Nëse nuk ndodh punësimi i obiliqasve në KEK, qytetarët do të vazhdojnë me protesta

Kosova

Nëse nuk ndodh punësimi i obiliqasve në KEK, qytetarët do të vazhdojnë me protesta

Më: 14 maj 2019 Në ora: 15:01
Ilustrim

Kuvendi Komunal i Obiliqit ka diskutuar sot në një seancë të jashtëzakonshme për mos implementimin e Ligjit të Obiliqit dhe moszbatimin e vendimit të Qeverisë për dhënie të përparësisë për punësimin e banorëve të kësaj ane në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Pozita dhe opozita u pajtuan për ngritje të një padie për KEK-un përmes të cilit kërkohet pezullim i vendimit të konkursit të fundit në këtë ndërmarrje, ndërsa u paralajmëruan protesta nëse nuk implementohet Ligji për Obiliqin sa i përket përparësisë së obiliqasve për punësim në KEK.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi tha se Korporata Energjike e Kosovës nuk po e zbaton Ligjin për Obiliqin, i cili ka hyrë në fuqi këtë vit dhe as vendimin e Qeverisë për dhënies të përparësisë për punësim në këtë korporatë obiliqasve.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të marrë masa ndaj menaxhmentit të KEK-ut për mos respektimin e Ligjit të Obiliqit, dhe vendimeve të saj.

I pari i Obiliqit tha se nëse dalin qytetarët e komunës së tij të protestojnë, do t’u bashkohet edhe ai.

Gashi: Do t’i drejtohem gjykatës me padi për pezullim të vendimit të konkursit në KEK

“Nesër më së voni do i drejtohemi gjykatave përgjegjëse me padi për pezullim të vendimit të shpallur të konkursit të fundit të KEK-ut me synim që të rishikohen të gjithë ata që kanë aplikuar, dhe ne do të bazohemi në këto vendime dhe Ligjin e Obiliqit në padinë që do e bëjmë si palë e tretë...E lus Qeverinë në këtë rast  Haradinajn, ministrin Lluka, menaxhmentin e KEK-ut që të reflektojnë pozitivisht se 72 për qind e territorit tonë po e shfrytëzojnë pamëshirshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe shpresoj të ketë mirëkuptim, në të kundërtën nëse qytetarët do të jenë në rrugë, me siguri që edhe unë do të jemi me ta”, tha ai.

Seancën e sotme mashtrim për qytetarët e Obiliqit e ka quajtur shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Aziz Bici i cili pati një përplasje me të parin e kësaj komune, për çka e akuzoi për punësime partiake.

Bici: Ne mendojmë se kjo seancë është manipulim me qytetarët e Obiliqit

“Edhe pse ne si Lëvizje Vetëvendosje mendojmë se është pjesë e manipulimit të qytetarëve të Obiliqit e drejta e punësimit është ndër të drejtat më të rëndësishme dhe të ndjeshme për të gjithë banorët e Kosovës, posaçërisht të Obiliqit, probleme e shqetësime dhe shumë padrejtësi që rezultojnë nga nepotizmi dhe keq menaxhimi nga qeverisja lokale qendrore. Ku i bazuat premtimet tuaja për punësim gjatë fushatës zgjedhore, si pati mundësi të punësohen familjarët tuaj si vëllai juaj Enveri, pastaj djali i Hysni Mjekut, kolegut tonë deputet”, tha Bica.

Në replikën e tij i pari i Obiliqit, Xhafer Gashi tha se vëllai i tij për shumë vite ka dhënë kontributin në KEK, dhe ftoi për unitet pozitën dhe opozitën duke anashkaluar dallimet politike, pasi bëhet fjalë për një problem të ndjeshëm për obiliqasit.

Në këtë seancë, Armend Rushiti nga Lëvizja për Bashkim tha se për punësimet në KEK nga ana e banorëve të Obiliqit po hasin në pakënaqësi të shumta, e krejt kjo sipas tij po ndodh për shkak të premtimeve të pazbatueshme të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit Xhafer Gashi, derisa reagimin e ekzekutivit të Obiliqit e ka konsideruar të vonuar.

Rushiti: Reagimi i qeverisjes lokale kundër KEK-ut, i vonuar

“Premtimi i dhënë është dashur të fillojë moti të zbatohet ngase fshatarët kanë lënë vendlindjet e tyre për interesa shumë më të mëdha sesa familjare, interesa këto shtetërore, populli do mirëqenie sociale dhe familjare dhe një e drejtë themelore është punësimi e që i takon me ligjin për Obiliqin e jo vetëm asfalti dhe trotuari. Reagimi i qeverisjes lokale kundër KEK-ut është shumë i vonshëm dhe duhet kërkuar lartë në nivelin qendror, ngase KEK-u është aset i Qeverisë, por si duket ka hasur diku tehu në gozhdë apo nuk janë bërë mirë planet. Propozoj që të ngritet një padi në gjykatë për punësimet e fundit që janë bërë në KEK”, tha Rushiti.

Shefi i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaip Paloja tha se në Obiliq po bëhen degradime të mëdha që po i pësojnë pastaj qytetarët.

Paloja: Ligji për Obiliqin fatkeqësisht nuk gjen zbatim

“Ligji për Obiliqin, fatkeqësisht, nuk po gjen zbatim ose pjesërisht aty ku dikujt po i konvenon. Fatkeqësisht, dikush mendon që ky ligj është një dhuratë për banorët e  Obiliqit dhe nuk mund të jetë ashtu se komuna e Obiliqit dhe banorët e saj u bëhen degradime të mëdha edhe në mihje, edhe te termocentrali”, tha Paloja.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme prezent munguan asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa të pranishëm ishin banorë të Hades, Shipitullës e fshatrave tjera përreth.

Në emër të banorëve të fshatit Hade foli Labinot Mirena, i cili paralajmëroi protesta nëse nuk përmbushen premtimet për punësim.

Mirena: Ne do të jemi në protestë derisa të përmbushen premtimet e dhëna

“Këtu është shkelur Ligji për Obiliqin, janë shkelur dy vendime të kryeministrit Haradinaj për punësim të Hades dhe Shipitullës, kryetar ndoshta është mbledhja e fundit që banorët e Hades dhe Shipitullës marrin pjesë këtu, tjetrën herë ne jemi në protestë dhe nuk e lëshojmë rrugën derisa të kryhen premtimet tona prej Qeverisë, sepse nuk shkon më kështu”, tha Mirena.

Në emër të banorëve të fshatit Shipitull , Shaban Krasniqi paraqiti shqetësimet lidhur me konkursin e KEK-ut dhe diskriminim që po u bëhet obiliqasve.

Krasniqi: Asnjëherë nuk kemi gjetur zgjidhje me KEK-un për punësim

“Asnjëherë nuk kemi mundur me gjet zgjedhjen me KEK-un rreth zhvendosjes në mënyrën më të mirë si duhet, ne si banorë të Hades dhe Shipitullës kemi pasur kërkesat tona minimale vetëm e vetëm që mos të ndalet prodhimi që mos të blihet rryma. Kërkesa tona kanë qenë decidive, punësimi edhe modeli i lagjes Shala si është bërë zhvendosja atje, prandaj me KEK-un për punësim asnjëherë nuk kemi mundur me u marr vesh kanë thënë gjithmonë ne si KEK nuk mund me lejua punësim”, tha ai.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj me ardhjen e tij në këtë pozitë u kishte premtuar banorëve të Shipitullës dhe Hades shpronësim të shpejtë, si dhe punësimin e nga një anëtari të familjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat