Dënohet me një vit burgim i akuzuari që pranoi se kishte sulmuar të dëmtuarin me thikë

Kosova

Dënohet me një vit burgim i akuzuari që pranoi se kishte sulmuar të dëmtuarin me thikë

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 13:26
Pamje nga gjykimi

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me një vit burgim efektiv të akuzuarin për lëndim të rëndë trupor, Ilir Jaha.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Hanefi Jashari, pasi i akuzuari Jaha në këtë shqyrtim fillestar e ka pranuar fajësinë për këtë vepër.

Gjykatësi Jashari ka njoftuar se në dënimin me burgim të shqiptuar do të llogaritet edhe koha që i akuzuari Jaha e ka kaluar në paraburgim, prej 23 marsit, e deri më 12 qershor 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Jaha është obliguar të paguajë shumën prej 50 euro, në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro tjera në llogari të ekspertizës mjekoligjore.

Pala e dëmtuar, Leutrim Kuleta, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Gjykatësi Jashari ka njoftuar se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Në këtë shqyrtim fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Shala-Muhaxhiri, i akuzuari Jaha ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Ndihna fajtorë shumë”, ka thënë i akuzuari Jaha.

Një pranim i tillë i fajësisë ka marr përkrahjen edhe të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Arianit Koci, i cili deklaroi se pranimi ishte bërë në mënyrë vullnetare dhe pas konsultimeve të mjaftueshme me të si mbrojtës.

Avokati Koci ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të merr parasysh faktin se i mbrojturi i tij asnjëherë më parë s’ka rënë ndesh me ligjin, ai është penduar thellë për veprimet e tij dhe ka premtuar se nuk do të përsërisë më veprime të ngjashme.

Po ashtu, ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar as nga prokurorja Merita Shala-Muhaxhiri dhe si i tillë është aprovuar nga gjykatësi Hanefi Jashari, me arsyetimin se ishte bërë në mënyrë vullnetare nga i akuzuari, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Në këtë seancë, gjykatësi Jashari ka marr vendim që ndaj të akuzuarit Jaha të ndërpritet masa e paraburgimit, duke aprovuar kështu propozimin e avokatit Koci.

Po ashtu, në këtë gjykim, prokurorja Shala-Muhaxhiri, ka bërë ricilësimin e veprës penale, sipas ligjit penal më të favorshëm, ashtu që vepra “lëndimi i rëndë trupor”, tani kualifikohet nga neni 186 par.3 lidhur me par. 1.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 19 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Ilir Jaha në drejtim të kryerjes së veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189 par.1 lidhur me par. 5 të  KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 23 mars 2019, rreth orës 20:00, në Prishtinë në rrugën “Mark Isaku”, i akuzuari Ilir Jaha, pasi është përfshirë në rrahje me tani të dëmtuarin Leutrim Kuleta, me dashje e ka goditur të dëmtuarin me thikë në shpatullën dhe krahun e djathtë të dorës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga kjo goditje të dëmtuarit i janë shkaktuar dëmtime të rënda trupore në formë të plagëve prerëse-shpuese të indeve të buta në regjionin e mbi shpatullës së djathtë të kafazit të kraharorit, grumbullim traumatik ajri në mbështjellësin e mushkërisë së djathtë dhe plagë prerëse-shpuese të indeve të buta në regjionin e sipërm të krahut të dorës së djathtë. /Betimipërdrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat