Haradinaj konfirmon se ky shtet është skeptik për vizat

Kosova

Haradinaj konfirmon se ky shtet është skeptik për vizat

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 16:11
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se Holanda është skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovës, por tha se Qeveria që drejton, po bën përpjekje t’ia sqarojë shtetit holandez qëndrimin e Kosovës.

“Unë vet i kam dhënë një material ambasadores së Holandës për t'ia dërguar ministrit të Brendshëm , me disa shpjegime, pasi në raste të caktuara mungon edhe njohuria", tha Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë.

Haradinaj, cili kohë më parë kishte uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave, të enjten tha se kjo çështje është premtuese.

Një ditë më herët Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha para Komisionit parlamentar për punë të jashtme se Franca, Holanda dhe Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Deputetët, sidomos ata të opozitës, e kritikuan Qeverinë e Kosovës dhe ministren Hoxha, për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave, si dhe për deklarata kundërthënëse.

Komisioni Evropian në korrik të vitit 2018, e ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian ka votuar në favor të tij.

Mirëpo, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, dhe në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave nuk e ka vendosur fare në agjendën e takimit të tij, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat