Ismaili: MSh-ja ka shënuar progres në raportin vjetor të Auditimit

Kosova

Ismaili: MSh-ja ka shënuar progres në raportin vjetor të Auditimit

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 11:06
Uran Ismaili

Ministria e Shëndetësisë ka shënuar progres në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku nga 27 rekomandime që kishte pasur në vitin 2017, për vitin 2018 ka marrë vetëm 8 rekomandime.

Ndër rekomandimet që kjo Ministri kishte pasur në vitin 2017 e që nuk janë në raportin e vitit 2018 janë çmimet e barnave, keqpërdorimi i udhëtimeve zyrtare dhe keqmenaxhimi i projekteve kapitale.

Këto i ka bërë të ditur vet ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili derisa ka komentuar këtë raport tha se në vitin 2017 raporti ka pasur vërejtje serioze, por që sipas tij përmes angazhimit dhe punës kanë arritur të marrin masa dhe ta kthejnë ligjshmërinë.

Ai tha se reflektimi i gjithë punës në raportin e ZKA-së tregon dedikimin e tyre për luftën ndaj keqpërdorimit dhe korrupsionit që ka pasur efekt në gjithë sistemin e shëndetësisë.

Ismaili: Numrin e rekomandimeve kemi arritur ta zbresim nga 27 në 8

“Numrin e rekomandimeve nga Zyra Kombëtare e Auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë kemi arritur ta zbresim nga numri 27 në numër 8 dhe këto rekomandime janë me karakter procedural dhe nuk kanë efekt material. Pra, gjithashtu vlerësimi i raportit të ri të auditorit të Ministrisë së Shëndetësisë është përmirësuar rrënjësisht nga opinioni i kualifikuar apo shkalla më e ulët që ka qenë në vitin 2017, në një opinion të pamodifikuar në vitin 2018 apo që nënkupton shkalla më e lartë e zbatimit. Ky përmirësim i opinionit të Auditorit ka ardhur si rezultat i një angazhimi të madh 1 vjeçar dhe luftës sonë të suksesshme kundër korrupsionit”, tha Ismaili.

Ai ka përmendur disa nga përmirësimet që kanë bërë në fushën e shëndetësisë.

Ismaili: Raporti vlerëson përdorimin e çmimeve referente të tregut për të blerë barna

“Abuzimi me avance të pajustifikuara të përdorura për udhëtime zyrtare ka qenë një çështje që ka rënduar shumë raportin e Auditorit të vitit 2017. Raporti i Zyrës Kombëtare kishte theksuar se ka pasur çështje serioze në kontrollet e brendshme të avancave për udhëtimet zyrtare. Në vitin 2018 MSh e trajton këtë çështje me prioritet dhe përpos duke denoncuar në organet e drejtësisë kemi rikthyer ligjshmërinë duke bërë që çdo procedurë të ndiqet në bazë të rregullave të Kosovës. Kemi pasur një rast ku janë pezulluar 6 zyrtarë dhe janë filluar procedura ligjore. Blerja e barnave me çmime abuzive, po ashtu të gjitha raportet e mëparshme të Auditimit kanë qenë se ka pasur probleme në blerjen e barnave, mirëpo raporti i vitit 2018 tani vlerëson ministrinë për përdorimin e çmimeve referente të tregut për të blerë barna, duke ndaluar blerjen me çmime abuzive. Ne jemi kujdesur që kjo politikë të jetë e qëndrueshm e dhe kemi nënshkruar një udhëzim administrativ që mundëson dhe vendos rregull që gjithnjë kur të blihen barnat të jenë të blerë me çmime referente”, tha ai.

Një çështje tjetër që Ismaili tha se ka rënduar xhepat e qytetarëve dhe ka treguar një neglizhencë ndaj parave publike ka qenë çështja e Angiografit, i cili ishte blerë dhe kishte mbetur në një depo në Austri. Ai tha se dështimi për të sjell një pajisje të tillë ka ndikuar në trajtimin e pacientëve.

Përkundër raportit pozitiv të ZKA-së për Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim me barna, Ismaili është pyetur pse ende vazhdojnë pacientët të blejnë barna dhe material shpenzues. Ai tha se raporti tregon se edhe shpërndarja e barnave ka pasur një problem në MSh, por që ai tha se janë duke e rregulluar.

Ismaili: Mbi 100 barnatore janë duke u ndërtuar brenda QKUK-së

“Mbi 100 barnatore janë duke u ndërtuar brenda QKUK-së me qëllimin e vetëm që bari që blihet duhet të vendoset në repart dhe kur të shkarkohet tek pacienti dihet tek cili pacient ka shkuar. Kjo ka qenë e paimagjinueshme para një viti. E para, ne jemi duke folur për një situatë që është krijuar për 20 vite është krijuar një sistem i tillë. Nëse dikush ka pritje që 20 vite ka një ministër që mund i ndal ose i menaxhon dhe i kryen si procese brenda 1 viti e gjysmë atëherë mendoj që pritjet janë jo reale. Mirëpo, nëse ne e shohim transformimin që është duke ndodhur dhe nuk e festojmë faktin se sot kemi edhe agjencion të pavarur që thotë se ka ndodhur një hap tejet i madh në mënyrën si janë blerë barnat në Kosovë, si është shpenzuar paraja publike në Kosovë, kjo ka qenë të themi vrima e zezë e rregullimit të farmaceutikëve”, tha ministri Ismaili.

Për raportin e ZKA-së për ministrinë e Shëndetësisë ka folur edhe drejtoreshë e USAID-it Lisa Magno, e cila tha se kjo Ministri ka bërë përparime të mëdha në adresimin e rekomandimeve të dala nga raporti.

Ajo tha se përmirësimet dramatike në sektorin e shëndetësisë dhe reformat madhore kanë qenë të domosdoshme.

Magno: Arritja më e madhe e ajo është udhëzimi administrativ për blerjen e pajisjeve mjekësore

Kjo ministri ka bërë përparime të mëdha në adresimin e rekomandimeve që kanë dal nga raporti i ZKA-së. Në raste të tilla hapi i parë që duhet hedhur është që të bëhet vetëdijesimi për ekzistimin e problemeve dhe njohja e rëndësisë së këtyre problemeve, ndërsa hapi i dytë ka të bëjë me bërjen e diçkaje në atë drejtim. Pa një vullnet politik nuk mund të bëhet shumë në këtë drejtim. Adresimi i rekomandimeve të ZKA-së që është një proces i cili vazhdon edhe më tutje ka kërkuar një vendosmëri, këmbëngulësi dhe një punë të zellshme. Arritja më e madhe është udhëzimi administrativ për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve me çmime konkurrente. Kjo ka shkatërruar disa monopole që është dashur të shkatërrohen dhe çmimet e barnave janë bërë më të arsyeshme dhe më të përballueshme për qytetarët dhe vetëm standardizimi i çmimeve për medikamente  i ka kursyer kësaj ministrie 10 milionë euro", tha Magno.

Ajo si sukses të ministrisë së Shëndetësisë ka përmendur vendosjen e stentave në QKUK, ku tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët mund ta marrin këtë shërbim në spitalin publik. Po ashtu, ajo përmendi si pozitive investimin prej 5 milionë euro në modernizimin e klinikave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat