Tensione gjatë protestës në Kusar, policia pezullon punën për ndërtimin e gurthyesit - Bota Sot
Tensione gjatë protestës në Kusar, policia pezullon punën për ndërtimin e gurthyesit

Kosova

Tensione gjatë protestës në Kusar, policia pezullon punën për ndërtimin e gurthyesit

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 14:27
Pamje nga protesta

Puna për ndërtimin e gurthyesit në fshatin Kusar të Gjakovës është pezulluar përkohësisht pas ndërhyrjes së policisë e cila ka urdhëruar kompaninë që të ndalojë aktivitetin për arsye sigurie pas situatës së krijuar në protestën e sotme.

Banorët e fshatit Kusar në Gjakovë dhe fshatrave përreth sot dolën sërish në rrugë duke kërkuar që të ndalet ndërtimi i gurthyesit në këtë zonë, pasi sipas tyre, kjo është zonë me prioritet për mbrojtje të natyrës me planin zhvillimor të Komunës së Gjakovës.

Gjatë kohës që zhvillohej protesta, pati edhe momente tensioni. Banorët kërkuan largimin e makinerive punuese ndërsa nuk munguan as konfrontimet verbale.

Kjo bëri që policia të shtojë radhët e saj dhe në vendin ku zhvillohej protesta të vijë edhe vet komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës, major Kristë Gjokaj.

Njërit prej aksionarëve të kompanisë punuese, majori Gjokaj i kumtoi vendimin që të ndërpresë menjëherë punimet për shkak të sigurisë dhe ato do të rifillojnë vetëm pasi të gjendet një zgjidhje mes kompanisë dhe banorëve.

Gjokaj: Punimet pezullohen për arsye sigurie

“Për shkak të kësaj situate që është krijuar sot, ju duhet të pezulloni punën përkohësisht, zgjat 24 orë, për çështje sigurie. Këta do të shpërndahen menjëherë, makinat i leni këtu të bllokuara e ne qesim një shirit”, tha Gjokaj.

Ndërkohë, banorët deklaruan se përkundër protestave, ankesave dhe shkresave të drejtuara në Komunën e Gjakovës dhe në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk është ndërmarrë asgjë konkrete për të ndaluar punën.

Sipas tyre, zona ku po tentohet të bëhet gurthyesi, në Planin Zhvillimor Komunal është “Zonë malore-Hapësirë me prioritet për mbrojtjen e natyrës, ripyllëzim dhe rekreacion”, ku po ashtu gjenden edhe varrezat e vjetra të quajtura “Varrezat e Krushqive”, në mes të Kompleksit të Shpellave të Kusarit që janë Monumente të Mbrojtura të Natyrës dhe zonës së propozuar si park nacional të Malit të Pashtrikut.
 

Image

Prenk Domgjoni, banor i kësaj zone, u shpreh i indinjuar me injorimin institucional që ju është bërë banorëve në momentin kur është bërë hartimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis, pasi sipas tij, me ligj duhet që edhe banorët të thonë fjalën e tyre kur jepet pëlqimi mjedisor.

Domgjoni: Gurthyesi nuk e mbron natyrën

“Ne kemi dalë këtu në mbrojtje të ambientit, natyrës, njerëzit që e duan natyrën nuk janë të dhunshëm. Ne kemi ardhur këtu edhe njëherë me ju thonë institucioneve që kanë dhënë pëlqim mjedisor kundërligjshëm, kanë dhënë pëlqim mjedisor kundër planit zhvillimor komunal të Gjakovës. Në planin zhvillimor komunal të Gjakovës kjo zonë është me prioritet për mbrojtjen e natyrës. Gurthyesi nuk e mbron natyrën, pra është në kundërshtim me planin. Gjithashtu pëlqimi mjedisor i është dhënë pa i përfshirë banorët e zonës. Me ligjet në fuqi në Kosovë banorët e zonës duhet me u përfshi gjatë hartimit të vlerësimit ndikimit në mjedis”, deklaroi Domgjoni.

Edhe një tjetër banor i zonës, Pashk Simoni, tha se për këtë zonë ka të tjera plane dhe se janë tri monumente historike të cilat nuk do t’i lejojnë që t’i shkatërrojnë.

Simoni: Këtu janë tri monumente historike

“A ka mëndu Qeveria e Kosovës se këtu është vend shumë i përshtatshëm, këtu nelt ka me u mbaru spitali për mushkëri, kemi tri monumente historike shpella e Kusarit me shekuj, shpella e Kuks, shpella e Novakut, çka doni me ba d.m.th. këta me ardhur me investu këtu... e protestojmë këtë kërkesë të tij dhe nuk lejojmë kerqysh”, tha ai.

Në një reagim për media gjatë ditës, kompania “Alko-H&S” që dëshiron të ndërtojë gurthyesin ka thënë se është e pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të zhvilluar aktivitetin.

“Bazuar ne ligjet dhe legjislacionin në fuqi, duke respektuar te gjitha standardet dhe kriteret përkatëse, kompania jonë ka aplikuar për ndërtimin e gurthyesit tek organet kompetente, konform ligjit dhe është pajisur me te gjithë dokumentacionin e nevojshëm për te filluar aktivitetin gjegjës”, thuhet në reagim.

Po ashtu, kjo kompani thotë se deri ma tash janë respektuar te gjitha procedurat legjislative dhe kriteret ne fuqi dhe për këtë janë dëshmitë e inspektorëve komunalë dhe qendrorë.

“Për zbatimin e tyre kohe pas kohe kanë qenë në punishte për te verifikuar, edhe inspektorë nga niveli lokal dhe qendror, të cilët me procesverbalet e tyre nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje. Aspak nuk qëndrojnë dizinformatat se me aktivitetin tonë po dëmtohen varrezat dhe shpella”, përfundoi reagimi i kompanisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...