Testi i maturës pa probleme në Skenderaj

Kosova

Testi i maturës pa probleme në Skenderaj

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 17:13
ilustrim

Nxënësit e klasave të dymbëdhjeta në komunën e Skenderajt iu janë nënshtruar testit të maturës. Përkundër disa parregullsive të vogla, procesi në tërësi sipas personave përgjegjës ka shkuar pa probleme.

Përfaqësuesi i MAShT-it në Qendrën e Kompetencës në Skenderaj, Gëzim Berisha thotë se përgatitjet kanë qenë të duhura dhe se nuk ka pasur asnjë problem të theksuar.

Mirëpo, ai bën të ditur se dy nxënësve iu janë gjetur telefonat gjatë procesit të testimit.

Për këtë siç thotë Berisha ata janë përjashtuar nga testi.

“Përgatitjet kanë qenë të duhura këtu, informimi i nxënësve ka qenë në rregull. Pranimi i nxënësve apo akomodimi ka qenë sipas standardeve të kërkuar. Ne kemi qenë me kohë, administruesit kanë qenë në kohë, me përjashtim që tre administrues kanë munguar…nxënësit disa kanë ardhur me telefona, por normal ato i kemi eliminuar para se me u shpërndarë testi. Gjithçka ka shkuar në rregull…Nuk iu ka gjetur asgjë e kopjimit, ata nxënës te cilët iu kanë gjet telefonat kanë larguar, dy raste ka pasur, që iu kanë ndalu testi atyre nxënësve”, thotë ai.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Skenderaj, Bekim Latifi thotë se procesi i testit të maturës në këtë komunë ka përfunduar pa asnjë problem të theksuar.

“DKA-ja i ka bërë gjitha përgatitjet që kanë qenë në domenin e saj, duke përgatitur klasat, listat e nxënësve dhe gjitha tjerat janë kryer me rregull…Ne jemi pjesë e procesit, në kuadër të gjitha qendrave kemi anëtarë të DKA-ve. Deri tash nuk kemi pasur asnjë telashe, procesi ka shkuar ashtu qysh është e parashikuar me ligj” thotë ai.

Ndërkaq, nxënësit jashtë kamerës së KosovaPress-it, thanë se testi në tërësi nuk ka qenë i vështirë dhe se nuk ka pasur ndonjë problem të theksuar.

Përndryshe, sot nxënësit e rajonit të Pejës dhe Mitrovicës iu kanë nënshtruar pjesës së parë të testit të maturës, të cilët do të përgjigjen në pyetjet nga lëndët gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze.

Me sot përfundon edhe pjesa e parë e testit të maturës, për t’i hapur rrugë pjesës së dytë që nis më 19 e zgjat deri më 22 qershor. Në pjesën e dytë, maturantët do të sfidojnë dituritë e tyre në matematikë dhe lëndën zgjedhore, të cilën e kanë zgjedhur vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat