Shoqëria civile kërkon tërheqjen e ligjit për financim të partive politike

Kosova

Shoqëria civile kërkon tërheqjen e ligjit për financim të partive politike

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 12:04
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me moton “Tërhiqeni ligjin”, organizata të shoqërisë civile, kanë protestuar edhe sot para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të tërhiqet ligji për financimin e partive politike. Ky projektligj sipas tyre, para se gjithash është në kundërshtim me frymën kushtetuese. Duke bërë thirrje që të mos kalojë, ata kanë paralajmëruar se do të ndjekin edhe hapa të tjerë të parandalimit, përmes Avokatit të Popullit, por edhe të parit të vendit, Hashim Thaçi.

E, derisa një pjesë e tyre sot do të duhej të ishin pjesë e grupit punues për reformë zgjedhore të themeluar nga komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës, ata kanë zgjedhur të bojkotojnë këtë të fundit, e në shenjë pakënaqësie të protestojnë para këtij objekti.

Të njëjtit thonë se do të bojkotojnë aktivitetin e tyre në këtë grup punues, derisa  nuk tërhiqet ligji për financimin e partive politike.

Valmir Ismajli nga D+ thotë se kthimi i tyre në këtë komision ndodhë vetëm atëherë kur Qeveria dhe Kuvendi ta tërheqin këtë projektligj.

Ismajli:  Ne kemi vendosur që përkohësisht ta pezullojmë këtë komision 

“Ne në vazhdimësi kemi qenë të gatshëm, dhe kemi marrë pjesë në dy takimet e para të këtij grupi, për të ofruar rekomandimet e tona për të bërë një sistem zgjedhor sa më të mirë në Kosovë, megjithatë duke parë atë që ka ndodhur me projektligjin e financimit të partive politike, ne kemi vendosur që përkohësisht të pezullojmë aktivitetet tona në këtë grup punues. Ne do të ktheheshim në këtë komision kur do që Qeveria apo Kuvendi e tërheqin projektligjin për financimin e subjekteve politike në Kosovë”, tha Ismajli.

E Arbëresha Loxha, drejtoreshë e  GLPS-së thotë se ky projektligj është në kundërshtim me frymën kushtetuese.

Loxha: I bëjmë thirrje deputetëve dhe Qeverisë ta tërheqin këtë ligj

“ I bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë që ta tërheqin këtë ligj dhe të mos votohet ky ligj në parlamentin e Kosovës sepse është në kundërshtim me frymën kushtetuese, në kundërshtim me reformën zgjedhore të iniciuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe njëkohësisht nuk është në linjë me rekomandimet e Venecias. Pra, ne do të jemi të gatshëm që të kthehemi në të dy këto mekanizma, si në grupin punues dhe në komisionin ad-hoc, në qoftë se ne sigurohemi që do të jemi partner, i trajtuar në mënyrën më të denjë dhe do të merren parasysh kontributet dhe rekomandimet tona”, tha ajo.

Thonë se do të vazhdojnë me aktivitetet e tyre avokuese që të merren me akterët politikë, por edhe me akterët ndërkombëtarë për të kundërshtuar këtë projektligj, ata paralajmërojnë edhe forma të tjera të parandalimit të këtij ligji.

Ismajli: Nëse kalon ky projektligj do të ndjekim hapa të tjerë 

 “ Në rast që Kuvendi i Kosovës do të miratonte një projektligj të tillë, atëherë na mbesin disa alternativa tjera. Një është përmes Avokatit të Popullit ta qojmë në Gjykatën Kushtetuese, por paraprakisht do të kërkonim edhe nga presidenti i vendit, i cili ka një mandat të tij, ose mund të mos dekretoj një ligj të Kuvendit të Kosovës, nëse ai e sheh që është në kundërshtim me parimet të cilat ne besojmë që ky ligj për financimin e projekteve të subjekteve politike aktualisht është në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar Ismajli.

Megjithatë ai beson që Kuvendi apo edhe vet kryeministri do ta tërheqin shumë shpejt këtë ligj, meqë sipas tij,  vet ata e kanë parë se është e gabueshme.

Ndërsa kryeministrit Ramush Haradinajt nuk iu desh as edhe një orë që të deklaroj se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, shoqëria civile, të hënën ka marshuar në shenjë pakënaqësie për projektligjin  për financimin e partive politike, projektligj ky i cili ka kaluar në lexim të parë. Përmes këtyre protestave ata  kanë kërkuar që ky ligj të mos votohet dhe të tërhiqet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat