SBASHK-u nuk e prish traditën, edhe këtë vit dërgon 400 mësues për pushime në Shqipëri

Kosova

SBASHK-u nuk e prish traditën, edhe këtë vit dërgon 400 mësues për pushime në Shqipëri

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 10:59
Mesuesit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë (SBASHK), ka bërë të ditur se nesër më 26 qershor do të nis pushimet grupi i parë i anëtarëve të kësaj sindikate në bregdetin shqiptarë.

“  Duke vlerësuar  e çmuar lart përkushtimin e punëtorëve  të arsimit  të Kosovës në edukimin e arsimimin e brezave, SBASHK-u vazhdon me traditën e mirë të njohjes së këtij kontributi duke dërguar çdo verë një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të vet për pushime në bregdetin shqiptar.

Në verën 2019 Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, pasi ka analizuar  në përpikëri mundësitë buxhetore, ka vendosur që  në çdo 60 anëtarë të dërgojë një pushues në bregdetin shqiptar. Përzgjedhjen e pushuesve e kanë bërë  shoqatat sindikale në çerdhe, shkolla fillore e të mesme, në njësitë akademike të universiteteve dhe të institucioneve të kulturës.

Të 400 pushuesit janë të ndarë në 4 grupe me qëllim që organizimi të jetë sa më i mirë i  pushimeve  dhe aktiviteteve sindikale  atje. Grupi i parë me pushuesit nga Podujeva, Prishtina, Skenderaj, UP-ja, Qendra e studentëve, Fushë Kosova, Obiliqi dhe institucionet e  kulturës e nisin këtë traditë të mirë të mërkurën, më 26 qershor,  për të vazhduar ky aktivitet  me pushuesit nga komunat tjera sipas agjendës së përcaktuar nga Komisioni për përgatitjen e pushimeve”, thuhet në njoftimin për media.

SBASHK thekson se pushuesit gjatë qëndrimit në bregdetin shqiptar, përveç pushimit të merituar, do të zhvillojnë edhe aktivitete sindikale përmes tryezave  dhe debateve për arritjet, sfidat dhe idetë e reja për angazhimin sindikal në vijim.

“Kryesia e SBASHK-ut dhe Komisioni për pushime për hir të transparencës së plotë  me të përfunduar të këtij aktiviteti do të botojë në web faqen e saj (sbashk-rks.org)  listën e plotë me të gjithë emrat e pushuesve , që janë caktuar nga shkollat dhe njësitë akademike”, thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat