Shqiptarët e Kosovës s’po e heqin armatimin dhe plumbat nga ahengjet familjare

Kosova

Shqiptarët e Kosovës s’po e heqin armatimin dhe plumbat nga ahengjet familjare

Më: 31 maj 2019 Në ora: 13:04
Foto ilustrim

Ahengjet familjare në Kosovë kanë filluar të kthehen në fushë qitje. Gëzimin e tyre, kosovarët e kanë bërë traditë që ta shprehin duke gjuajtur me armë. Nuk mungojnë rastet kur kanë përfunduar edhe me vrasje. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë raportuar mbi 100 raste të tilla. Ndërkohë, rajonet me më së shumti incidente të tilla janë Prishtina, Prizreni dhe Gjakova.

Asllan Uka nga Vushtrria ka më shumë se 14 vjet që jeton si person me nevoja të veçanta. Ishte një plumb qorr që atij ia ndryshoi jetën.

Ngjarja e dhimbshme për të, ndodhi në një aheng familjar, ku Asllani ishte mysafir dhe u plagos nga një person, i cili po ashtu ishte pjesëmarrës në atë aheng.

Ai ishte 47-vjeçar kur plumbi ia dëmtoi atij unazën e katërt të boshtit kurrizor dhe prej atëherë ka mbetur i palëvizshëm.

Por, Asllani nuk është i vetmi që ka pësuar në ahengje familjare nga gjuajtja e pakontrolluar me armë. Madje, ka raste që kanë përfunduar edhe me tragjedi. Një i tillë ishte vjet në Prizren.

Sipas statistikave që janë siguruar nga Policia e Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar janë raportuar mbi 100 incidente nëpër ahengje familjare në gjithë vendin.

Bazuar në të dhënat e Policisë, numri i këtyre rasteve po shkon duke u rritur. Përgjatë tri viteve të fundit, janë shënuar rreth 300 incidente të tilla.

Nga këto të shtëna, vitin e kaluar ka mbetur edhe një person i vdekur në Prizren, derisa janë lënduar 11 të tjerë. Ndërkohë, rajonet në të cilat ndodhin më shumë raste të tilla mbeten ai i Prishtinës, Prizrenit dhe Gjakovës.

Për këtë punë, Policia vjet ka arrestuar 75 persona, numër ky që për tri vitet e fundit shkon në rreth 200 persona.

Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), disa herë ka organizuar fushata kundër shkrepjeve me armë  zjarri ne ahengje familjare duke e quajtur kampanjën “Festo me zemër jo me armë”.

Ndryshe, që nga 17 dhjetori i vitit të kaluar, gjithë kosovarët që kanë armë pa leje kanë mundur t’i legalizojnë ato. Për ta bërë këtë ata kanë kohë deri më 17 qershor të këtij viti.

Gjatë kësaj kohe, është pezulluar zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, në bazë të së cilit parashihet dënimi me gjobë prej 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet për këdo që mbanë armë pa leje.

Image
Statistikat

Gjithë kjo pas vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafës, për legalizim të armëve, i cili është nënshkruar në 23 nëntor të vitit të kaluar.

 “Afati kohor shpallet për periudhën gjashtë mujore dhe fillon nga data 17 dhjetor 2018 deri më datë 17 qershor 2019”, thuhet në vendimin e Mustafës.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, procesit të legalizimit pritet t’i nënshtrohen rreth 260 mijë armë. Aq është numri i armëve pa leje që gjenden në duart e qytetarëve në gjithë vendin.

Në këtë institucion thonë se krahasuar me vitet e kaluara, numri i armëve pa leje është ulur për rreth 100 mijë.

“Në bazë të statistikave në Kosovë gjinden rreth 260.000 armë ilegale në posedim të qytetareve. Ky numër është me i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale”, thuhet në përgjigjet e MPB’së./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat