Vrasje, shembje dhe rrënim - tri skandalet e sotme që tregojnë për sistemin e dobët të shtetit

Kosova

Vrasje, shembje dhe rrënim - tri skandalet e sotme që tregojnë për sistemin e dobët të shtetit

Më: 22 prill 2019 Në ora: 22:59
Pamje nga vendi i ngjarjes

Tri skandale brenda 12 orëve të fundit kanë ndodhur në Kosovë që dëshmojnë sistemin e dobët të shtetit. Një person që kishte pasur probleme psikike ka vrarë bashkëshorten dhe renë e më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij në Prishtinë.

Një 20-vjeçar ka mbetur i ngujuar për më shumë se pesë orë, pas shembjes së ish-hotelit “Adreatiu” në Mitrovicë, ndërsa kërkimet për të janë duke vazhduar ende.

Ndërkohë për gjendjen e brishtë në sektorin e ndërtimtarisë është dëshmuar përsëri sonte. Një pjesë e një objektit që ishte duke u ndërtuar në Fushë Kosovë kishte rënë në tokë, fatmirësisht nuk kishte pasur të lënduar, ndërsa nuk dihet ende arsyeja, raporton Insajderi.

Skandali i parë kishte filluar në qendër të Prishtinës. Në lagjen “Dardania” mesditën e sotme u dëgjuan të shtënat.

Vrasja e trefishtë në Dardani

Një person, 60-vjeçar kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij dhe resë së tij. Sipas dyshimeve të para, Hasan Krasniqi ishte përleshur me bashkëshorten dhe me renë e tij. Raportohet se divorci mes 60-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij, ishte në proces.

Vajza 2-vjeçare ishte afër skenës së krimit. Sipas dyshimeve të para, vajza ishte dërguar në dhomën tjetër pas përleshjes së 60-vjeçarit me bashkëshorten dhe e renë e tij.

Më pas ai dyshohet se me armë zjarri kishte vrarë Hysnije Krasniqin dhe Remzije Krasniqin. Ndërkohë që më pas kishte telefonuar edhe djalin e tij, Kreshnikun për t’i treguar për veprat që i kishte bërë.

I kishte thënë se “ta rehatova nënën dhe gruan, ndërsa tash po e rehatojë edhe vetën”.

“Dy gratë e vrara janë gjetur në kuzhinë, ndërsa burri është gjetur i vrarë në dhomën e fjetjes. Mendoj se vajza e vogël nuk e ka parë krimin pasi lodrat e saj kanë qenë në dhomë, mirëpo mendohet se kur e ka dëgjuar zhurmën ka dalë në sallon”, ka treguar prokurori i rastit, Armend Hamiti.

Por Krasniqi dyshohet gjithashtu se në të kaluarën kishte pasur probleme psikike. Por sipas prokurorit ai gjatë kohës së fundit kishte qenë në gjendje stabile.

“Kish pasur probleme psikike. Por sic kemi marrë informata nga djali i tij, kohëve të fundit ai ka qenë i qetë dhe nuk ka shfaqur shenja dhune”, tha ai.

20 vjeçari në gërmadhat e hotelit

Por, një rast tjetër i rëndë ka ndodhur në Mitrovicë. Ish-hotel “Adreatiku”, kishte filluar punimet në objekt, e ku sipas zyrtarëve komunale ishte bërë pa lejen e komunës.

Katër punëtorë kishin qenë në rrezik serioz. Tre prej tyre ishin larguar dhe një tjetër ishte zënë nga objekti.

Nehat Bahtiri, drejtor i për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës ka thënë gjatë ditës së sotme se pronari nuk kishte pa leje për rinovim.

“Zbrazëtira mes katit të parë dhe pllakës së shembur është shumë e vogël, aq sa është shpresa jonë që ai është në atë pjesë dhe është gjallë”.

“Unë nuk e di me çfarë logjike kanë rrënuar shtyllat të cilat kanë qenë në këtë objekt”, ka thënë ai.

Pronari i hotel “Adriatikut” në Mitrovicë nuk kishte leje për rinovim – ende po kërkohet 20-vjeçari

Kur kanë kaluar më shumë se pesë orë, i riu që dyshohet të jetë 20-vjeçar nuk është larguar ende nga gërmadhat.
Ndërkohë që nga jashtë shtetit, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka bërë thirrje të gjithëve që t’i dalin në ndihmë 20-vjeçarit që ka mbetur i ngujuar, megjithatë fati i 20-vjeçarit ende nuk dihet. Vazhdon të gjendjet diku nën rrënoja.

Shembja e një objektit në Fushë Kosovë

Por një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë. Edhe një herë është dëshmuar brishtësia e këtij sektori në vendin tonë, ku ka marrë disa jetë të punëtorëve.

Një ngjarje e tillë do të mund të përsëritej edhe sonte në Fushë Kosovë. Një objekt që ishte duke u ndërtuar dhe që është destinuar për qendër tregtare është shembur një pjesë e saj. Në këtë rast askush nuk është lënduar, pavarësisht se raportohej se kishte pasur punëtorë në atë objekt.

Policia e Kosovës ka dhënë detajet e fundit për Insajderin, pak çaste më parë.

“Rreth orës 20:30 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Elez Berisha’ në zonën industriale në Fushë Kosove, është shembur një pllakë  nga një ndërtesë e cila  është në ndërtim e sipër”.

“Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar. Lidhur me ketë ngjarje janë njoftuar institucionet kompetente”, ka thënë Ahmeti.

Kujtojmë po ashtu që një punëtor është lëndaur gjatë ditës së sotme në Gjakovë, pas shembjes së dheut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat