Çmime të ndryshme për shërbimet e njëjta mjekësore - Bota Sot
Çmime të ndryshme për shërbimet e njëjta mjekësore

Kosova

Çmime të ndryshme për shërbimet e njëjta mjekësore

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 14:21
Ilustrim

Pacientët të cilët iu drejtohen ordinancave private në Kosovë, hasin në çmime të ndryshme për shërbimet e njëjta që u ofrohen atyre. Qytetarët kanë rrëfyer përvojat e tyre për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se për shërbime të njëjta, një vizitë mjekësore në një ordinancë të caktuar private kushton 10 euro, derisa në një tjetër, detyrohen të paguajnë dyfish.

Lena Morina nga Prishtina thotë se së fundmi ka qenë te dy mjekë në institucione private për të njëjtin problem. Çmimet që ajo ka paguar për të njëjtin shërbim mjekësor, dallojnë shumë.

“Kam qenë tek onkologu për një vizitë mjekësore, pasi kisha probleme shëndetësore. Mund t’i përmend edhe me emra mjekët dhe çmimin e të njëjtit shërbim. Te njëri onkolog, vizitën e kam paguar 20 euro, ndërkaq te tjetri 40 euro. Pra, të njëjtin shërbim e kam paguar me këto çmime”, thotë ajo.

“Nuk kuptoj çka është kjo. Vetëm e di se edhe për vizitat mjekësore të fëmijëve kam pasur përvoja të tilla. Kryesisht te mjekët pediatër kam paguar nga 10 euro për një vizitë, por kam pasur rastin edhe deri në 50 euro të paguaj për një vizitë mjekësore të fëmijëve. E tmerrshme, mendoj se duhet gjithsesi të rregullohet kjo çështje”, thotë Morina.

Rehabilitimi jashtë spitalit, me shpenzime vetjake

Në Kosovë nuk ka legjislacion specifik që i detyron themeluesit e shërbimeve shëndetësore private, që dikush t’ua përcaktojë çmimet. E gjithë kjo, sipas profesionistëve të fushës mjekësore, quhet treg i lirë.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, kjo çështje mund të rregullohej vetëm me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në momentin që funksionalizohen sigurimet shëndetësore, atëherë parashihet që përmes çmimores për listën e shërbimeve, do të bëjë një lloj rregullimi edhe për çmimin e shërbimeve. Kjo pasi çmimet që do të kontraktohen, do të jenë paraprakisht të përcaktuara në vlera se sa ofron fondi për shërbime. Kështu që ato shërbime që fondi i kontrakton në emër të pacientëve, sigurisht që do të ketë edhe unifikim. Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, sipas të cilit tash për tash çmimet thjeshtë përcaktohen përmes konkurrencës, ndërsa qytetari e ka të drejtën të marrë shërbim në një vend me çmim më real.

Por, në bazë të legjislacionit, institucionet private shëndetësore janë të obliguar që këto çmime t’i vendosin në vende transparente, në mënyrë që qytetarët të cilët shkojnë për të marrë shërbime shëndetësore, paraprakisht ta dinë se sa do t’u kushtojë ai shërbim.

“Ndryshimet në çmimet e shërbimeve shëndetësore në sektorin privat janë për arsye se ato nuk i nënshtrohen ndonjë legjislacioni specifik, siç janë shërbimet në institucionet shëndetësore publike, e që janë të rregulluara me një udhëzim administrativ për bashkëpagesat”.

“Në sektorin privat themeluesit e këtyre institucioneve u nënshtrohen parimeve të ekonomisë së lirë të tregut, përkatësisht konkurrencës dhe ata i përcaktojnë çmimet e shërbimeve që i ofrojnë”, tha Hoti.

Edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se çmimet e shërbimeve shëndetësore në institucione private mund të unifikohen vetëm me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore. Por, ai është skeptik se ky ligj do të jetësohet shpejtë.

“Çmimet mund të unifikohen vetëm kur hyn në fuqi sigurimi shëndetësor. Tash për tash është treg i lirë, por është mirë që të jetë nën kontroll dhe të vendosë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore se me kë do të lidhë kontratë dhe sa do të paguhet shërbimi”.

“Unë mendoj se do të ulen çmimet gjithsesi sepse kontrollet prej 50 e 100 euro nuk do t’i paguajë fondi i sigurimeve. Po parashihet që në vitin 2020 të startohet me sigurime shëndetësore, por me sa unë po shoh ende nuk janë gati”, tha Syla.

Ndryshe, Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, por ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, meqë nuk ishte nënshkruar atëbotë nga shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria kishte ndarë fillimisht 17 milionë euro për zbatimin e këtij ligji. Por, mjetet e planifikuara për sigurimet shëndetësore ishin tërhequr për shkak se Qeveria kishte vlerësuar se nuk janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...