Vlerësohet kontributi i Skënder Gashit, i ndahet Medalja e Meritave

Kosova

Vlerësohet kontributi i Skënder Gashit, i ndahet Medalja e Meritave

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 12:53
Lutfi Haziri

Nën organizimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare dhe të LDK-së, Prof. Dr. Skënder Gashi.

Me këtë rast, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka ndarë Medaljen presidenciale të Meritave.

"Kam pasur rastin që gjithashtu të njohë nga afër profesor Gashin dhe respektoj kontributin e tij për liri, pavarësi, në arsim, por edhe rolin diplomatik të tij. Roli i tij ishte i jashtëzakonshëm për shkencën shqiptare, afirmimin e Kosovës dhe në këtë aspekt duke respektuar meritat e z. Gashi, kam vendosur që të ndaj medaljen presidenciale të meritave", deklaroi kreu i shtetit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se po ndahen nga një njeri që dha shumë për Kosovën.

"Sot jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit i cilin edhe në Prishtinë edhe në Vjenë ia ka kushtuar jetën misionit si profesor dhe si veprimtar. Në emër të kryetarit Mustafa, të LDK-së, sot me mërzi i themi lamtumirën e fundit për të lënë testamentin që ta duam Kosovën, ashtu siç baballarët tanë, themeluesit e LDK-së e realizuan", th ai.

Profesor Rifat Blaku, tha se emri i profesorit Skënder Gashi nuk do të shuhet kurrë.

"Sot po ndahemi nga një punëtor i palodhshëm, nga një pedagog i mrekullueshëm. Veprat e të cilit shërbejnë si pikë referimi për studiuesit e ri. Me profesor Skënderin kam pasur fatin të bashkëpunojë dhe ishte njeri i urtë, modest, i kulturuar, por shumë i respektueshëm për të gjithë. Skënder Gashi në Vjenë bënte punë të jashtëzakonshme. Sot Kosovës po i shkëputet një yll i cili nuk do të shuhet kurrë", tha ai.

Djali i profesorit Skënder Gashi, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës Dardan Gashi, ka falënderuar të gjithë që kanë nderuar jetën dhe vlerën e babait të tij.

"Një falënderim që e mundësuar që në shtëpinë e tij, në LDK, të nderohet edhe një herë", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat