Mediave u bëhet thirrje mos të ripublikojnë vetëm statuse nga rrjetet sociale

Kosova

Mediave u bëhet thirrje mos të ripublikojnë vetëm statuse nga rrjetet sociale

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 12:13
Foto

Imer Mushkolaj, kryetar i Kuvendit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ka thënë se ligjet në vend janë të mjaftueshme për të rregulluar mediat, por që mungon zbatimi i tyre.

Në tryezën e diskutimit me temë “Lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes dhe shpifja e fyerja në mediat online” Mushkolaj tha se duhet të ekzistojnë kritere të caktuara se çka nënkuptohet me media. Si element kryesor në këtë diskutim, për luftimin e lajmeve të rreme, u theksua verifikimi i asaj çka thuhet, dhe jo vet publikimi i saj.

Në kohën kur edhe Kosova përballet me problemin e keqinforormimit, lajmet e rreme dhe shpifjet në media, po diskutohet se si të luftohen këto dukuri.

Në Prishtinë sot u mbajt tryezë diskutimi për këtë, ku Këshilli i Mediave të Shkruara dhe kryeredaktorë të mediave në Kosovë theksuan nevojën e luftimit të lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes.

Në këtë tryezë shembull u theksua rasti i gruas rome, e cila në media u paraqit si person i rrezikshëm, ndaj së cilës tutje u ushtrua dhunë.

Aty u tha se ky rast është model se si nuk duhet raportuar mediat dhe është rast që tregon si mediat bazohen në informata të paverifikuara për shkak të sensacionit.

Sipas penalistëve, sulmet ndaj gruas rome erdhën si pasojë e raportimeve të disa mediave, dhe të njëjtat janë përgjegjëse për gjendjen e krijuar.

Imer Mushkolaj përmendi nevojën e edukimit medial, për të cilën pohoi se nuk është parë të vihet në praktikë deri tani nëpër shkolla.

Ndërkohë që nevoja e zbatimit të ligjit për mediat, për të është e domosdoshme.

Mushkolaj: Janë ligjet për rregullim të mediave, mungon zbatimi i tyre

“Ligjet në Kosovë janë të mjaftueshme për të rregulluar mediat, se shpesh herë krijohet përshtypja që në Kosovë që në Kosovë nuk ka logje për mediat se mediat mund të bëjnë çdo gjë e nuk ndëshkohen. Kjo nuk është e vërtetë, është problem zbartimi i ligjit, por jo vetëm në fushë ne mediave, sikur është problem zbatimi i ligjit në fusha të tjera, njëkohësisht edhe në media, por duke pas parasysh rëndësinë, impaktin që kanë mediat natyrisht se kjo çështje është shumë më e ndejshme dhe duhet të mirret në konsideratë me shumë më shumë ndjeshmëri”, tha ai.

Ai tha se anëtarët e Këshillit, ndër kriteret themelore që duhet t’i plotësojnë është të sjellin dëshmi që janë të regjistruara, ta dimë se kush janë ata, dhe kush qëndron prapa tyre.

Mushkolaj:  Disa media nuk kanë as adresë fizike dhe asnjë kontakt

“Ne mund të mirremi ose të diskutojmë me mediat që e dimë kush janë, ne nuk mund të diskutojmë me mediat, me të ashtuquajturat mediat të cilat e kanë një adresë në internet dhe nuk e dimë kush janë. Nuk kanë as adresë fizike, as numër të telefonit, as emër se kush qëndron parpa tyre. Si t’i qasemi këtyre mediave, këtu nuk kemi të bëjmë me etikën më, këtu kemi të bëjmë me kriminalitet për shkak se ti po funksiononi në mënyrë ilegale, pa regjistruar, dhe fatkeqësisht po përfiton edhe të ardhura”, tha ai.

Mushkolaj tha se nuk ekziston formulë për parandalimin e lajmeve të rreme, veçse duke respektuar kodin e etikës.

Ai tha se e rëndësishme është të dihet cilat janë lajmet e rreme dhe të kontribuohet në parandalimin e këtij fenomeni.

Kreshnik Gashi, kryeredaktor në Kallxo.com porositi që statuset në rrjetet sociale mos të ripublikohen si lajme nëpër media, por të bëhet verifikimi i tyre.

Gashi: Kërkojmë nga mediat të vërtetojnë faktin

“Në Kosovë janë 1 milionë përdorues të rrjeteve sociale, 1 milionë përdorues të rrjeteve sociale kanë të drejtë çdo ditë me i shkru deri 1 mijë statuse, sa të munden me shkru me gishta me qit në facebook. Pyetja është a kemi ne të drejtë secilin status të tyre me ripubliku dhe me përdorë mediat tona dhe me shpërnda duke thënë se e ka publiku dikush në rrjetet sociale. Standardet e etikës, standardet ligjore nuk na lejojnë këtë. Kërkojmë prej mediave me vërtetu faktin dhe me qenë korrekt me lexuesin e vet, korret me informacionin të cilin jemi duke ia dhënë lexuesit ose shikuesit tonë. Për shkak se nëse nuk e bëjmë këtë, ekziston facebook-u dhe më nuk kemi nevojë me publiku lajme”, tha ai.

Gashi tha se dy dekada më parë informacioni ka kaluar nëpër disa filtra, ndërkohë që sot kjo nuk ndodh, dhe qytetarët e marrin lajmin ashtu siç dikush e publikon në rrjete sociale.

Ai tha se nuk duhet të bëhen vetëm ripublikime të statuseve, por duhet të bëhen vërtetime të atyre çka thuhet në ato statuse. Gjithashtu, shtoi se publiku duhet të njoftohet për rastet kur një status është i rrejshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat