Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mjedisit

Kosova

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mjedisit

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 13:47
Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mjedisit

Në Parkun e Gërmisë në Prishtinë është shënuar të mërkurën Dita e Mjedisit, me mesazhe për ruajtje të ambientit dhe thirrje për kontribut të secilit, për një mjedis më të pastër.

Shënimi i 5 qershorit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbështetur nga UNDP, u përcjell me disa aktivitete vetdijësuese në Parkun e Gërmisë.

Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi tha se kohët e fundit janë kryer shumë punë në rregullimin e mjedisit, por që ende ka shumë për t’u bërë.

Ai përmendi aktivitetet që ka ndërmarrë kjo ministri, ministri të tjera mbështetëse, organizata jo-qeveritare e partnerë, gjatë tërë vitit, duke theksuar ndalimin e përdorimit të thëngjillit në shkolla dhe aktivitetet e pastrimit në tërë Kosovën.

Ai ftoi  qytetarët për kontribut të përbashkët në këtë rrugë.

Matoshi: Secili qytetar të kontribuojë për një mjedis të pastër

“Apelojmë te secili qytetar që në pozicionin dhe rolin që ka të kontribuojë në rrugën tonë të përbashkët. Dita ndërkombëtare e Mjedisit është mundësi e mirë që me aktivitetet e ndryshme të arrijmë shkallën e ndërgjegjësimit të qytetarëve të vendit në raport me mbrojtjen e mjedisit. Andaj, të dashur të pranishëm, më lejoni që nga kjo ditë e shënuar të kërkoj nga të gjithë qytetarët e vendit që ta mbrojmë mjedisit tonë ku jetojmë dhe veprojmë sepse duke mbrojtur mjedisin ne mbrojmë shëndetin tonë dhe të gjeneratave që vinë”, tha ai.

E ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi tha se data të tilla si kjo e 5 qershorit, i bëjnë më të përgjegjshëm, dhe të njëjtat nuk duhet vetëm t’i përkujtojnë por të marrin obligime gjatë tërë vitit.

Bytyqi: MAShT po merr përgjegjësitë për kontribuar në mjedis të pastër

“Ministria e Arsimit do ta merr përgjegjësinë, po e merr përgjegjësinë, ashtu siç e ka marrë që të kontribuojë në mjedis të pastër në Kosovë, sepse e para ne do t’i rrisim fëmijët tanë në një ambient të pastër dhe ambient të sigurt për shëndetin e tyre dhe të ardhmen e tyre. Në kuadër të sistemit arsimor i cili ka dy shtylla kryesore, shtyllën e edukimit dhe  arsimimit, të pjesa e edukimit ne do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë mjedisit të pastër dhe të shëndetshëm për nxënësit tanë. Ne mund t’i arsimojmë nxënësit, por nëse nuk e kryejmë edhe pjesën e edukimit qysh duhet, për t’u rritur në ambient të shëndoshë konsideroj që nuk e kemi kryer detyrën siç duhet”, tha ai.

Ai tha se MAShT është e gatshme që me partnerë të ndryshëm, e me ministri, të angazhohen që gjatë gjithë kohës të punojnë për një mjedis të pastër çfarë ka nevojë Kosova.

Ndërsa Meelis Munt, zëvendësministër i Mjedisit në Estoni tha se për t’u ndryshuar gjendja, duhet fillimisht të vetëdijesohen njerëzit.

Munt: Po mundohemi të punojmë për cilësi më të mirë të ajrit

"Duke e shënuar këtë vit të mundohemi të punojmë të kemi cilësi me të mirë të ajrit, nuk është një sfidë e lehtë, por është mirë për te ardhmen për të gjithë ne. Kjo është një ditë kur të gjithë të bashkohen dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme kundër ndotjes së ajrit. Teknologjia ekziston dhe varet na ne nëse duam ti përdorim në aspektin e pastrimit të ajrit. Nëse dëshirojmë të ndryshojmë ketë duhet fillimisht të ndryshojmë mentalitetin e njerëzv. Sot në Estoni kemi caktuar për të herë të parë është mbledhur këshilli kombëtar i të rinjve. Të ftojmë organizatat e të rinjtë si partnerë tanë për mjedisin", tha ai.

E Alessandra Roccasalvo nga UNDP kishte porosi për të rinjtë.

Roccasalvo: Rinia është ardhmja, duhet të përkujdeset për mjedis të pastër

"Ju jeni e ardhmja dhe ju duheni të përkujdeseni dhe jo të hidhni gjëra në rrugë, duhet të bëni punën tuaj për një mjedis të pastër. Sfidën time e kam marrë që këto lugët e plastikës për kafe i kam larguar nuk i përdor më, tani po ju pyes juve cila është sfida juaj, që kur vijmë çdo vit që takohemi të më tregoni çka keni marrë sfidë me gjera të plastikë", tha ajo.

Sivjet, Kosova do të jetë shteti udhëheqës i fushatës  globale të pastrimit World Up Day, në muajin shtator.

Për këtë, Luan Hasanaj nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën” u bëri thirrje të gjithëve që të bashkohen në aktivitetet e pastrimit.

Hasanaj: Do të udhëheqim fushatë globale për pastrim

"Është më të vërtetë kënaqësi dhe privilegj që ne ta udhëheqim një fushatë globale e cila e thërret tërë botën që më 21 shtator së bashku të larojmë mbeturina. Dhe nga këtu, nga ky vendi pastër dhe më të pastrit në Kosovë, unë ju ftoj të gjithëve që të na bashkoheni dhe të vazhdojmë këtë rrugëtim”, tha ai.

Në manifestimin që u mbajt në Gërmi, UNDP prezantoi projektet dhe iniciativat që janë ndërmarrë në mbrojtje të mjedisit dhe vetëdijesim të qytetarëve për të luftuar ndotjen e ajrit.

Aktivitet për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit vazhduan me pastrimin e Ujëvarës së lumit Drin, ndërkohë nesër do të pastrohet në ujëvarën e Mirushës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat