Mungesa e kamerave në dëm të sigurisë dhe hetimeve

Kosova

Mungesa e kamerave në dëm të sigurisë dhe hetimeve

Më: 22 prill 2019 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

Pamjet nga kamerat e sigurisë së bizneseve private dhe ato në kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz, të Skenderajt, u bën shkak për arrestimin e dy personave si të dyshuar për vrasjen e Ilir Zeqirit.

Para dy javësh, Zeqiri ishte gjendur i djegur në veturën e tij, në një pjesë tjetër të këtij fshati dhe organet e hetuesisë, në Kosovë, kanë ndjekur një pistë hetimesh duke u bazuar në filmimet e kamerave të sigurisë.

Ende nuk ka ndonjë vendim të gjykatës, lidhur me dy personat e dyshuar dhe këtë rast në përgjithësi. Megjithatë, ky rast, krahas shumë të tjerëve, përsëri ka vënë në pah rëndësinë e kamerave të sigurisë, të cilat mungojnë në pjesën më të madhe të qyteteve, në Kosovë.

Në Policinë e Kosovës thonë se vendosja e kamerave të sigurisë nuk është përgjegjësi e tyre, por e qeverisjeve në nivel lokal dhe qendror. Megjithatë, zëdhënësi i këtij institucioni, Baki Kelani, vlerëson se kamerat e sigurisë do t’ia lehtësonin punën organeve të rendit dhe hetuesisë.

“Vendosja e kamerave, qoftë në nivel komunash apo në nivel të rrugëve rajonale, magjistrale dhe autostradë, kudo që ato vendosen ato ndihmojnë Policinë e Kosovës. Së pari, ato ndihmojnë në çështjet e identifikimit të personave apo automjeteve që mund përfshihen në raste, qofshin ato penale apo edhe raste të kundërvajtjeve. Kështu që në aspektin e punës policore, vendosja e kamerave të sigurisë është pozitive,” thekson Kelani.

Të domosdoshme, e vlerëson vendosjen e kamerave, eksperti i sigurisë Avni Islami. Ai thotë se institucionet shtetërore është dashur ta kryejnë këtë punë kohë më parë, pasi sipas tij, në mungesë provash, shumë raste kanë mbetur pa u zbardhur.

“Një ndër prioritetet e organeve të sigurisë, është dashur që qysh moti të vendosen kamerat e sigurisë, madje edhe ato tre-dimensionale, të cilat do ta mbulonin mbi 90 për qind të kryeqytetit dhe qendrave tjera urbane, kur krimi i organizuar, plaçkitjet, vrasjet, kontrabanda me armë, përdorimi i drogës etj, janë nga ato që po e rrezikojnë shoqërinë në vendin tonë. Shumë herë kemi hasur raste, edhe vendet publike, ku kryhen plaçkitjet, vjedhjet, madje edhe vrasjet kanë ndodhur, e që në të shumtën e rasteve po mbesin të pazbuluara për shkak të mungesës së provave në vendin e ngjarjes dhe për shkak që mungon një pamje filmike e kamerave sigurisë në vendngjarje,” vlerëson Islami.

Përkundër se një pjesë e madhe e bizneseve private, kanë vendosur kamerat e tyre të sigurisë, Islami thotë se ato nuk janë të mjaftueshme. Ai thekson se Qeveria e Kosovës duhet ta prioritizojë këtë çështje dhe të marrë hapa të shpejtë e konkret në këtë drejtim, me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë dhe efikasitetit të hetimeve.

“Pavarësisht se në disa pjesë të qytetit janë të vendosura kamera private, ato nuk e kanë shikueshmërinë e mjaftueshme, nuk janë të dedikuara që të marrin pamjet filmime nga Policia e Kosovës, në mënyrë që të vije tek zbulimi i kryerësve të veprave ose keqbërësve. Kësisoj, mendoj se secila komunë, por në këtë rast do të duhej edhe Qeveria e Kosovës, me prioritet, ta marrë vendosjen e kamerave të sigurisë, në mënyrë që dukuritë negative, pra, plaçkitjet e armatosura, vjedhjet e rëndomta. Por, edhe të përcillet krimi i organizuar, ku në të shumtën e rasteve kostoja do të ishte shumë më lirë me vendosjen e kamerave të sigurisë, sesa përdorimi i aparaturave speciale për përgjimin, hetimin dhe arrestimin e kryerësve të veprave penale,” shton Islami.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk kanë dhënë asnjë përgjigje lidhur me atë se kanë ndonjë plan konkret, vetë ose bashkë me komunat apo edhe Ministrinë e Infrastrukturës, për vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjitha qytetet e Kosovës.

Ndërsa, në një përgjigje të shkurtë përmes telefonit, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunat janë duke bërë vendosjen e kamerave të sigurisë me vetiniciativë.

Ndërkohë, nevojën për pasjen e një sistemi të kamerave të sigurisë, e thekson edhe eksperti i sigurisë në komunikacionin rrugor, Nol Dedaj. Madje, mos-realizimi i një projekti të tillë, deri tani, e bënë atë skeptik edhe për të ardhmen.

“Sigurisht që është e rëndësisë së madhe sa i përket sigurisë në komunikacionin rrugor, sidomos në qytete. Ndërsa jashtë vendbanimeve është e pamundur që këta (institucionet shtetërore) të vendosin kamera, për shkak se nuk janë të përgatitur për përcaktimin e vendeve të rrezikshmërisë së nivelit të lartë, pastaj edhe për pikat e zeza aty ku konsiderojmë se janë vendet ku ndodhin më shpesh aksidentet. Pra, për të vendosur (kamera) jashtë vendbanimit nëpër rrugë nacionale, regjionale dhe autoudha, duhet të përcaktohet niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe aty të vendosen kamerat. Derisa institucionet tona këtë hap paraprak nuk e kanë bërë dhe nuk janë fare të përgatitur për ta bërë,” vlerëson Dedaj.

Ka vite që institucionet qeverisëse, në nivel lokal dhe qendror në Kosovë, përmendin vendosjen e kamerave të sigurisë në qendrat urbane. Por deri tash vetëm një pjesë e vogël zonave urbane të qyteteve janë të mbuluara nga kamerat e sigurisë, të cilat monitorohen nga organet shtetërore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat