Sahin: Duhet të ketë investime të dyfishta për fëmijët

Kosova

Sahin: Duhet të ketë investime të dyfishta për fëmijët

Më: 31 maj 2019 Në ora: 17:27
Sahin: Duhet të ketë investime të dyfishta për fëmijët

Në konferencën e dytë ndërkombëtare për “Shëndetin, Mirëqenien, të Drejtat dhe Edukimin e Fëmijëve”, u kërkua që të ketë investime të dyfishta për fëmijët, e në të njëjtën kohë u tha se këta të fundit po përballen me vështirësi dhe probleme të ndryshme.

Në hapjen e punimeve të kësaj konference, për të shënuar kështu 1 qershorin, Ditën e Fëmijëve ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi tha se ndjejnë obligim që të ofrojnë kushte të favorshme për fëmijët, në mënyrë që të kenë arsimim dhe edukim të mirëfilltë. Sipas tij, pasuria më e madhe e një vendi janë fëmijët.

Bytyqi: Po tentojmë të kemi politika të mirëfillta 

“Unë do të kërkoja nga fëmijët që jo vetëm sot në ditën kur ne flasim për të drejtat e tyre apo në ditën kur shënojmë festat e fëmijëve, por që fëmijët vazhdimisht të na mbajnë obligues dhe përgjegjës për të drejtat e tyre. Ne si Qeveri, por edhe Ministria e Arsimit në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera relevante në Kosovë, por pa dyshim  edhe me një përkrahje ndërkombëtare po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që së pari të kemi ndërtim të politikave të mirëfillta, ku ndërthuren edhe integrohen, të drejtat e njeriut dhe fëmijëve”, tha Bytyqi.

Bytyqi tha se me arsimim dhe edukim të mirëfilltë, do të kontribuojnë edhe në popullësi të mirëfilltë.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari tha se si institucion kanë identifikuar shumë probleme me të cilat përballen fëmijët.

Jashari: Institucioni i Avokatit të Popullit ka identifikuar probleme të ndryshme 

“ Kosova siç e dini është vendi i parë në Evropë me popullsinë aktive, mosha deri në 35 vjeç dhe është një avantazh i jashtëzakonshëm, i shoqërisë tonë kosovare. Me fjalë të tjera është një bekim nga Zoti, i dhënë ndaj kësaj shoqërie. Tani situata se në çfarë jemi dhe çfarë ju ofrojmë rinisë tonë, varet pikërisht nga ne që jemi akter edhe përgjegjës, për të avancuar dhe për të mbrojtur drejtat e fëmijëve në rend të parë... Si institucion i Avokatit të Popullit me 31 mars kemi dërguar një raport vjetor në Kuvendin e Kosovë, është mjeti kryesor i punës me të cilën tentojmë të vetëdijësojmë jo vetëm autoritetet përgjegjëse por edhe përfaqësuesit e popullit, sepse mbi këtë bazë ata duhet të veprojnë, për të bërë përgjegjëse çdo autoritet tjetër  që ka cenuar apo shkelur të drejtat e njeriut. Gjatë këtij procesi kemi identifikuar probleme të natyrës ekonomike dhe sociale”, tha ai.

Se rinia kosovare, është një potencial i madh për vendin e thotë edhe shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin. Sipas tij janë  disa çështje që patjetër duhet të adresohen. Sahin tregoi për aktivitetet që UNICEF-i i organizon, duke përmendur kështu, muajin prill ku erdhi në Kosovë këngëtarja Rita Ora e cila vizitoi disa fëmijë që kanë nevojë të avancohen dhe t’u jepet më shumë hapësirë dhe kushte.

Sahin: Duhet të ketë investime të dyfishta

“ Askush nuk mund të thotë se fëmijët nuk duhet të ketë një edukim të duhur, apo shëndetësi, ku do që ka lind fëmija është fëmijë. Dhe ne mbështesim implementimin e planit të veprimit strategjisë që të avancojmë implementimin apo realizimin e drejtave të fëmijëve në Kosovë. Dhe thërras në investime të dyfishta veçanërisht të rrisim atë mbulushmërinë e parashkollorëve, sepse është në pah që fëmijët nuk janë të gatshëm për shkollë, kështu që duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim”, tha ai.

 Nezahate Salihu, drejtoreshë nacionale e SOS Fshatrave të fëmijëve tha se janë duke punuar vazhdueshëm pa dallim për të gjithë fëmijët të cilët janë pa përkujdesje prindërore.

Salihu: Pasuria e një kombi janë fëmijët

“ Jo kot thuhet se një komb vlerësohet nga ajo që bënë për fëmijët sot. Kjo për shkak se të nesërmen ata do të jenë të rritur dhe të fuqishëm që të mendojnë dhe veprojnë për të tjerët. Pasuria e një kombi nuk është aq shumë në zhvillimin e tij ekonomik dhe burimet e tij natyrore, por qëndron në pasuritë e të pasurit fëmijë dhe të rinj të shëndetshëm dhe të aftë”, tha ajo.

Ajo tha se mision i tyre është edhe strehimi, edukimi dhe rritja e tyre e shëndetshme, e fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

Ajo ka lutur të gjitha institucionet që të kalojnë kohë më shumë me fëmijët në mënyrë që të shohin për së afërmi nevojat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat