Komunat me aktivitete shënojnë Ditën e Fëmijëve

Kosova

Komunat me aktivitete shënojnë Ditën e Fëmijëve

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 08:44
Ilustrim

Komunat në tërë vendin sot kanë organizuar aktivitete të shumta për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në kryeqytet, aktiviteti “Prishtina këndon dhe vallëzon” nis me paradën për fëmijë nga ora 11:00, ku nisja do të bëhet nga New Born-i deri në pikëtakimin në sheshin "Zahir Pajaziti".

Pastaj në sheshin "Skënderbeu", fëmijët kanë mundësinë të argëtohen dhe të shijojnë performancat me këngë dhe valle të ndryshme me programe artistike të organizuara enkas për ta.

Po ashtu, në Prishtinë, gjatë tërë ditës do të vijojë dita e dytë e Konferencës për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve me ligjërues të ndryshëm.

Ndërsa, aktivitete të shumta për fëmijë do të ketë edhe në qytetin e Mitrovicës. Kryesori mbahet prej orës 11:00 ne sheshin kryesor i cili do të jetë i shoqëruar me këngë, valle dhe recitale.

Në Fushë Kosovë, në kuadër të 1 Qershorit do të organizohen disa aktivitete me qellim të sensibilizimit me të madh për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e fëmijëve, ku pjesë e aktiviteteve do të jenë nxënësit e të gjitha shkollave nga klasa 5 deri 9.

Aktivitete kryesore do te zhvillohen në hapësirën rekreative “Te Pishat” në fshatin Sllatinë nga ora 11:00 deri 13:00. Gara në ese do të organizohen me qëllime të nxitjes së respektimi të të drejtave të fëmijëve dhe aktivitete psiko-sociale, aktivitete sportive, kulturore etj.   

Në Ferizaj, në sheshin para objektit të komunës së Ferizajt, pjesëtarë të njësive të ndryshme policore do të ekspozojnë pajisje, do të demonstrojnë shkathtësi tekniko-taktike, improvizime të rasteve në komunikacionin rrugor ku do të marrin pjesë gjithashtu edhe FSK, KFOR-i, Brigada e Zjarrfikësve si dhe Shërbimi i Urgjencës të Spitalit të Ferizajt.

Ky aktivitet ka për qëllim rritjen e besimit të fëmijëve dhe prindërve të tyre për institucionet e tyre të sigurisë.

Aktivitete për nder të Ditës së Fëmijëve në disa Komuna janë mbajtur dje, ndërsa janë paraparë edhe të tjera gjatë ditës së sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat