Demhasaj: Nëse Veseli del i përfshirë sadopak në aferën e fajdeve, duhet të dorëhiqet

Kosova

Demhasaj: Nëse Veseli del i përfshirë sadopak në aferën e fajdeve, duhet të dorëhiqet

Më: 24 maj 2019 Në ora: 22:13
Arton Demhasaj

Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, Arton Demhasaj ka thënë rasti i fajdeve ku është përmendur Kadri Veseli duhet të sqarohet sa më parë për shkak të pozitave që ka ky i fundit.

Demhasaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë me publikimin e videove të fundit për fajde tregohet se politika dhe gjyqësia bashkëjetojnë me krimin.

“Në një ngjarje të tillë ku sheh të gjitha këto video që ekzistojnë nga viti 2012 e deri tani dhe nuk është marrë asnjë masë ku pjesët e këtyre aktakuzave janë parashtruar tashmë për shkak të kalimit të kohës, përgjegjësia e parë bie mbi sistemin prokurorial dhe prokurorin që ka pasur në dorë këtë rast dhe nuk ka marrë masat e nevojshme”.

“Pra fillimisht duhet të merren masat ndaj prokurorëve të rastit sepse ata janë bërë pjesë e aferës pavarësisht kanë dashur apo jo. Por ende mbeten si dyshime derisa të vërtetohen.

Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, ka thënë se përfshirja e zyrtarit austriak në një skandal korrupsioni i kushtoi me dorëheqje.

“Dallimi i Veselit me atë rast ka të bëj me atë se zyrtari austriak shihet në video, ndërsa zoti Veseli vetëm përmendet si emër dhe nuk është pjesë e videos. Momentalisht ne nuk mundemi t’i gjuajmë fajësinë Veselit për faktin se i është përmendur emri sepse aty kanë mundur të përmenden emra të ndryshëm”.

“…Në 20 vitet e fundit njerëzit në Kosovë kanë përdorur emrin dhe autoritetin e dikujt që ka pasur fuqi dhe ndikim për të arritur qëllimet e tyre dhe për të rritur bizneset e tyre”.

Demhasaj ka thënë se kjo çështje duhet të sqarohet sa më shpejt për faktin se zoti Veseli është kryetar i Partisë që është në pushtet dhe kryetar i Kuvendit.

“Rasti duhet të sqarohet sa më shpejt dhe nëse vërtetohet vetëm me një argument se ai ka qenë pjesë sadopak e kësaj afere ai duhet të jap dorëheqje nga kryetari i Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, thotë se dyshimet për korrupsion gjithmonë kanë ekzistuar por nuk ka pasur fakte e prova.

“Si është e mundur që pasuria e politikanëve kap vlerat milionëshe. Pjesa më e madhe e deputetëve të Kosovës, ministrave e ish-ministrave, të gjithëve atyre që kanë qenë pjesë e qeverive, pasuria e tyre peshon në vlera milionëshe”, tha ndër të tjera Arton Demhasaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat