Certifikohet lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet në veri

Kosova

Certifikohet lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet në veri

Më: 13 maj 2019 Në ora: 14:07
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot certifikoi listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat mbahen më 19 maj.

Lista përmban 57 mijë e 983 emra të votuesve, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017. Lista votuese bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil, i cili përpilohet nga Agjencia e Regjistrimit Civil.

Të drejtë vote në Leposaviq kanë 18.164 qytetarë në 18 qendra votimi me gjithsej 31 vendvotime. Në Zubin Potok numri i votuesve është 8.535, të cilët do të kenë të drejtën të votojnë në 12 qendra votimi me gjithsej 16 vendvotime.

Në Zveçan të drejtë vote janë 9.229 qytetarë që mund të votojnë në 7 qendra votimi dhe 27 vendvotime, ndërsa në Mitrovicën e Veriut janë 22.055 qytetarë, 44 qendra votimi dhe 87 vendvotime.   

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri mbahen pasi kryetarët e këtyre komunave nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat