Shofere dhe konduktore, dy femrat e Trafikut Urban të Prishtinës në shërbim të udhëtarëve - Bota Sot
Shofere dhe konduktore, dy femrat e Trafikut Urban të Prishtinës në shërbim të udhëtarëve

Kosova

Shofere dhe konduktore, dy femrat e Trafikut Urban të Prishtinës në shërbim të udhëtarëve

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 19:17
Shofere dhe konduktere

Laura Mirena ka tri javë që ka filluar të punojë si shofere autobusi. Këtë punë ajo e kishte ëndërr të kamotshme, duke u bërë edhe njëra ndër femrat e para në Kosovë, që ushtron këtë profesion.

Laura Mirena nga Obiliqi, e cila tashmë është pjesë e Trafikut Urban të kryeqytetit, ka thënë se vetëm duhet të kesh vullnet dhe çdo ëndërr realizohet.

“E kam pasur gjithmonë pasion vozitjen. E kam regjistruar lejen e Kategorisë D për autobusë. Kam marrë lejen. E kam parë që Trafiku Urban po kërkon femra shofere. Jam paraqitur në Trafikun Urban. Kam aplikuar dhe kam kaluar disa teste të cilat i kam kaluar me sukses. Prishtina ka trafik shumë të dendur. Qarkullimi i mjeteve është shumë i madh. Ndoshta nuk ka hapësira sa duhet por jemi ende në fazat e zhvillimit besoj se në të ardhmen do të zhvillohet… Mirë po shkon. Kushtet i kemi të mira si në pagesa ashtu edhe në respektimin e rregullave tjera”, tha për RTV Dukagjinin, Laura Mirena.Laura ka thënë se kishte përkrahjen e plotë të familjes, por edhe të gjithë udhëtarëve, madje ata kishin një mikpritje të madhe për të.

“Familja më ka mbështetur shumë të cilët i falënderoj. Edhe tjerët më kanë pritur mirë në këtë profesion. Në fillim janë befasuar por tashmë janë mësuar dhe më kanë pritur mirë”, tregon më tej Laura Mirena.

Ndërsa ajo nuk është e vetmja femër që është në shërbim të udhëtarëve në autobusët e Trafikut Urban. Një pjesë të madhe të ditës e kalon edhe me kolegen tjetër.  Laura Xhemajli, e cila vjen nga qyteti i Gjakovës ka gjashtë muaj që praktikon profesionin e kondukteres.

Ajo ka thënë se të qenit konduktere, është një profesion shumë i mirë, sepse sipas saj je në kontakt të vazhdueshëm me njerëz të mrekullueshëm.

“Jam befasuar kur kam parë konkursin që kërkoheshin shofere dhe konduktere. Më ka pëlqyer ajo ide shumë. Ka respekt të madh ai drejtor që e ka filluar këtë ide. Pse të mos punësohen edhe femrat shofere e konduktere kur janë të zonja. Menjëherë kam shkuar dhe kam konkurruar. Jam pranuar me anë të konkursit të rregullt. Kam filluar punën. Jam shumë e kënaqur dhe shumë e bindur që gjithçka do të shkojë mirë. Nuk kam pasur ndonjë vështirësi të madhe. Ka qenë ai stresi si do të kalojë me njerëz, a do të mund të gjej një gjuhë të përbashkët me mentalitetin tonë. Jam shumë e kënaqur. Të kënaqur i kam gjetur edhe kolektivin në Trafikun Urban”, tha ndër të tjera Laura Xhemajli.

Të dy Laurat tashmë janë ndër femrat e para të cilët drejtojnë një linjë të autobusit në trafikun urban të kryeqytetit.

Ato kanë thënë se ndjehen të lumtura që ju ka dhënë mundësia për një punë të tillë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...