Prona e serbit, shkak për konflikt mes dy familjeve shqiptare

Kosova

Prona e serbit, shkak për konflikt mes dy familjeve shqiptare

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 15:59
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një tokë në Fushë Kosovë është bërë mollë sherri në mes të dy familjeve. Të dy familjet pretendojnë se kanë të drejtë në këtë tokë të cilën e kanë blerë nga një serb.

Madje ky i fundit është sulmuar fizikisht nga njëri nga personat që pretendon se toka i takon atij.

Policia e ka arrestuar personin në fjalë ndërsa të enjten prapë ka pasur konflikt në mes familjeve Sylkaj dhe Bekteshi.

Selim Sylkaj vitin e kaluar është kthyer nga Suedia, vendin në të cilin po jetonte me vjet, për të investuar në Kosovë. I njëjti është interesuar edhe për blerjen e një toke në Fushë Kosovë, për të filluar punimet. Sylkaj tregon se ka bërë marrëveshje për blerjen e kësaj toke, me serbin Millosh Zhivkoviq, tokë kjo në të cilën aktualisht është duke punuar dikush tjetër.

Sylkaj: Po insistojnë  që është e tyre

“ Unë kam grumbulluar një buxhet me ardh me investu në Kosovë, se nuk po më rrihet më atje, kam hasur në një kontakt me malazezin, ky është malazez pronari i tokës, dhe jemi njoftuar me një të tij në Suedi dhe e kam një mik timin e ka një parcelë, mundet me marrë. Kam biseduar, dhe fillova që të bëjë një marrëveshje, por nuk po lejojnë këta. Po insistojnë që është e tyre, e kanë blerë para 20 viteve, unë gjithmonë insistoj në dokumentacionin, fletë poseduese dhe kopja e planit për mua vlejnë”, thotë Sylkaj.

Ai zotohet që ka dokumente që kjo tokë prej dy hektarësh është e tij, dhe se ka fletën poseduese. Serbi Zhivkoviq thotë se  i kishte thënë se e kishte fituar kontestin gjyqësor, dhe se kjo tokë është e tij. Për çka pala tjetër, sipas tij, e kishte rrahur serbin, të shtunën.  

Sylkaj: Kanë ardh të shtunën me revole dhe e kanë rrahë pronarin

“Kanë ardh të shtunën e kaluar me 29, kanë ardhur në orën 15:00 me punu sipas rregullave, fletë poseduese, kopja e planit edhe kanë ardhur na kanë penguar, kam thirr policinë. Policia kanë ardhur, kanë asistuar edhe kemi marrë një marrëveshje që deri në ora 18:00 në  mbrëmje me largu pasurinë prej këtu. Në orën 17:30 ka ardhur Fahria vet i gjashti, ne kemi qenë ulur atje... ka qenë i armatosur me pishtole  edhe unë kam menduar që po përshëndeten mes vete, i ka ra pronarit, e kanë rrah, ka ndërmjetësuar policia”, thotë ai mes tjerash.

Sylkaj thotë se nëse  pala tjetër nuk e liron pronën sot, do të vijë me makineri të rëndë dhe do të fillojnë punën.

Pavarësisht akuzave të Sylkaj, ndryshe thotë Fahri Bekteshi, i cili aktualisht është duke punuar në këtë tokë.  

Ai  tregon se nga kush i kishte blerë dy hektarët, 18 vite më parë. Tutje thotë se ky rast është në kontest gjyqësor që pesë vjet me serbin.

Bekteshi: Ne e kemi blerë me marrëveshje këtë tok

“Kjo pronë ka qenë e ‘Shpad Comercit’ të Sarajevës, ka qenë në proces gjyqësor qe 18 vjet. Ne e kemi bërë një marrëveshje me këta, për blerje, i kemi dhënë disa para, e ndërkohë ka dalë një serb i Leskovcit e ka bërë një fletë poseduese në dy hektarë. Prej dy hektarë e gjysmë, dy hektarë janë ndarë ia kanë qitur serbit të Leskovcit edhe e kanë qit fletën poseduese. Por, e kemi ne një kontekst gjyqësor që pesë vjet me serbët... kanë ardhur me zor me hi në pronë, që është ende kontestuese”, thotë Bekteshi.

I njëjti mohon ta ketë rrahur të shtunën serbin, i cili pretendon të jetë pronar i tokës. E gjithë kjo sipas tij është një mashtrim nga ai, për çka thotë se edhe ia ka shitur tokën disa  personave.

Bekteshi: Është mashtrim nga serbi

“Është mashtrim nga serbi, konfliktin po e bën serbi, nuk po e bëjmë ne. Se ai duhet me prit vendimin e gjyqit, jo me pru ai njerëz, bandita, hajna edhe me thonë po e liroj unë. Edhe këta po i ndihmojnë, për interesa të tyre normal, se i kanë edhe ata interesat e veta”, thotë ai mes tjerash.

Bekteshi thotë se qe pesë vjet po pret të merret një vendim nga Gjykata e Apelit, meqë është në kontest gjyqësor. Në rast se merret vendim për të liruar pronën, thotë se do ta lirojë.

Për rastin e rrahjes ka raportuar edhe Policia e Kosovës. Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet:  “Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një prone ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull-serb shtetas i Serbisë me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Njësiti policor gjatë kontrollit në trupin e të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar një armë me një karikator dhe 13 fishekë. Lidhur me rastin janë intervistuar  edhe katër persona meshkuj  K-Shqiptar. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Të enjten në pronën për të cilën po thuhet se është e kontestuar ka qëndruar edhe Policia e Kosovës, për parandalimin e ndonjë incidenti në mes të këtyre dy palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat