Çudirat në Kosovë: Llapjani gjykohet për përdorimin e armës së lodrës

Kosova

Çudirat në Kosovë: Llapjani gjykohet për përdorimin e armës së lodrës

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Që nga viti 2006, Ajet Kastrati akuzohet për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Pas 13 vjetësh, aktakuza ndaj tij është hedhur poshtë, ku njëri nga arsyetimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka qenë se arma të cilën pretendohej se është përdorur nga i akuzuari, është imituese, konkretisht lodër për fëmijë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Se kjo armë është lodër e fëmijëve, theksohet edhe në arsyetimin e aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut, që mban nënshkrimin e prokurorit Suad Kuraja.

Sipas aktvendimit të marr jashtë seancës, nga gjykatësi i rastit, Minir Hoti, thuhet se ekzistojnë rrethana që e pengojnë ndjekjen penale për të akuzuarin Kastrati.

Në aktvendim thuhet se pas analizimit të shkresave të lëndës, është konstatuar se bëhet fjalë për armë imituese lodër.

“Bazuar në të gjeturat e analizimit të shkresave të lëndës, dhe konstatimit mbi mjetin me të cilin konsiderohet të jetë kryer vepra penale, në aktvendim thuhet se nuk ka vepër penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm”, thuhet në aktvendim.

Vepra penale nga kjo aktakuzë, ishte bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut, me nr.2001/7, përkatësisht me nenin 8.3 dhe 8.5 të kualifikuar si “zotërim, posedim apo përdorim i armës”.

Në aktvendimin mbi pushimin e procedurës, thuhet se gjykata duke u bazuar në nenin 3 të Kodit të ri Penal të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti, dhe aplikimit të ligjit më të favorshëm, sipas detyrës zyrtare rikualifikohet vepra penale, nga neni 8.3. dhe 8.5 i rregullores së UNMIK-ut 2001/7, në nenin 367 paragrafi 2 i KPRK-së.

Ndërsa, i dëmtuari Nexhat Muçiqi, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Sipas shkresave të lëndës, kjo aktakuzë, së pari ishte dorëzuar në ish-Gjykatën e Qarkut më 11 prill 2006, ku edhe ishte konfirmuar aktakuza dhe ishin mbajtur disa seanca.

Më pas, kishte kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku gjithashtu ishin mbajtur disa seanca dhe procedura ishte zhvilluar deri në fjalën përfundimtare.

Pastaj, ky departament e kishte deleguar lëndën në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kurse në fund sipas shkresave, lënda më 17 maj 2019, është deleguar në degën e Gjykatës në Podujevë.

Ndryshe, në aktakuzën e ish-Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, e ngritur më 11 prill 2006, Ajet Kastrati akuzohet se më 22 shtator 2002, rreth orës 13:15, në fshatin Kërpimeh, Komuna e Podujevës, pas një fjalosjeje me Nexhat Muçiqin, i pandehuri Ajet kishte nxjerrë revolen imituese nga brezi, dhe me qëllim frikësimi kishte drejtuar atë tek i dëmtuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat