Në “Panairin e Vetëpunësimit 2019” inkurajohen qytetarët që të regjistrohen si punëkërkues

Kosova

Në “Panairin e Vetëpunësimit 2019” inkurajohen qytetarët që të regjistrohen si punëkërkues

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 12:07
Foto

Rreth 58 biznese të ndryshme sot po marrin pjesë në “Panairin e Vetëpunimit 2019”, panair ky i cili është hapur sot në sheshin “Nënë Tereza” nën organizim të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Me këtë rast, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se masat aktive që ata po i marrin në tregun e punës po japin rezultate konkrete.

Ai ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të regjistrohen si punëkërkues pranë Agjencisë së Punësimit me qëllim që të jetë përfitues të programeve të shumta.

Reçica tha se në “Panairin e Vetëpunësimit 2019” janë duke marr pjesë mbi 50 biznese që janë përfitues të granteve në kuadër të programit të UNDP-së.

Reçica:Inkurajoj qytetarët që të regjistrohen si punëkërkues në zyrat e punësimit

“Inkurajoj secilin qytetar të Republikës së Kosovës i cili është punëkërkues që të vizitojnë zyrat e Agjencisë së Punësimit pranë secilës komunë të regjistrohet si punëkërkues sepse natyrisht ajo që mund të përfitoj është që do të bëhet pjesë e  projekteve në të ardhmen jo vetëm me UNDP-në por edhe pjesë e projekteve të ministrisë së Punës por edhe me donatorët tjerë. Unë konsideroj që veprimet konkrete me masat aktive të tregut të punës janë duke sjell rezultate konkrete sepse ne sot po prekim rezultatet e një projekti me masat që kemi aplikuar vitin e kaluar”, tha Reçica.

Kurse, ndihmësja e përfaqësueses së përhershme të UNDP-së, Valbona Bogujevci tha se ky program ka qëllim të promovojë vetëpunësimin, të asistojë të rinjtë që të vendosin bizneset e tyre.

Sipas tij programi i vetëpunësimit ndihmon punëkërkuesit përmes këshillave gjatë procesit të angazhimit të tyre. 

Bogujevci: Këtë vit do i asistoj rreth 250 punëkërkues me fokus ata që janë të riatdhesuar

“Ky program ndihmon punë kërkuesit, ndihmon përfituesit e programit që përmes këshillave gjatë gjithë procesit të angazhimit të tyre çoftë në procesin e aplikimit, çoftë pas atij. Programi gjithashtu përbëhet nga një proces i cili është proces përzgjedhës, komplet transparent kështu që në këtë mënyrë për vite me radhë në bashkëpunim të ngushtë me ministrinë e Punës jo vetëm të përzgjedhim jo vetëm njerëz që kanë pasur aftësi profesionale të punës, por edhe që bizneset e tyre të qëndrojnë...Ky program në këtë radhë do të asistoj rreth 250 punëkërkues me fokus punëkërkuesit e riatdhesuar dhe me punëkërkuesit që janë jashtë tregut të punës gjatë kohë“, tha ajo.

Njëra nga pjesëmarrëset në këtë panair, Lindita Kazazi e cila ushtron profesionin e saj si rrobaqepëse dhe për herë të parë merr pjesë në këtë panair.

Ajo se nga programi i UNDP-së ka përfitues disa makina industriale të cilat ia kanë ndihmuar punën e saj si rrobaqepëse.

Kazazi: Kam fituar si grant një makinë për qëndisje dhe një industriale

“Është hera e parë që marr pjesë në një panair të tillë edhe pse jam parë që janë organizuar panaire të tilla, është hera e parë që jam përfituese e një donacioni duke iu falënderuar ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale , Agjencinë e Punësimit dhe UNDP-në. Unë kam vijuar kurse të rrobaqepësisë pastaj në kurs të biznesit dhe pasi aplikova në grantet dhe konkurset e UNDP-së unë isha njëra nga përfitueset e disa mjeteve të punës, makinë për qëndisje dhe makinë industriale....Dua t’i prezantoj disa punime të mija të cilat janë fustane për vajza të ndryshëm , për të rritur, qëndisjes që bëhen me anë të makinën..Shpresoj që të ketë interesim jo vetëm sot por edhe në të ardhmen që të krijojmë mundësi të reja për zhvillim të biznesit”, u shpreh Kazazi.

Kurse, Minator Hoxha i cili në këtë panair po e prezanton punën e tij si instalues i ngrohjes qendrore tha se kanë kapacitet për këtë punë, teksa presin që të ketë interesim nga vizitorët.

Hoxha: Kemi kapacitet për instalim të ngrohjes qendrore nga fillimi deri në mbarim

“Jemi katër persona që marrim pjesë në këtë grup..merremi me instalimin e ngrohjes qendrore nga fillimi deri në mbarim. ..Sot jemi duke e prezantuar punën tonë që bëjmë dhe i kemi marr disa mjete jo të gjitha disa që kanë qenë më të lehta, dhe kemi kapacitet me kryer punën për instalim nga fillimi deri në mbarim” tha ai.

Edhe Valdete Hoxha është njëria nga përfitueset e programit të UNDP-së e cila tha se ky grant ia ka lehtësuar punën e saj në përgatitjen e ushqimeve tradicionale

Ajo pret që të ketë interesim për produktet që ajo i përgatit, dhe inkurajon  të interesuarit që të bëhen pjesë e programeve të vetëpunësimit.

Hoxha: Hera e parë që marr pjesë në këtë panair, granti i UNDP-së ma ka lehtësua punën

“Është hera e parë që marr pjesë në këtë panair me përgatitjen e ushqimit tradicionale si flia, flia të misrit, bakllava, kifle, krejt çka kërkohet nga ushqimet tradicionale..Jam përfituese e grantit ma ka lehtësuar shumë punën, më herët kam përgatitur në shtëpi çka kam pasur porosi e tash në lokal, shumë lehtë më mirë”, tha Hoxha.

Aplikimi për regjistrim si punëkërkues pranë Agjencisë për Punësim do të jetë i hapur nga sot deri më 8 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat