Ish-kryeinspektori i dënuar, tani mund të kthehet i lirë në Kosovë

Kosova

Ish-kryeinspektori i dënuar, tani mund të kthehet i lirë në Kosovë

Më: 10 maj 2019 Në ora: 18:21
Nuredin Bislimi

Ish-kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Nuredin Bislimi, nga maji i këtij viti, mund të kthehet lirisht në Kosovë, pa u rrezikuar që do të prangoset apo që do të shkojë në vuajtje të dënimit.

Gjykata Themelore në Pejë, në janar të vitit 2014, Bislimin e kishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv dhe dy mijë euro gjobë, për marrje të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, pasi ishte shpallur aktgjykimi ndaj tij, organet e drejtësisë nuk kishin arritur që ta ekzekutonin dënimin me burgim, pasi që Bislimi ishte arratisur nga Kosova.

Pavarësisht, që ishte dënuar për vepra penale të korrupsionit, ai tashmë mund të kthehet në Kosovë, pasi që ndaj tij ka arritur parashkrimi i ekzekutimit të dënimit me burg, për shkak të kalimit të afatit prej katër vjetësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit ndaj tij.

Parashkrimi i ekzekutimit të këtij dënimi, është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

“Me datë 08.05.2019, Gjykata Themelore në Pejë ka marrë aktvendim për parashkrim të ekzekutimit të dënimit ndaj të dënuarit Nuredin Bislimi”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Zhuti.

Ndryshe, emisioni “Betimi për Drejtësi”, në prill të këtij viti, e kishte hulumtuar këtë rast.

Bislimi akuzohej se më 8 nëntor të vitit 2013, në fshatin Grabanicë të Komunës së Klinës në cilësinë e kryeinspektorit të Komisionit për Miniera dhe Minerale kishte kërkuar ryshfet nga pronari i separacionit “Elezaj”, gjegjësisht nga i dëmtuari Bedri Elezaj, në shumën prej një mijë euro, siç thuhej në aktakuzë, për ta lejuar vazhdimin e punës, pasi më përpara ia kishte ndaluar.

Për këtë akuzë, Nuredin Bislimi kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Pejë, e cila më pas ishet aprovuar edhe nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas kësaj marrëveshje, Bislimi ishte pajtuar që të pranojë fajësinë në këmbim të dënimit me burgim prej 6 deri në 12 muaj burgim, dhe dënim me gjobë prej 1500 deri 2000 euro si dhe ndalim të ushtrimit të detyrës.

Ish-kryeinspektori i KPMM-së, më pas për veprën penale të marrjes së ryshfetit, më 22 janar 2014, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, me 10 muaj burgim dhe 2000 mijë euro gjobë, si dhe me dënimin plotësues, ndalim i ushtrimit të detyrës ose veprimtarisë në afat prej tre vjetësh.

Duke e shprehur pakënaqësinë ndaj këtij aktgjykimi, Bislimi kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Gjithsej lidhur me këtë çështje penale ishin marrë tre vendime gjyqësore, dy në Gjykatën e Apelit dhe një në Gjykatën Supreme.

Sipas aktvendimit të parë të Gjykatës së Apelit të 13 tetorit 2014, ankesa e Nuredin Bislimit ishte hedhur poshtë si e palejuar, por që kjo më pas ishte anuluar nga Gjykata Supreme, e cila kishte obliguar Apelin të vendos meritorisht lidhur me ankesën e tij.

Gjykata e Apelit, më 7 maj të vitit 2015, kishte vërtetuar dënimin prej 10 muaj burgim dhe dy mijë euro gjobë ndaj Nuredin Bislimit dhe kishte ndryshuar vetëm dënimin plotësues sa i përket ndalimit të ushtrimit të detyrës në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Aktgjykimi dënues ndaj Bislimit kishte marrë formën e prerë më 7 maj 2015, nga e cila datë fillon edhe parashkrimi i ekzekutimit të dënimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat