15 mijë fëmijë marrim pjesë në Ditën Olimpike 2019

Kosova

15 mijë fëmijë marrim pjesë në Ditën Olimpike 2019

Më: 27 maj 2019 Në ora: 11:43
Foto

Rreth 15 mijë fëmijë të lindur në vitin e Pavarësisë së Kosovës (2008), kanë shënuar sot Ditën Olimpike 2019.

Për herë të tetë, radhazi, KOK-u organizoi një ngjarje të tillë, por tanimë me disa ndryshime të mëdha.

Kësaj radhe përpos Komunës së Prishtinës, kësaj ngjarje iu janë bashkangjitur edhe 24 komuna tjera të Kosovës.

Rreth 2700 fëmijë ishin të pranishëm në Prishtinë, të cilët vrapuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Teatri kombëtar.

Në kategorinë e meshkujve vendi i parë i takoi, Rin Ahmetit, i dyti Flamur Bulliqi, ndërsa i treti përfundoi Erion Beha.

Ndërsa tek femrat vendin e parë e zuri: Medina Fejza e ndjekur nga Erisa Avdullahu dhe Medina Bilalli.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, falënderoj të gjithë ata të cilët kontribuuan në organizimin e kësaj ngjarje, dhe premtoi se ky organizim nuk do të ndalet pasi që është një projekt qindvjeçar.

Hasani: Ky projekt do të vazhdojë në të ardhmen

“Të dashur fëmijë, të dashur prindër, të dashur arsimtar, arsimtare, të dashur vullnetare, këshilli organizativ, ju përgëzoj për edicionin e tetë, i cili ishte i shkëlqyeshëm. Ju fëmijët e Prishtinës në vitin 2012 keni qenë katër vjeçar kur filluat për herë të parë dhe sot janë rreth 15 mijë fëmijë të cilët kanë vrapuar në tërë Kosovën. Urime për të gjithë”, tha i pari i KOK-ut, Besim Hasani.

I pranishëm ishte edhe drejtori i departamentit të sportit nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Ibër Alaj i cili përgëzoi Komitetin Olimpik për një organizim të tillë.

Alaj: Përgëzoj KOK-un për këtë organizim

“Të dashur fëmijë, ju përgëzoj për këtë ditë olimpike e cila është që të jeni aktiv në sport dhe përmes juve të përçohet mesazhi se fëmijët tanë janë aktiv në sport. E përgëzoj Komitetin Olimpik të Kosovës për këtë organizim po ashtu e falënderojmë për bashkëpunimin e mirëfilltë që e kemi ndër vite”, tha Alaj

Ndërkaq drejtori i departamentit të sportit në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha tha komuna e Prishtinës vazhdimisht do ta përkrah KOK-un në organizimin e ngjarjeve si Dita Olimpike.

Rexha: Fëmijët e vitit 2008, janë fëmijët e Pavarësisë

“Të dashur fëmijë, ju urojë këtë ditë të rëndësishme, ditën Olimpike. Ju jeni rrita e Pavarësisë, dhe me juve po rritet pavarësia e Kosovës çdo vit. Urime Komitetit Olimpik, urime juve dhe urime Kosovë”, u shpreh Rexha.

Pas përfundimit të garës, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, e cilësoi këtë organizim si një ndër më të mirët. Ai pohoi se sipas informacioneve të para, edhe në komunat tjera ka shkuar gjithçka ashtu siç ata e kishin planifikuar.

Haxhijaj: Gjithçka shkoi në rregull

“Sapo përfundoi gjithçka, filloi edhe shiu që do të thotë që gjithçka edhe koha ishte në favorin tonë. Organizimi po mendoj që ka qenë gjithçka në rregull. Ne kemi mundur ta bëjmë ndonjë gabim të vogël, ndonjë lëshim të vogël, mirëpo në përgjithësi organizimi ka qenë në rregull. Kanë marrë pjesë në Komunën e Prishtinës, rreth 2700 fëmijë, ndërsa në gjithë Kosovën, po besojmë që afër 15 mijë fëmijë kanë vrapuar në të njëjtën kohë pra në ditën Olimpike që po mbahet me të tetën radhë nga Komiteti Olimpik i Kosovës me fëmijët që kanë lindur në vitin e pavarësisë”, u shpreh Haxhijaj.

Kujtojmë që të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë, u shpërblyen me medalje nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat