Përurohet objekti i ri i Ambulancave të reja specialistike në QKUK

Kosova

Përurohet objekti i ri i Ambulancave të reja specialistike në QKUK

Më: 7 maj 2019 Në ora: 14:54
Pamje nga takimi

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kanë përuruar sot objektin e ri të ambulancave të reja specialistike në QKUK, me ç’rast premtuan se do të ketë përmirësim të shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se e kanë për obligim që të ofrojnë shërbime shëndetësore më të mira për pacientët kosovar.

Veseli: Ka veç një fjalë me e thënë nga kjo vizitë, mirë, mirë shumë

“Ka veç një fjalë me e thënë nga kjo vizitë, mirë, mirë shumë, për vet faktin që diçka çka shihet nuk ka nevojë edhe të shtjellohet më tej, por edhe duhet të bëjmë edhe më shumë. Unë e përgëzoj ministrin dhe drejtorin për dinamikën që i kanë dhënë ndryshimeve pozitive në sistemin tonë të shëndetësisë, se është një nga pjesët më kryesore në të cilën e kemi obligim ndaj qytetarëve ta ndien vetën më të sigurt, ta ndien vetën më të rehatshëm në vendin e vet. Do të përmirësohen edhe më tepër, jam shumë i sigurt shërbimet shëndetësore do të jemi edhe më afër personelit mjekësor, i falënderoj një nga një prej tyre, vërtet është kënaqësi të vish t’i shohësh që për cdo ditë angazhohen për t’iu qenë afër hallexhinjve, për vet faktin se krejt ne çka vijmë këtu jemi hallexhinj dhe krijojmë shërbime të mira”, tha Veseli.

Veseli tha se institucioneve iu mbetet të bëhet edhe më shumë, pasi sipas tij ende vendi është mbrapa në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Kreu i Kuvendit është pyetur për raportimin e mediave se në dy degë të PDK-së aktivistët janë rrahur, por që nuk ka dashur që të përgjigjet.

Veseli: Pacientët do të kenë përkujdesje edhe më të mirë institucionale

“Kallxo për qytetarët tanë, në këtë rast kallxoni vetëm se mesazhi është pacientët do të kenë përkujdesje edhe më të mirë institucionale për aq sa doktorët, personelin shëndetësor i kemi më të mirin në Kosovë. Ta bëjmë këtë moment të promovimit të këtij sektorit të cili kemi shumë sakrifica, atë pjesën tjerët nuk e harrojmë”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, deklaroi se me investimet që po i bëjnë në QKUK po ndikojnë që të kthehet besimi i qytetarëve në shëndetësinë publike.

Ismaili: Po kthehet besimi në institucionet publike

“Jo shumë kohë më herët qytetarët kanë marrë shërbime nëpër podrume, kushtet kanë qenë të tmerrshme si për pacientin, po ashtu denigruese edhe për profesionistët shëndetësor. Pra, të dy palët kanë qenë të pakënaqur. Sot ajo që shohim është një nivel krejt tjetër i shërbimeve, por përpos që jepen shërbime në mënyrën më moderne, përpos që ulet koha e pritjes, përpos që nuk bredh pacienti lartë e poshtë çka është për mua si ministër i Shëndetësisë më rëndësi që kemi edhe rritje të shërbimeve. Pra, po kthehet besimi në institucionet publike, këto ambulanca specialistike kanë pasur diku rreth 250 pacientë në ditë, sot arrijnë nga 800 deri në 1 mijë pacientë në ditë. Kjo për mua tregon se investimet të cilat po i bëjmë  kanë një kthim edhe të besimit tek qytetarët tanë dhe po arrijmë t’iu japim shërbimet siç duhet”, tha ministri Ismaili.

Kreu i Shëndetësisë tha se nuk do të ndalen vetëm me këto investime, duke paralajmëruar se do të investojnë edhe në spitalet e tjera rajonale në Kosovë.

Ndërkaq, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se me këto ambulanca të reja qytetarët do të marrin shërbime më të mira, e në të njëjtën kohë tha se edhe personeli shëndetësor do të ketë kushte më të mira të punës.

Sejdiu: Qëllimi jonë është që të përmirësojmë kushtet për stafin dhe pacientët

“Është një moment shumë i rëndësishëm për shëndetësinë kosovare, ku tash bëhet promovimi i ambulancave të reja specialistike në QKUK. Ju e dini shumë mirë se ambulancat si kanë qenë më herët, kanë qenë nëpër podrume, pacientët tanë kanë bredhur me orë të tëra, me ditë të tëra pa marrë shërbime kualitative. Tani qëllimi jonë dhe i të gjithëve është që të përmirësojmë kushtet si për stafin, si për pacientët, por duke pasur gjithmonë në qendër pacientët. Është një e arritur ky projekt që ka zgjatur me vite, mirëpo është finalizuar shumë shpejt, është dhënë maksimumi”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat