30 psikologë e 20 pedadodë do t’i shtohen arsimit parauniversitar në Kosovë

Kosova

30 psikologë e 20 pedadodë do t’i shtohen arsimit parauniversitar në Kosovë

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 09:33
Ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e ka hapur konkursin për angazhimin e stafit mbështetës nëpër shkollat e nivelit parauniversitar në Kosovë.

Parashihet të angazhohen 30 psikologë dhe 20 pedagogë këtë vit.

Drejtori për Arsim Parauniversitar në MASHT, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se ky shërbim do të ndihmojë edhe në luftimin e dukurive negative nëpër shkolla.

Nga vitit i ri shkollor 2019/2020, pritet të angazhohen 30 psikologë dhe 20 pedagogë për nivelin e arsimit parauniversitar në Kosovë, të cilët do të shërbejnë për të gjitha shkollat e vendit.

Ministria e Arsimit e ka shpallur konkursin duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ për zgjedhjen e nëpunësve për ofrimin e shërbimeve profesionale në institucionet e arsimit parauniversitar dhe atij për Funksionalizimin e Këshillit Pedagogjik-Psikologjik në shkolla.

Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASHT, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se meqë komunat nuk kanë pas kapacitet për angazhimin e këtij stafi mbështetës, i njëjti është bërë me iniciativë të Ministrisë së Arsimit.

“Roli dhe rëndësia e psikologëve dhe pedagogëve është jashtëzakonisht i madh, sepse ne e shohim rëndësinë e këtij shërbimi në shkolla si koordinim të punës me nxënës, me prindër, me mësimdhënës dhe me komunitetin natyrisht, meqenëse sot kemi  shumë dukurive negative, andaj roli i tyre është në funksion të këtij shërbimi”, ka thënë Istogu.

Istogu tha se numri prej 50 psikologëve e pedagogëve, nuk është i mjaftueshëm. por fillimisht do të angazhohet një staf mbështetës për një mijë nxënës.

“Ne e kemi përgatitur Udhëzimin Administrativ (UA) për detyrat dhe përgjegjësitë e psikologut dhe pedagogut. E kemi edhe UA që në raport me 1000 nxënës në shkolla ka mundësi ta ketë një shërbim të tillë, por nëse shkolla nuk ka kaq numër të nxënësve, psikologu do të caktohet për dy apo tri shkolla varësisht nga caktimi i shkollave dhe komunave”, u shpreh ai.

Istogu ka thënë se aktualisht janë rreth 100 të punësuar të këtij shërbimi në të gjitha shkollat e Kosovës dhe me rritjen e numrit të psikologëve e pedagogëve edhe me 50, do të mbulohen rreth 70 për qind të nevojave.

Megjithatë, Istogu ka thënë se kjo praktikë do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme, deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave dhe nevojave të shkollave për psikologë e pedagogë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat