Shala: Kemi nevojë për një sistem metrologjik të njohur në nivelin ndërkombëtar

Kosova

Shala: Kemi nevojë për një sistem metrologjik të njohur në nivelin ndërkombëtar

Më: 17 maj 2019 Në ora: 12:55
Endrit Shala

Mos anëtarësimi i sistemit metrologjik të Kosovës në nivelin ndërkombëtar po pamundëson konkurrencën e brendshme dhe të jashtme të bizneseve që operojnë në vend.

Për të evituar këtë problem, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka aplikuar për anëtarësim në Byronë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave (BIPM).

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se vendi ka nevojë të ketë një sistem metrologjie të njohur në nivelin ndërkombëtar, prandaj anëtarësimi i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) në BIPM është i një rëndësie të veçantë.

Këtë deklaratë ministri Shala e bëri me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Metrologjisë, ku theksoi se nevojitet ndihma e miqve që AMK të jetë shtyllë e Republikës së Kosovës.

Ai tha se fuqizimi i mëtutjeshëm i metrologjisë kosovare është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të përmbushur kriteret e parapara me MSA dhe ERA e mbi të gjitha për të rritur standardin e jetës së qytetarëve.

Shala: Kemi miratuar ligjin e ri të Metrologjisë

“Ne, tashmë kemi miratuar ligjin e ri të Metrologjisë, dhe jemi në proces të hartimit të akteve nënligjore në mënyrë që të implementojmë këtë ligj të standardeve të BE-së sa më mirë që është e mundur. Për më tepër, me ndihmën e Bankës Botërore ne jemi duke rehabilituar tashmë edhe një objekt të MTI-së që deri tash ka qenë i pa shfrytëzuar dhe besojmë që gjatë vitit të ardhshëm do të krijohen edhe kushtet fizike dhe teknike që secili kriter ligjor i paraparë të jetësohet në atë që ne po e quajmë Qendra Kombëtare e Cilësisë së Kosovës”, tha Shala.

Ai bëri të ditur se gjatë fund vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti kanë nisur inspektimet e paparalajmëruara për matjen e peshës së bukës, me qëllim kryesor mos lejimin e mashtrimit për qytetarët e vendit.

Teksa bëri të ditur se me qëllim të përkrahjes të bizneseve vendore kanë aplikuar për anëtarësim në Byronë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave.

Shala: Nuk do të lejojmë asnjë mashtrim për qytetarin e Republikës të Kosovës

“Tashmë nuk do të lejojmë asnjë mashtrim për konsumatorët, asnjë mashtrim për qytetarët e Republikës së Kosovës. Me qëllim që Kosova të jetë një vend i suksesshëm në zhvillimin dhe përkrahjen e bizneseve, të cilat do të mund të jenë pastaj konkurrente në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, ka nevojë që të ketë një sistem metrologjie të njohur në nivelin ndërkombëtar. Ne tashmë, kemi aplikuar për anëtarësim në BIPM, byronë ndërkombëtare të peshave me lokacion në Paris, një anëtarësim i tillë do të ishte shumë i mirëseardhur për vendin tonë, dhe në këtë pikë na duhet ndihma e miqve që kjo agjenci, AMK, të jetë shtyllë në kujdesin për konsumatorin tonë”, tha ministri Shala.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i AKM-së, Ferki Fejza, u shpreh optimist se agjencia që ai e udhëheq do të anëtarësohet deri në fund të këtij viti në BIMP. Ai tha se Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është i vetmi agjencion përgjegjës për fushën e metrologjisë dhe metaleve të çmuara.

Fejza: AMK shënon Ditën e Metrologjisë si një institucion i konsoliduar

“Kjo agjenci (AMK) është e organizuar dhe funksionon në bazë të ligjit të metrologjisë si dhe akteve nënligjore nga ky ligj. Baza ligjore aktuale për zhvillimin e sistemit të metrologjisë në Kosovë është e mbështetur në dy ligje: në ligjin për metrologjinë dhe në ligjin për punimet e metaleve të çmuara. AMK aktualisht është e organizuar në dy drejtori dhe dy sektor. Aktualsiht funksionojnë 7 laboratorë. 8:45 AMK shënon Ditën e Metrologjisë si një institucion i konsoliduar në ngritjen e kapaciteteve”, bëri të ditur Fejza.

Kurse përfaqësuesi i projektit të Bankës Botërore, Gazmend Mejzini, tha se prodhimi i mallrave dhe shërbimeve që plotësojnë standardet ndërkombëtare janë mënyra më e mirë që kompanitë vendore të konkurrojnë për të zënë vend në hapësirën globale. Teksa foli për projektin.

Mejzini: Do t’i reduktojmë kostot e marrjes së raporteve dhe certifikatave të njohura ndërkombëtarisht

“Përpos anëtarësimit në BIPM dhe forumin Ndërkombëtar për Akreditim për bashkëpunim të laboratorëve, gjithashtu do të bëjmë përpjekje që të ndihmojmë në laboratorët ekzistues të brendshëm, dhe që të njihen nga tregjet me vlerë të lartë, siç janë BE, dhe kështu t’i reduktojmë kostot e marrjes së raporteve dhe certifikatave të njohura ndërkombëtarisht, të cilat kompanitë tona duhet t’i sigurojnë në mungesë të institucioneve të njohura, ose të akredituara”, tha Mejzini.  

Në fund, ministri Shala tha se në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Kosova do të marrë masat e nevojshme në mënyrë që gradualisht të arrijë përputhshmërinë me legjislacionin horizontal dhe sektorial të BE-së për sigurinë e produktit dhe të sjellë infrastrukturën e cilësisë, siç janë procedurat Evropiane të standardizimit, metrologjisë, akreditimit dhe vlerësimit të konformitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat