Pas rigjykimit, anesteziologu lirohet nga akuza për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Kosova

Pas rigjykimit, anesteziologu lirohet nga akuza për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 14:29
Pamje nga gjykimi

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, në mungesë të provave e ka liruar nga akuza për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, anesteziologun Nuredin Fazliu.

Ai akuzohej se gjatë operimit të tre vjeçarit A.K, në vitin 2002, kishte lëshuar sallën pa lajmëruar ekipin operativ dhe asistentë tjerë, ku si pasojë e mos intervenimit të tij, A.K kishte mbetur me tepër se pesë minuta pa oksigjen, sipas aktakuzës, ku pas disa ditësh kishte ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë rast, ai me 26 tetor 2004, ishte dënuar me dy vite burgim dhe me ndalim të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej dy vitesh, mirëpo, Gjykata Supreme e kishte prishur këtë aktgjykim dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, sipas së cilës gjykata gjatë administrimit të provave në shqyrtimin gjyqësor nuk kishte vërejtur se i akuzuari Fazliu ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Ndërkaq, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, në fjalën përfundimtare të mbajtur me 30 maj 2019, i akuzuari Fazliu ka mohuar se kishte vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme.

“Më vjen keq prej asaj familje, nuk jam fajtor as unë e as ekipi i anesteziologëve se tobusin nuk e ka nxjerrë ekipi, por ka dalë në mënyrë aksidentale gjatë operimit…kurrë në jetë nuk kam bërë mjekim të pandërgjegjshëm”, kishte thënë ai.

Ish-Prokuroria Publike e Qarkut, aktakuzën ndaj Nuredin Fazliut e kishte përpiluar me 24 dhjetor 2003, për shkak të veprës penale “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Sipas aktakuzës, me 8 maj 2002, në sallën e operacionit në Klinikën e ORL-së në Prishtinë, derisa ishte duke u operuar fëmija i moshës tre vjeçare, tani i ndjeri A.K, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Fazliu si anesteziolog kryesor kishte vepruar pa ndërgjegje, edhe  pse kishte qenë i obliguar që të jetë prezent gjatë operacionit, kishte lëshuar sallën e operacionit pa lajmëruar ekipin operativ dhe asistent tjerë.

Në aktakuzë thuhet se fëmijës në përfundim të operimit i kishte dal tubusi- kishte ekstubu, ku si pasojë kishte ardhur deri të dekortimi i trurit, ku pacienti kishte mbetur me tepër se pesë minuta pa oksigjen si pasojë e mos intervenimit të anesteziologut.

I njeri A.K, kishte qëndruar në gjendje kome në Klinikën Intensive, ku më pas kishte ndërruar jetë me 14 maj 2003.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 26 tetor 2004, të akuzuarin Fazliu e kishte shpallur fajtor për veprën penale “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, dhe e kishte dënuar me dy vite burgim dhe me ndalim të ushtrimi të profesionit në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Mirëpo, Gjykata Supreme e Kosovës e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Supremes, aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimi është kundërthënës si dhe kontradiktor, pasi sipas Supremes, largimi i të akuzuarit në fazën përfundimtare të operacionit mund të jetë lëshim në aspektin etiko-profesional, por gjykata e shkallës së parë nuk e kishte vërtetuar se çfarë lidhje kauzale kishte kjo me shkaktimin e pasojës.

Kjo gjykatë kishte rekomanduar që gjykata e shkallës së parë të administrojë provat edhe njëherë, të angazhojë konziluimin e mjekësisë ligjore në përbërje të ekspertit të ORL-së dhe anesteziologjisë, në mënyrë që të deklarohen për mënyrën e daljes së stubusit, shkakun e vdekjes së të ndjerit dhe lëshimet e të akuzuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat