Raporti për burgjet: Të burgosurit në Kosovë ende keqtrajtohen - Bota Sot
Raporti për burgjet: Të burgosurit në Kosovë ende keqtrajtohen

Kosova

Raporti për burgjet: Të burgosurit në Kosovë ende keqtrajtohen

Më: 14 maj 2019 Në ora: 11:29
Foto

Mungesa e qëndrueshmërisë menaxheriale në ShKK, jo-funksionalizimi i të gjitha hapësirave dhe kapaciteteve ekzistuese në ShKK, mbipopullimi i qendrave të paraburgimit, mungesa e kategorizimit të mirëfilltë dhe planit të vuajtjes së dënimit për të dënuarit, prania e dukurisë së kontrabandës me mjete të ndaluara, vendosja dhe trajtimi i kryerësve me çrregullime mendore janë disa nga sfidat dhe mangësitë kryesore me të cilat përballen institucionet korrektuese të Kosovës.

Kështu u tha në konferencën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me rastin e prezantimit të raportit vjetor “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese”, ku njëherësh u evidentuan edhe të arriturat dhe përmirësimet që kanë arritur institucionet e shërbimeve korrektuese të Kosovës, gjatë vitit të kaluar.

 Drejtoresha ekzekutive në QKRMT, Feride Rushiti, tha se raporti i prezantuar sot, paraqet punën 11 vjeçare të realizuar brenda këtyre institucioneve.

Rushiti, theks të veçantë i kushtoi nevojës për monitorues të jashtëm në shërbimet korrektuese, për të cilët tha se luajnë një rol shumë të rëndësishëm në raportimin e parregullsive tek Ministria e Drejtësisë.

"Sot shërbimi korrektues ka bërë një përparim sidomos në përmirësimin e kushteve fizike. Shumë projekte e iniciativa janë duke u realizuar, ndërsa ka pasur avancim edhe në Kornizën ligjore, kurse një zhvillim ka pasur edhe në avancimin e protokolleve dhe transferimin e shëndetësisë nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Drejtësisë", u shpreh ajo.

 Këshilltari i ministrit të Drejtësisë, Altin Ademi, tha se raporti është një pasqyrë e asaj se ku gjendet Kosova në këtë fushë.

Sipas tij, MD është e përkushtuar për një sistem korrektues efikas, teksa u shpreh se do t'i marrin parasysh rekomandimet e dala nga raporti në fjalë, si pjesë të politikbërjes.

Ai u shpreh optimist se raporti i QKRMT-së, vitin e ardhshëm, do të jetë vetëm me 5-6 faqe.

 "Burgjet tona nuk janë as për së afërmi me atë që kanë qenë në të kaluarën. Do të thotë është bërë një proces i jashtëzakonshëm. Raporti nxjerrë edhe sfidat, por janë raste të izoluara. Vërehet se kemi një shërbim efikas. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se ka ende sfida dhe ne jemi këtu t'i identifikojmë dhe t'iu japim një zgjidhje", tha ai.

Rasim Selmani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, u shpreh se çështja e të drejtave të njeriut është primare për ta. Ai tha e Shërbimi Korrektues ka bërë një avancim të hapur, duke u mundësuar të burgosurve që të komunikojnë me familjarët e tyre përmes Skype, që sipas tij, mundëson një socializim më të lehtë të tyre kur të lirohen.

"Tash ne e kemi një program të aplikimit që po praktikohet në Vushtrri, ku stafi ynë që hynë në sistem, i nënshtrohet nja trajnimi 7 mujor, ku një pjese të rëndësishme zë aftësimi profesional i stafit për të drejtat e njeriut. Ka shumë sfida, dhe ato mund të vijnë çdo ditë, dhe për këtë ne kemi bërë hapa konkret të cilët do të vazhdojnë edhe më tutje në këtë drejtim, për rehabilitimin e të burgosurve", tha ai.

 E Alban Muriqi, i cili prezantoi të gjeturat nga raporti monitorues tha se ka ende raste kur të burgosurit keqtrajtohen, dhe për këtë ai theksoi se duhet te veprojnë me efikasitet të gjitha institucionet. Ai tha se janë përmirësuar kushtet materiale dhe të banimit. Theksoi se nuk ka mbipopullim porse ka mungesë të kategorizimit, si dhe shtoi se mungojnë programe dhe ri-socializimi, për shkak të pamundësisë për aktivitete të punës.

 "Stafi korrektues ende mund të përdorë forcën fizike, presionin, sidomos në burgun e Dubravës. Ne kërkojmë që mekanizmat e raportimit të jenë të vendosura në mënyrën e duhur ku të burgosurit mund të raportojnë këto probleme”, tha Muriqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...