Ish-ushtari i UÇK-së nga Prekazi ndan një rrëfim rrëqethës për tmerret e luftës

Kosova

Ish-ushtari i UÇK-së nga Prekazi ndan një rrëfim rrëqethës për tmerret e luftës

Më: 26 maj 2019 Në ora: 22:27

Valdet Jashari, i cili si 19-vjeçar iu bashkua UÇK-së, kërkon drejtësi për nënën dhe vëllezërit e vrarë.

I pari që u doli përballë sulmeve të forcave serbe në hyrje të fshatit Prekaz, ishte ushtari i UÇK-së, Valdet Jashari.

Valdeti që aso kohe ishte vetëm 19-vjeçar ende i kujton momentet e ballafaqimit me forcat serbe.

Ai thotë se sa herë që këmbësoria e ushtrisë serbe fillonte të vinte ushtarët e UÇK-së i gjuanin. Sipas tij ata vinin nga fabrika e municionit dhe kur sulmoheshin nga UÇK-ja ata ndaleshin, por më pas fillonin me granatime të rënda.

Pas një dite luftimesh, Valdet Jashari bashkë me ushtarë të tjerë u detyruan të tërhiqeshin.

Ata u vendosën në një shtëpi e cila sërish u bë cak i sulmit nga tanket e bombat serbe. Në këtë shtëpi ai u plagos rëndë, por që fatmirësisht shpëtoi.

“E kanë gju një bombë apo granatë midis dhome. Dhe kur ka ra granata mua më ka humb vetëdija. Kur jam zgju e kam pa që afër e kisha pas Hamit Jasharin, i cili ishte i vdekur duke u djegur. Jam afru dhe e kam shymë”, ka rrëfyer Valdet Jashari.

Fatin e Valdetit nuk e kishin anëtarët e tjerë të familjes. Atij iu vranë tre vëllezër nga mosha 5 deri në 16 vjeçare, së bashku me nënën.

Ai i ka të freskëta kujtimet kur pa forcat serbe duke i bartur kufomat me kamion.

“Këtu ka ardhë kamioni i ushtrisë serbe edhe i kanë marrë kufomat prej shtëpisë që janë vrarë brenda”, shton Jashari.

Gjithë fshati ishte mbushur me forca serbe. Por, Valdet Jashari sërish ishte me fat. Ai kaloi natën nën kulmin e një shtëpie, në të cilën kishte edhe serbë, por pa u vërejtur.

“Këtu u mbush forca ushtarake paramilitare të Serbisë plot oborri, edhe unë mbeta i plagosur në kulm të shtëpisë por i pashë të gjitha. Atë natë policia ka qëndru në atë shtëpi, e unë naltë kam qenë i plagosur”, thotë Jashari.

Për gjithë këtë histori, Valdet Jashari së fundi është ftuar për të dëshmuar nga Gjykata në Kosovë.

Pavarësisht se e cilëson të vonuar, Valdeti shpreson që Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë, do t’i zbardhë ato që ka bërë ai regjim mbi shqiptarët.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat