Obiliqasit përmes protestës kërkojnë të punësohen në KEK

Kosova

Obiliqasit përmes protestës kërkojnë të punësohen në KEK

Më: 29 maj 2019 Në ora: 15:32
Protesta

(E plotësuar) - Dhjetëra qytetarë të komunës së Obiliqit për një orë e kanë bllokuar hyrjen dhe rrugën tek Termocentrali Kosova A, përkatësisht hyrjen e drejtorisë duke shprehur pakënaqësinë e tyre për anashkalimin e tyre për tu punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ata përmes kësaj proteste kanë kërkuar që të zbatohet ligji për Obiliqin si dhe vendimi i kryeministrit  Ramush Haradinaj që tu jepet përparësi banorëve të kësaj komune për punësim në KEK.

Për mbarëvajtjen e protestës u përkujdesën forcat e rendit, të cilët me çdo kusht kërkuan që të lirohet njëri shirit për lëvizje të automjeteve pasi që u shkaktuan kolona , por që hasën në rezistencë të protestuesve.

Kryesuesi i Këshillit Protestues, Zaim Krasniqi tha se kërkesa e tyre e vetme si banorë të Obiliqit është zbatimi i vendimeve nga institucionet përkatëse.

Krasniqi: Kërkojmë të zbatohet ligji i Obiliqit dhe vendimet e Qeverisë

“Kërkesa jonë është që si komunë e Obiliqit fillimisht zbatimi i ligjit për Obiliqin që është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës si çdo ligj tjetër është i miratuar edhe ky ligj dhe duhet me u respektuar prej secilit institucion kushdo çoftë ai...Janë katër  vendime e kryeministrit të Kosovës të kësaj qeverie që janë e urdhëron KEK-un për t’i zbatuar vendimet e Qeverisë karshi banorëve të zhvendosur dhe banorëve të tjerë të gjitha fshatrave të Obiliqit që gjatë punësimit me pas përparësi punësimi”, tha ai.

Protestuesit madje kanë paralajmëruar ashpërsim të masave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Krasniqi: Protestat do i vazhdojmë ose do kthehemi në tokat që na i ka marr KEK-u

“Ne do i vazhdojmë protestat, protesta e radhës do jetë tek Kosova B dhe në konsultim me Këshillin Organizativ të protestave ne ose do të kthehemi në tokën që na e ka marr KEK-u ose do e bllokojmë hyrjen e Kosovës A dhe B me shatorra me familje me të gjitha edhe nuk kanë me u lirua, le të na ngrehin zhag le të na dërgojnë në burg të gjithëve” tha i frustruar ky banor.

Kërkesa e vetme e banorit, Fanol Shala ishte takimi me menaxhmentin e Korporatës Energjetike të Kosovë, kërkesë kjo e cila hasi në vesh të shurdhwr.

Shala:E lusim me dal dikë me dal me i dëgjua hallet tona

“E kishim lutur dikë me dal edhe me na u bashkëngjit dhe me u thënë diçka këtyre qytetarëve që kanë dal para kësaj drejtorie sepse ne një nevojë na ka qitur këtu dhe është e rrugës me dal dikush edhe me na i thënë nja dy fjalë, por këta nuk e kanë hallin tonë, këta i kanë në terezi punët e tyre dhe nuk shikojnë se çfarë probleme dhe telashe kemi ne”, tha Shala.

Naser Sollova i cili kishte aplikuar disa herë për t’u punësuar në KEK thotë se asnjëherë as në intervistë të paktën nuk është ftuar, e lëre më t’i jepet përparësi për punësim.

Sollova: Në listë kam qenë i 6001-ti, nuk më kanë ftuar as në intervistë

“Kam qenë në listë i 6001 as nuk kanë ftuar nëpër intervista as asgjë...kam aplikuar në dy konkurse që kanë qenë“, tha ai.

Për t’i përkrahur bashkëqytetarët e tij kishte ardhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri i cili u shpreh se si komunë janë në përkrahje të protestuesve për kërkesat e tyre të cilat i konsideron minimale.

Gërguri ka theksuar se kanë ngritur padi ndaj KEK-ut përmes të cilës kanë kërkuar pezullimin e konkursit, por që ende deri tani ndonjë përgjigje nuk kanë marr nga menaxhmenti i kësaj kompanie.

Gërguri: Kemi ngritur dy padi ndaj KEK-ut

“Në mbledhjen e fundit i kem rekomanduar kryetarit dhe ka ndërmarrë hapa konkret dhe ka iniciuar padi, dy padi veçse janë bërë, janë pranuar dhe po presim deri në këto momente nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje nga bordi apo kryeshefi i KEK-ut për hapat që i kemi kërkuar, kjo është kërkesë e banorëve është legjitime, përderisa është legjitime është e ligjshme dhe ne jemi në përkrahje të tyre”, tha kryesuesi.

Protestuesit për disa minuta i kanë penguar edhe punëtorët e Termocentralit Kosova A që të dalin nga puna ndonëse e kishin kryer orarin.

Kujtojmë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me ardhjen e tij në këtë pozitë u kishte premtuar banorëve të Shipitullës dhe Hades shpronësim të shpejtë si dhe punësimin e nga një anëtari të familjes.

Banorët e Obiliqit në protestë, kërkojnë punësim në KEK

Banorët e Obiliqit po protestojnë para hyrjes kryesore të drejtorisë së termocentralit Kosova A.

Kërkesa e tyre e vetme është respektimi vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për punësim të një anëtar të familjeve që janë zhvendosur. 

Protestuesit e kanë bllokuar rrugën dhe për këtë kanë ardhur edhe njësist e policisë së Kosovës dhe njesisa speciale të cilët po kërkon  që njëra pjesë e rrugës të lirohet por që protestuesit nuk po pajtohen që ta lirojnë qarkullimin e ajtomjeteve, kurse rruga është bllokuar. 

Saim Krasniqi udhëheqës i këshillit protestues i tha kp se ata kanë dal të protestojnë pasi që nuk po zbatohet ligji për Obiliqin, dhe nuk po zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës.

 Ai ka kërkuar nga KEK  që të zbatojë vendimin për dhënies e përparësisë banorvë të obiliqit për punësim. 

Fanol Shala  ka kërkuar që dikush të dal nga menaxhmenti i KEK-ut dhe t’i dëgjojë kërkesat e banorëve. 

Fidaim Grajçevci është njëri nga protestuesit i cili thotë se vazhdimisht ka aplikuar për punësim në KEK po që asnjëherë as nuk është ftuar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat