tokë të mjaftueshme as për vete se le ma me ja falë shtetit’. Kjo është një bazë se ku niset kjo. Që do të thotë u kanë e jona, se nuk kish ardhur shteti kot me na vet a na falë neve... Unë kisha lyp me pas debat, sepse janë duke neglizhuar... E kam një drojë se mundet me pas edhe konflikte këtu, sepse po flas për vete, unë tokën nuk e lëshoj”, tha Hoxha.

Ai rrëfen se si në prill të vitit  1959 kishte ardhur një vendim që i quan banorët ‘uzurpatorë’ të pronës së vet, në formë të reformës agrare dhe kolonizimit që kishte ndodhur atëherë.

Megjithatë, thotë se disa banorë e kanë fituar të drejtën e pronës në ish-Jugosllavi, ndonëse në Kosovën e lirë, sipas tij, nuk është arritur asgjë më shumë se sa vendimi i Gjykatës së Suharekës, i vitit 1964, i cili heq termin ‘uzurpatorë’.

Hoxha: Këtu vepron një rrjet,  gjykatë, komunë dhe drejtori i ndërmarrjes

“Pas luftës ka ndodhë ky problem, nuk janë trajtuar si duhet banorët, dhe nuk iu është dhënë asnjë dokument nga Kuvendi Komunal i Malishevës nga gjeodezia, ju ka dhënë vetëm si uzurpatorë... Sepse kanë dashur me e privatizuar, me e shit përmes AKM-së... Ka pasur përfitime të vetat ‘bosat’ e mëdhenj... Banorët e fshatit Bellanicë, kanë ushtruar padi në vitit  2006, por ato i ka neglizhuar gjykata komunale. Por, nuk ka pasur të drejtë sepse për atë është formuar Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për trajtimin e këtyre problemeve. Por, me protestat që i kemi bë na, e kemi detyruar gjykatën me e dërguar në 2011. Janë mbi 40 padi. Këtu është rrjeti, e them publikisht, gjykatë, komunë dhe drejtori i ndërmarrjes”, sqaron Hoxha.

E se institucionet nuk kanë lënë hapësirë komunikimi e thotë edhe kryetari i fshatit, Isuf Sertolli, sipas të cilit, fajtori kryesor për privatizimin e asaj toke është Kuvendi komunal.

Sertolli: Fajtor për privatizimin e kësaj pjese është Kuvendi Komunal

“Të gjithë ata që kanë qenë në atë kohë në Kuvendin Komunal, të gjithë po i marr, edhe gjykata edhe udhëheqësit e Kuvendit komunal, kanë ardhur deri te ky privatizim. Megjithatë ka vazhduar prapë, kjo tokë është stërshitur, por pronarët e tyre nuk kanë arritur ta punojnë atë tokë që është privatizuar”, tha Sertolli.

Me shpresën se do të ndryshojë gjendja, banorët e fshatit Bellanicë edhe kanë protestuar, por pa ndonjë rezultat.

Për 81-vjeçarin Ali Zogaj, i cili thotë se ka 10 hektarë tokë në këtë pjesë të Malishevës, është e dhimbshme që toka të cilin dikur e kishte punuar me shumë dashuri e vullnet, sot nuk i lejohet që ta punojë.

Ai tregon për hapat që kanë ndërmarr për të ruajtur tokën e tyre.

Zogaj: Kemi protestuar për tokat tona

“Kemi shkuar, kemi protestuar, besa edhe na kanë tollovit shumë, na ka ndjek policia me u largu aj me i bë ‘kërsh’ njerëzit edhe jemi largu...  Është marrë ajo tokë aty, dhe na s’mund të shkojmë ma aty. Ajo është shit njëherë a dy. Me shkuar, ai jarani thotë: ‘unë s’kam punë me ty, e kam ble prej shtetit’. Na jemi anku qe sa vite për atë punë... Dokumentet i kemi prej 1928-ës, që u kanë babagjyshi jem Paris për atë vend dhe baba jem, dhe unë deri sot”, tregon ai.

Lidhur me këtë problem pronësor të banorëve të Bellanicës, KosovaPress është interesuar të marr një përgjigje edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike AKP thotë se vazhdimi i procesit të privatizimit të atyre pronave është bërë meqë nuk ka pasur ndonjë vendim nga Gjykata Supreme.

“Privatizimi është bërë në kohën e ish-AKM-së dhe është bazuar në dokumentet kadastrale, sipas të cilave pronësia ka figuruar të jetë shoqërore. Dihet se juridiksion mbi Agjencinë e Privatizimit ka Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, ku të gjitha palët që e konsiderojnë veten të dëmtuar mund të ankohen. Agjencia Kosovare e Privatizimit është e obliguar ta ndërpresë procesin e privatizimit të një ndërmarrje apo aseti vetëm në rast se për të njëjtën ndërmarrje apo pronë/aset vendoset masë e përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DhPGjS), e cila sipas Ligjit të AKP-së ka juridiksion mbi AKP-në, ndërsa vazhdimi i procesit të privatizimit të këtyre pronave është bërë meqë nuk ka pasur ndonjë vendim nga kjo Gjykatë për ta ndaluar procesin e privatizimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, kryetari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, thotë se AKP-ja në bazë të ligjit, parimisht e ka mandatin të bëjë shitjen e aseteve shoqërore.

Ndonëse, thekson ai, në rast se ka kërkesë për masë të përkohshme, Gjykata e shqyrton dhe vendosë nëse ka kushte ligjore që të ndalohet shitja.

Sylejmani: Dhoma mund t’i ndalojë AKP-së shitjen e aseteve

“Totali i lëndëve në pritje për n.sh. ‘Mirusha’ është 181 lëndë, prej tyre i kemi 11 lëndë në Kolegjin e Apelit si shkallë e dytë, ndërsa të tjerat në shkallën e parë. Si lëndë pronësore prej këtij totali janë 60 lëndë, ku palët kanë pretendime ndaj aseteve të kësaj ndërmarrje shoqërore, ndërsa numri tjetër i lëndëve janë me natyrë tjetër ligjore... Në rastin e këtillë nuk kam informacione a kanë paraqit ata ndonjë kërkesë për masë të përkohshme, dhe nëse Gjykata ka ndaluar ose jo shitjen e këtyre aseteve. Por, paraprakisht po flas për masë të përkohshme, Dhoma mund ta ndalojë, nëse vlerëson që ka kushte ligjore që të caktohet masa e përkohshme dhe t’i ndalohet AKP-së shitja e aseteve”, tha Sylejmani.

Ai thekson se gjykata është e vetëdijshme për problemet që mund të ndërlidhen lidhur me lëndët në pritje. Teksa shton se janë duke u munduar që të bëjnë më të mirën e mundshme, duke zgjidhur sa më shpejt që munden lëndët.

Këtu, thotë ai, vjen në theks kapaciteti i kufizuar i gjyqtarëve dhe stafit që e mbështesin punën e gjyqtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat