Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, mbillen fidanë e vendosen shporta të mbeturinave në Plemetin

Kosova

Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, mbillen fidanë e vendosen shporta të mbeturinave në Plemetin

Më: 22 maj 2019 Në ora: 17:59
“Let’s Do It”

Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, në Fshatin Plemetin të Obiliqit janë mbjellë 75 fidanë, si dhe janë vendosur dhjetëra shporta për hedhjen e mbeturinave.

Këtë aktivitet, “Let’s Do It” e realizoi në bashkëpunim me UNKT/UNDP, Komunën e Obiliqit si dhe Kosovo CSR.

Në aktivitetin e sotëm te ‘Banesat Kolektive’ në Plemetin – të banuara me pjesëtarë të Komunitetit Rom – përveç ekipit të “Let’s Do It”, morën pjesë edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ambasadorë, deputetë e zyrtarë komunal së bashku me kryetarin Xhafer Gashi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, nga Plemetini u bë thirrje për mirëmbajtjen dhe gjelbërimin e hapësirave publike afër lagjeve ku jetojmë.

Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj ka thënë se kjo është hera e pestë që ekipi i Organizatës realizon aktivitete në këtë fshat.

Sipas tij, kohëve të fundit është ngritur vetëdija e qytetarëve që jetojnë aty për ruajtjen e pastërtisë.

“Është hera e 5 që vi personalisht me bë diçka në këtë zonë. Ka filluar të përmirësohet situata. Kemi qenë edhe para një muaj në një aksion pastrimi këtu, dhe nuk ishte shumë keq. Shihet se ka pak rritje të vetëdijes të komunitetit këtu që ta mirëmbajë këtë zonë. Çështja e mjedisit është diçka që duhet të shihet si diçka afatgjate dhe planet e qeverisë, të komunave dhe të gjithëve duhet të orientohen te një zhvillim i qëndrueshëm, i cili është i ndarë në faza dhe i cili nuk gabon në hapa”, ka thënë Hasanaj.

E, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se nuk mund të ketë mjedis të pastër në Kosovë, pa një Obiliq të pastër, derisa shtoi se do të vazhdojë ndihma për këtë komunë.

“Kosova do të jetë ambientalisht mirë kur Obiliqi të jetë ambientalisht mirë. Vetëm gjatë ditës së djeshme kemi nënshkruar marrëveshje për ta mbështetur një projekt në komunën e Obiliqit me vlerë 250 mijë euro. Fokusi ynë tashmë është në krijimin e infrastrukturës për grumbullim dhe menaxhim të mbeturinave”, ka thënë Matoshi.

Gjithëpërfshirje në aksione të tilla kërkoi shefja e Zyrës së Koordinatores Zhvillimore të OKB- së në Kosovë, Ulrika Richardson.

Sipas saj, kjo është mënyra e vetme për të përmirësuar gjendjen e mjedisit.

“Unë jam e lumtur t’i shoh këto aktivitete dhe kaq shumë fëmijë. Dua të theksoj një gjë që e vetmja mënyrë për të përmirësuar mjedisin është të përfshihen të gjithë të pranishmit që sot janë këtu, siç janë fëmijët këtu, përfaqësuesit e institucioneve, përfaqësuesit e komunitetit, të gjithë duhet të përfshiheshin, përndryshe kjo nuk funksionon. Sot është Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, dhe biodiversiteti është domosdoshmëri. Nëse nuk ka biodiversitet nuk ka as jetë, as kapacitet mundësi për jetë”, ka thënë Richartson.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi të gjitha institucionet që iu janë bashkuar aksionit të sotëm, derisa kritikoi KEK’un se nuk po bën asgjë për gjelbërimin e hapësirave të dëmtuara.

“KEK-u 72 % të territorit e shfrytëzon për prodhim të energjisë elektrike dhe po e shihni se sot s’janë prezent me neve. Komunën e obligon edhe Ligji për Obiliqin për krijimin e zonave të gjelbra dhe nga 2017 që kur është fut në fuqi ligji, komuna ka filluar edhe ta implementojë ligjin”, ka thënë Gashi.

Për problemin e mjedisit në Kosovë duhet të vetëdijesohen të gjithë, ka thënë deputetja Mimoza Kusari Lila nga Grupi Parlamentar i të Gjelbërve.

“Është koha e fundit për veprime konkrete dhe natyrisht sensibilizimi është gjithmonë faktor i rëndësishëm” ka thënë Kusari – Lila.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme është ambasadorja suedeze, si dhe përfaqësues nga ambasada franceze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat