Asnjë njohje e re e shtetit që nga shkurti i 2018’s, Ministria e Jashtme arsyetohet

Kosova

Asnjë njohje e re e shtetit që nga shkurti i 2018’s, Ministria e Jashtme arsyetohet

Më: 23 maj 2019 Në ora: 21:40
Foto ilustrim

Ishujt Barbados ishin të fundit që njohën pavarësisë e Kosovës, më 15 shkurt të vitit 2018.

Kështu, numri i njohjeve shkoi në 116.

Prej atëherë është bërë më shumë se një vit, qëkur Kosovës nuk i erdhi më asnjë njohje.

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, thotë se njohjet nuk kanë ardhur shkaku i performancës së dobët të Ministrisë së Punëve të Jashtme, raporton KTV.

Sipas saj, nga kaosi që aktualisht është në vend, sukses konsiderohet që të mos ketë tërheqje të njohjeve.

Por, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Emrush Ujkani, thotë se, në fakt, njohjet për Kosovën janë ndalur për shkak se ende nuk ka një marrëveshje me Serbinë.

Sipas tij, Serbia, kështu e ka shfrytëzuar momentin për diplomaci agresive.

E, tërheqja e njohjeve, sipas Arton Musliut, Kosovës ia rrezikon krijimin e kaosit total në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por, në një përgjigje të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se po punohet vazhdimisht për sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën.

Sipas MPJ-së, së fundmi, për vizitë në Kosovë ka qenë zëvendëspresidenti i Kenias dhe kryetari i Parlamentit të Etiopisë, dhe vizitat e tyre tregojnë qasjen e suksesshme diplomatike të aplikuar me këto vende afrikane.

Tutje, sipas MPJ-së, propaganda serbe është zhvilluar në shumë vende të botës, porse tashmë ky është kapitull i mbyllur dhe i dështuar i Serbisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, u raportua për tërheqjen e njohjes nga Ishujt Solomon dhe vendimi i ishte komunikuar Ambasadës së Kosovës në Canberra të Australisë.

Ishujt Solomon, shtet sovran në Oqeani, e kishte njohur Kosovën në gusht të vitit 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat