Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës, Burim Ramadani, mirëpriti në një takim delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë të udhëhequr nga Florian Kali, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Mbrojtjes të Ministrisë të Shqipërisë.
Ai me këtë rast njoftoi delegacionin nga Shqipëria rreth hapave transformues të FSK-së dhe strukturës së re të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për procesin e hartimit dhe të miratimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, si dokument thelbësor ku do të mbështeten objektivat e ardhshme reformuese të aparatit shtetëror.
Gjithashtu, Ramadani, delegacionin nga Shqipëria e njoftoi edhe me përkushtimin e Kosovës në synimet për anëtarësim në NATO, duke shprehu bindjen se paqja e përhershme në Ballkan arrihet përmes integrimeve euroatlantike.
Delegacioni nga Ministria e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditës së sotme, u prit edhe nga Faruk Geci, drejtor i Drejtorisë për Politika dhe Plane dhe koloneli Agron Bajrami, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrimet Euro-Atlantike në Ministri të Mbrojtjes.
Dy delegacionet vazhduan takimet e përbashkëta me qëllim të koordinimit të proceseve të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes, në harmonizimin e qëndrimeve dhe realizimit të tyre në bazë të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2020.