I akuzuari mohon se bleu telefon të vjedhur, thotë se pasi e gjeti e dorëzoi në polici

Kosova

I akuzuari mohon se bleu telefon të vjedhur, thotë se pasi e gjeti e dorëzoi në polici

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 14:46
Pallati i Drejtësisë

 I akuzuari Shefki Zeka, në seancën e shqyrtimit fillestar, e ka mohuar se ai ka blerë një telefon që ishte siguruar përmes vjedhjes.

Një deklaratë të tillë, ai e ka bërë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai po akuzohet se në muajin shtator të vitit 2014, në tregun e automjeteve në Prishtinë, ka blerë një telefon të tipit “Samsung S3”, por i cili më parë, sipas prokurorisë, ka qenë i vjedhur.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Musa Mehaj, i akuzuari Zeka ka mohuar kryerjen e kësaj vepre penale, duke shtuar se atë telefon ai e kishte dorëzuar në polici, pasi e kishte gjetur në rrugë.

“Telefon prej kërkujt nuk e kam ble. E kam qu telefonin në polici siç e kam gjet, unë ble nuk e kam kto”, tha i akuzuari Zeka.

Pasi i akuzuari ka mohuar fajësinë, gjykatësja Medie Bytyqi e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor ai mund të paraqesë kundërshtime për provat e përfshira në aktakuzë si dhe të bëjë kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Gjykatësja Bytyqi deklaroi se nëse kundërshtimet e tilla nuk paraqiten nga i akuzuari deri më 4 korrik, atëherë gjykata do të konsiderojë se ai ka hequr dorë nga mbajtja e shqyrtimit të dytë, dhe do të procedohet tutje me shqyrtim gjyqësor.

Gjatë kësaj seance, në pyetjen e gjykatëses Bytyqi, i akuzuari Zeka tha se nuk ka pranuar asnjë material provues, i cili ishte pjesë e shkresave të lëndës.

Në rrethana të tilla, gjykatësja ka obliguar prokurorin Musa Mehaj që brenda prej 8 ditëve ta përmbush detyrimin lidhur me zbulimin e provave, pas konstatimit se një gjë e tillë nuk ishte realizuar.

“Lënda nuk është e imja, por i akuzuari mundet që përmes një kërkese drejtuar prokurorisë të pajiset me shkresa të lëndës”, tha prokurori Mehaj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Shefki Zekës në drejtim të kryerjes së veprës penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345 par.2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në muajin shtator të vitit 2014, në tregun e automjeteve në Prishtinë, i akuzuari Shefki Zeka ka blerë një telefon të tipit “Samsung S3”, pronë e të dëmtuarës Albana Berisha, të cilës i ishte vjedhur ky telefon më 13 tetor 2014.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari telefonin në fjalë e ka blerë nga një person  identitetin e të cilit nuk e tregon, e për të cilin i akuzuari ka mundur të dijë se është i përfituar në mënyrë të kundërligjshme, gjegjësisht me kryerjen e veprës penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat