Largimi i ngadaltë nga homofobia

Kosova

Largimi i ngadaltë nga homofobia

Më: 17 maj 2019 Në ora: 16:04
Pjesëmarrësit në Paradën e parë të Krenarisë të mbajtur në Prishtinë, valëvisin "Flamurin e Ylberit". Prishtinë, dhjetor, 2017.

Kosova po shënon disa përparime të ngadalshme në qasjen ndaj komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor). Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, e që në Kosovë shënohet që nga viti 2007.

Në vitin 2017, Kosova doli të ishte vendi me homofobinë më të madhe në gjithë rajonin e Ballkanit, por një gjendje e tillë nuk është më, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Blert Morina, i takon komunitetit transgjinor. Ai kërkon që pjesëtarët e komunitetit LGBT të trajtohen njësoj si edhe të gjithë personat tjerë në shoqëri.

“Personat e komunitetet LGBT duhet të trajtohen mirë dhe duhet t’i kenë të drejtat e njeriut dhe të trajtohen me barazi, siç ndodhi në Kodin Penal, e njëjta duhet të bëhet edhe në Kodin Civil. Për një periudhë disa vjeçare kemi parë që shoqëria në Kosovë ka dhënë kontribut të madh në rritjen e barazisë”, tha ai.

Nita Luci, antropologe, njëherësh anëtare e bordit në Qendrën për Liri dhe Barazi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova si shtet ka ligje dhe politika të mira dhe del se nuk është shtet homofobik, pasi ligjet janë në përputhshmëri me kërkesat e Bashkimit Evropian, dhe disa prej parimeve dhe kritereve më të gjera për liritë e njeriut në përgjithësi. Por, në praktikë, thotë ajo, është ndryshe.

“Shoqëria është homofobike. Ne si antropolog, por edhe si studiues të shoqërisë dhe kulturës, lidhjet me mënyrën se si përkufizohet familja, përkufizohet përkatësia jonë në komunitet, ku përparësi ka gjithsesi ajo ideja e komunitetit kombëtar. Dhe konceptimi që e kemi për kombin për familjen, ai konceptim është hetero-normativ, në kuptimin që heteroseksualiteti shihet si normë natyrale, derisa të tjerat, si homoseksualiteti ose identifikimet tjera gjinore ose seksuale, shihen si anormale”.

“Kur janë të normuara edhe nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe shoqërore, atëherë ato prodhojnë përjashtime të mëdha dhe prodhojnë dominim, por edhe dhunë shpeshherë”, tha Nita Luci.

Në anën tjetër, Arbeni (emri i njohur për redaksinë), i cili i përket komunitetit homoseksual, tha se shoqëria është homofobe, dhe vetëdijesimi i tyre që komuniteti LGBT të jetojnë ashtu si ka zgjedhur, po shkon me hapa të ngadalshëm.

“Mendoj se jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin, edhe në Evropë, problemi i homofobisë është prezent. Sa herë ne po mundohemi që shoqëria të jetë e vetëdijshme për komunitetin LGBT dhe të ecim një hap para, kjo po shkon me hapa të ngadalshëm”.

“Ne si organizatë nuk kemi bërë ndonjë hulumtim lidhur me homofobinë, por duke u bazuar me ato që kanë qenë nga viti 2018 e poshtë, rezultatet kanë qenë shumë të këqija. Pra, mendoj se përqindja e atyre që nuk do të jenë homofob do të shkojë me hapa të ngadalshëm, derisa njerëzit ta kuptojnë pse një person LGBT duhet t’i ketë të drejtat e veta”, tha ai.

Me mesazhe e aktivitete kundër homofobisë, mjaft aktivë janë edhe ambasadorët dhe diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, tha se secili vend e ka të drejtën t’u ofrojë qytetarëve të tyre të drejtën për liri dhe jetesë të dinjitetshme, dhe se edhe komunitetit LGBT duhet t’i ofrohet kjo mundësi.

“Anembanë botës bëhet përpjekje për barazi , por ende njerëzit e komunitetit LGBTI parandalohen dhe përballen me dhunë, përjashtime, kanosje. Në Kosovë përkundër Kushtetutës e që ofron mbrojtje përgjithë qytetarët, komuniteti LGBT ende lufton për të vendosur të drejtat e veta dhe kjo përpjekje po shpaguhet, sepse sukseset e fundit kanë treguar pranim me të madh të këtij komuniteti”, tha ambasadori Kosnett.

Ndërkaq. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian , Federica Mogherini, ka deklaruar se “miratimi i fundit i Udhëzimeve të BE-së për të Drejtat e Njeriut për Mosdiskriminimin, përforcon udhëzimet ekzistuese të BE-së për të promovuar dhe mbrojtur gëzimin e të gjitha të drejtave të njeriut nga personat LGBT”.

“Mbrojtësit e të drejtave të panumërta LGBT që punojnë për të sfiduar padrejtësinë dhe për t'u dhënë një zë atyre që vuajnë nga shtypja dhe diskriminimi, përballen shpesh me sulme në Evropë dhe në shumë pjesë të botës’’, ka thënë Mogherini.

Sidoqoftë, Kosova ka shënuar përparim të ngadalshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi. Këtë konstatim e ka nxjerr edhe këtë vit organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch. Sipas kësaj organizate, raportet ndëretnike, respektimi i të drejtave të komuniteteve jo shumicë, dhuna në familje, gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT dhe liria e mediave, janë ndër problemet kryesore me të cilat përballet Kosova në fushën e mbrojtjes të së drejtave të njeriut./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat