Studentët në marsh, për të mbështetur iniciativën e Veselit për Tribunalin për gjenocidin serb

Kosova

Studentët në marsh, për të mbështetur iniciativën e Veselit për Tribunalin për gjenocidin serb

Më: 23 maj 2019 Në ora: 21:48
Kadri Veseli

Organizatat Studentore të Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Prizrenit, Universitetit të Gjilanit, Universitetit të Pejës, Universitetit të Mitrovicës dhe Universitetit të Gjilanit kanë dalë me komunikata publike, duke i bërë thirrje Kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe Kuvendit të Kosovës e organeve të drejtësisë që të mos ndalet iniciativa për formimin e Tribunalit për gjenocidin serb dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

“Në emër të Parlamentit studentor të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, inkurajojmë institucionet e drejtësisë, Kuvendin e Kosovës dhe organet tjera relevante që te mos ndalet lufta ndaj gjenocidit serb dhe luftës kundër korrupsionit në Kosovë. Kërkojmë që si Parlament studentor, të krijohet Tribunali duke e parë që shumë nga kolegët tanë kanë humbur më të dashurit e tyre në luftë, kemi shume kolegë e kolege që janë nga familjet e dala nga lufta”, thuhet në faqen zyrtare në Facebook të Parlamentit Studentor “Hasan Prishtina”.

Ndërsa, Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren u ka bërë thirrje deputetëve nga gjitha partitë politike që t’i lënë anash fushatat denigruese ndaj njëri-tjetrit e ti shtyjnë përpara vendimet në interes të qytetarëve.

“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të shumë zhvillimeve shqetësuese në vendin tonë, të cilat për qëllim kryesor kanë pasur dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe në veçanti vlerave të luftës. Ne si studentë do t’i përkrahim iniciativat e kujtdo qe kanë për qëllim zbardhjen e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë dhe do të ndihmojmë me çfarëdo lloj aktiviteti që kjo e vërtetë të zbardhet njëherë e përgjithmonë”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor të Prizrenit.

Të enjten gjatë ditës në mbështetje të iniciativës për formimin e Tribunalit ka dalë edhe Parlamenti Studentor nga Universiteti ”Haxhi Zeka” në Pejë.

“Inkurajojmë deputetët e Kuvendit të Republikës se Kosovës të përkrahin këtë nismë unanimisht dhe pa dallime. Gjithashtu ftojmë organet e drejtësisë në Kosovë të luftojnë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe njëkohësisht ofrojmë përkrahjen tonë të pa rezervë lidhur me të dyja këto çështje aktuale në Kosovë”, thuhet në faqen e Parlamentit Studentor të Pejës.

Edhe Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” ka dalë të enjten në mbështetje të iniciativës për Tribunalin për gjenocidin serb.

“Tutje, konsiderojmë se etiketimet dhe konspiracionet e liga të bëra ditëve të fundit ndaj themeluesve të UÇK-së që njëherazi janë edhe ideator për themelimin e Tribunalit të lartcekur, nuk i shërbejnë skenës politike dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat evropian dhe ndërkombëtar. Prandaj, kërkojmë intervenim ligjor urgjent dhe objektiv nga organet ligjzbatuese që të ndalin çdo shantazh dhe prishje të imazhit të Kosovës dhe bartësve të institucioneve të Kosovës. Parlamenti Studentor është në koordinim e sipër me organizimet studentore të bartësve të arsimit të lartë në Kosovë me qëllim që të organizojë një marsh paqësor që do të ketë qëllim kryesor mbështetjen ndaj Kuvendit të Kosovës për themelimin e Tribunalit që do të gjykoj gjenocidin serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor të Mitrovicës në faqen e tij në Facebook.

Ndërsa, Parlamenti Studentor i Universitetit të Gjakovës ‘’Fehmi Agani’’ kanë bërë thirrje që Tribunali për gjenocidin serbë të miratohet me urgjencë, për t’i dhënë përgjigjet e duhura kriminelëve serbë të krimeve të kryera gjatë luftës.

“Studentët e Universitetit të Gjakovës rekomandojnë deputetët e Kuvendit të Republikës se Kosovës qe ta përkrahin një iniciativë të tillë. Gjithashtu duke shprehur shqetësim të thellë, ftojmë dhe inkurajojmë Institucionet e Republikës se Kosovës të ndërmarrin hapa konkret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Njëkohësisht, studentët e Universitetit të Gjakovës do të jenë të gatshëm të ju dalin në krahë Institucioneve të Republikës se Kosovës në çfarëdo forme dhe rrethane që lidhen me çështjet e ngritura me lartë”, thuhet në faqen zyrtare të parlamentit Studentor të Universitetit të Gjakovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat